Kompania kosovare që prodhon deri në një ton kërpudha, eksporton deri në SHBA

14:00 | 30 Mars 2024
K.B

Tash e 34 vjet, ndërmarrja prodhuese “Funga SHPK” në Kamenicë bën grumbullimin, kultivimin dhe prodhimin e kërpudhave dhe frutave të malit.

Aroma e dheut dhe lagështisë dominon gjithandej, sapo hynë në brendi të objektit të fabrikës, derisa përgatitjet e kërpudhave për të dal në treg, po vazhdon si çdo ditë në mënyrë intensive.

‘Funga ShPK’ është ndërmarrje prodhuese me dy sektor në qytetin e Kamenicës, e cila gjatë sezonës ka në dispozicion deri 100 punëtorë.
Në këtë fabrikë, prodhohen disa lloje të kërpudhave, duke nisur nga: “Shampinjo”, “Boletus”, “Shartell” e “Tartuf”.

Arbresh.info ju sjell nga afër gjithë procesin e punës që bëhet nga kultivimi, pastrimi, e deri te paketimi i kërpudhave dhe përgatitja e tyre për treg.

Udhëheqësi i kësaj kompanie,  na tregon rreth punës që bëhet në këtë ndërmarrje.

“Funga SHPK”, është një ndërmarrje që ka dy sektor. Sektorin e kërpudhave të egra, përpunimin, ngrirjen, tharjen e fryteve të imta, siç janë boronica, mjedrat, manaferrat, dhe sektori i dytë ku jemi momentalisht është sektori i prodhimit, kultivimit të kërpudhave shampanjën deri te paketimi dhe shitja e tyre. Ne si kompani për mos me punu vetëm punë sezonale në sektorin e kërpudhave të egra dhe frutave të egra, si alternativë na u ka dashtë për shkak se punëtorët nuk mundemi me i mbajt punëtor sezonal, sidomos do kohëra ku kemi migrime të mëdha të popullsisë, kjo nuk është vetëm në Kosovë por edhe në Evropë. Ne kemi fillu kultivimin e kërpudhës “Shampinjon” që me mund me punu 365 ditë gjatë vitit”, tregon Krasniqi.

Sipas tij, shpërndarja e kërpudhave në treg varet nga kërkesat e konsumatorëve.

Ai tregon se përveç kultivimit në serën e kompanisë, disa nga kërpudhat i grumbullojnë edhe nga fshatrat e Kosovës.

“Kosova është e pasur me kërpudha dhe i grumbullojmë prej fshatarëve në gjithë territorin e Kosovës, i sjellim këtu dhe bëhet procesimi varësisht prej klientelës, sa klientela dëshiron. Ka klient që dëshirojnë kërpudha të thata, ka të freskëta, ka të ngrira të ziera dhe varësisht nga klientët ato mund të eksportohen”, thotë Krasniqi.

Në këtë kompani kultivohet edhe kërpudha më e shtrenjtë të botë e njohur si “Tartufi”.

Krasniqi, na tregon pse ky lloj i kërpudhës kultivohet në sasi të limituar.

“Ato që janë të shtrenjta, janë të vogla në natyrë, siç e kemi “Tartufin e bardhë” dhe “Tartufin e zi”, por kryesisht edhe ne punojmë me to pak por jo në sasi të mëdha, sepse është sasia e limituar, është shumë e vështirë me i gjet ato. Por, ne tani për tani jemi duke e bërë kultivimin e kërpudhës “Shampinjon”, apo “Agarisporus” i thonë në term latin, e cila është kërpudhë e kultivuar. Pastaj e grumbullojmë kërpudhën “Boletuse” në popullore i thonë “Kërpudhë e ujkut” dhe kërpudhën “Shantarell” si “Kërpudhë e dhelprës”, tregon Krasniqi.

Sasia e prodhimit të kërpudhave brenda ditës dallon nga zhvillimi i tyre, mirëpo sipas kreut të kësaj kompanie, ndodh brenda një dite të prodhohen deri një ton kërpudha.

“Saktësisht nuk mundem me than se kanë me u prodhu kaq. Por, prodhohen edhe 500 kilogramë, një ton, varësisht prej fazave që zhvillohet kërpudha, por pavarësisht që jemi në një fermë të modernizuar, fjalën vendimtare për sasinë e kërpudhës dhe kualitetit e jep edhe natyra”, tregon ai për Arbresh.info.

Përveç në Kosovë dhe në vendet e Bashkimit Evropian (BE), kërpudhat e “Funga SHPK”, eksportohen edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Afro 90 për qind e kërpudhave që prodhohen në këtë kompani, eksportohen drejt vendeve të eurozonës, përfshirë: Gjermaninë, Italinë, Francën, Anglinë, Sllovenië, Lituaninë, e shumë vende të tjerat.

Ndërsa tash e pesë vjet, kjo kompani ka nisur eksportimin e kërpudhave edhe drejt SHBA-së.

Ndryshe, edhe pse disa i konsiderojnë kërpudhat si perime, ato janë një mbretëri e veçantë e organizmave të gjallë. Disa janë helmuese dhe disa janë jashtëzakonisht të shëndetshme.

Kërpudhat janë burim i pasur i seleniumit – një metal shume i rëndësishëm për fuqinë antioksiduese të organizmit, e cila e mbron nga radikalet e lira.

Si i tille, luan rol në mbrojtjen kundër kancerit të zorrës së trash, por gjithashtu dhe në lehtësimin e simptomave të astmës dhe artritit, si dhe në mbrojtjen kundër sëmundjeve të zemrës.

Konsumi i kërpudhave, në një sasi 30 gram, dy deri në tre herë në javë, është një sasi optimale për të përfituar benefitet që ky ushqim ofron për shëndetin./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Të ngjashme