Nxënësit e kryeqytetit edhe këtë vit do të pinë qumësht nga kompania e lidhur me Devollët.
Kjo pasi fituese e tenderit të hapur në fillim të shtatorit ka dalë kompania “ABRAZEN ” L.L.C. nga komuna e Istogut e në faqe të së cilës figuron të jetë në kuadër të ‘Devolli Group”.
Kompania ishte ofertuesi i vetëm në tenderin me titull ‘Furnizim me qumësht’ dhe kishte ofruar saktësisht vlerën e njëjtë që e kishte parashikuar Komuna e Prishtinës plotë 288 mijë euro.
Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik thuhet se sasia e qumështit do të jetë 1,440,000.00 copë ndërsa furnizimi do të zgjasë 3 muaj.
” ABRAZEN ” L.L.C.” në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovës figuron të jetë e regjistruar në vitin 2004 ndërsa veç prodhimit të produkteve të qumështit ushtron edhe 15 aktivitete të tjera. Në ARBK thuhet gjithashtu se kompania ka tri njësi e në kuadër të saj edhe ‘Qumështorja Vita’.
Valdrin Ahmeti , ish-bashkëpartiak i kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, në një prononcim dhënë për arbresh.info e ka quajtur tender të kurdisur.
Sipas tij Komuna e Prishtinës i ofroi kushtet e tenderit që t’i përshtatet kompanisë ‘Abrazen’ njëjtë si herën e kaluar kur rriti vlerën e parashikuar për 530 mijë euro.
“Nuk është e çuditshme pasi edhe në tenderin që ne kemi dorëzuar kallëzim penal është interesat 730 mijë euro e parasheh komuna e Prishtinës e 733 mijë euro e fiton tenderin ‘Abrazeni’ pra ja qëllojnë me saktësi se sa ka me ofertu ‘Abrazeni’, komuna edhe kur e rrit parashikimi e vlerës për 365% nuk ia huq asnjë cent në atë se sa e oferton ‘Abrazeni’. Edhe ky është një fakt shtesë që ky tender është i kurdisur dhe kur e kupton se kush është fituesi”, ka thënë ai.
Ndërsa anëtarë i bordit figuron të jetë Ernest Jusufi i cili është edhe drejtor dhe agjent i regjistruar i kompanisë ‘DEVOLLI GROUP SH.P.K.’ në pronësi të Blerim Devollit.
Këtë shqetësim e kishte ngritur edhe Lëvizja Vetëvendosje në janar të këtij viti. Madje aktivisti i VV-së, Valdrin Ahmeti, kishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës nën dyshimin e keqpërdorimit me tenderë për furnizimin me qumësht për nxënësit nga klasa I deri V.
E njëjta kompani, ” ABRAZEN ” L.L.C. “ edhe atë kohë ishte fituar tenderin për qumësht si ofertuesi i vetëm me vlerën prej 733 mijë euro nga 730 mijë euro sa e kishte parashikuar komuna e Prishtinës për dallim nga viti paraprak ku vlera e parashikuar ishte 200 mijë euro.
Vetëvendosje përmes kallëzimit penal kishte pretenduar se vlera e keqpërdorimeve arrinte në 530 mijë euro.
Ndërsa aktivisti i VV-së ka thënë për arbresh.info se hetimet kanë filluar por nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.
“Me që e kam dorëzuar unë Prokuroria e kapur nuk është duke vepruar, kanë filluar hetimet dhe kanë shku derisa unë kam vazhdu me i ndihmu hetuesit e krimeve ekonomike, kemi qenë në rrugë të drejtë për me gjet keqpërdorime të tjera në të njëjtin tender, nga të njëjtët zyrtarë edhe për herët e kaluara por fatkeqësisht kjo çështje është ndërpre, nuk ka vazhdu më as policia e krimeve ekonomike me më kontaktuar dhe as Prokuroria e nuk ka asnjë të re në këtë drejtim por mendoj prapë njëjte që Institucioni në këtë rast komuna e Prishtinës i ka favorizuar e ka bo dosjen e tenderit që t’i përshtate të vetmes kompani që përfiton gjithmonë e që është ‘Abrazeni’ që i bie Devoll”, ka thënë Ahmeti.
Ai gjithashtu ka shtuar se duhet hetuar edhe kontratat e kaluara dhe të u pamundësohet konkurrimi i kompanisë së Devollëve në tenderin për qumësht.
“Ka mundësi që tash para zgjedhjeve i kanë dhënë zor t’i përfundojnë disa kontrata me Devollin por Policia dhe Prokuroria duhet të veproj që të hetohet kontrata e vitit të kaluar, tenderin e vitit të kaluar, keqpërdorimi i 530 mijë eurove dhe të hetohen kontratat e kaluara me të njëjtën kompani dhe mandej Prokuroria të marr vendim për zyrtarët që i kanë shkaktuar dëm buxhetit të komunës së Prishtinës dhe njëkohësisht të ndermirën masa që sigurisht kur kuptohet se ka qenë manipulim tenderi të u pamundësohet konkurrimi i kompanisë së se Devollëve në tenderin për qumësht”, ka thënë ai.
Shpërndarja e shujtave, kifle dhe qumësht falas për nxënësit e klasave 1 deri 5 në të gjitha shkollat fillore të komunës së Prishtinës ka filluar në vitin 2015./arbresh.info/
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit
Vuçiq: Kosovën do ta çnjohin edhe shtete tjera
Putin thotë se bisedimet e mundshme me Ukrainën mund të mbah...
Liverpooli fiton ndaj Leicesterit dhe shkëputet në tabelë
Abdixhiku thotë se 40 mijë mërgimtarë e mbështesin LDK-në: S...