Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), sot, më 27 mars 2024, në Paris të Francës, ka mbajtur takimin e vet të jashtëzakonshëm me të vetmen pikë të rendit të ditës, “Opinioni statutor për aplikimin e një shteti për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, që konkretisht ka të bëjë me aplikimin e Kosovës.
Fillimisht për këtë pikë foli raportuesja për Kosovën, Theodora Bakoyannis, e cila para të pranishmeve prezantoi raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, përmes së cilit ajo fton Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës që të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e kësaj organizate, përcjell Arbresh.info.
Pas prezantimit të raportit dhe reflektimeve pajtuese dhe mospajtuese nga disa nga anëtaret e këtij komiteti, raporti u hodh ne votim dhe mori shumicën absolute të votave.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në APKE, Saranda Bogujevci, kryesuese, Arben Gashi dhe Enis Kervan, anëtarë, si dhe Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, zëvendësanëtarë.
Para të pranishmeve foli edhe Kryesuesja e Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE, Saranda Bogujevci, e cila pasi falënderoi raportuesen Bakoyannis dhe të gjithë ata që kanë mbështetur raportin, tha se “për mua sot është një ditë qe me sjell emocione të veçanta dhe krejt ndryshe nga ato që pikërisht sot, 25 vjet me parë unë isha në një situatë tjetër, ndërsa, sot 25 vjet pas, gjendem plotësisht në një situatë me ndryshe, jo vetëm unë por i tërë populli i Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Pra ky është një proces shumë i rëndësishëm për popullin e Kosovës, për popullin tim, dhe kjo i përfshinë të gjithë pa dallim përkatësie etnike, meqë ky vendim nuk është vetëm në interes të Kosovës, por edhe në interes të asaj se çka do t’i ofrojmë ne kësaj organizate”.
Raporti do të procedohet për votim në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili i paraprin edhe votimit nga Komiteti i Ministrave.
Sesioni i radhës i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të mbahet më 15-19 prill 2024.
Kosova ka aplikuar për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës me 12 maj të vitit 2022./Arbresh.info/
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...
Fejohet Kida, merr propozim për martesë nga i dashuri i saj
Mbappe dhe Valverde të “pamëshirshëm”, realizojnë dy supergo...
Tottneham dhe Liverpool mbyllin xhiron e 17-të, këto janë 11...
Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Kr...