Nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt sot takimi i radhës i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, me qëllim të shënimit të 20 Nëntorit – Ditës Botërore të Fëmijëve.
Në adresimin e tij, para anëtarëve të Komitetit Ndërministror për të Drejta të Fëmijëve dhe të tjerëve të pranishëm në këtë takim, kryeministri Kurti tha se janë bashkë sot, e të përbashkuar çdo ditë në bindjen se investimi për fëmijët është rruga e duhur për ndërtimin e së ardhmes së qëndrueshme. “Fëmijët janë themelet e jetës, andaj përpjekjet tona janë maksimale, e angazhimi ynë kuptimplotë, për të rritur breza të shëndoshë e të edukuar”, u shpreh ai.
Për barazi e mundësi të barabarta, kryeministri tha se po rrisim mbështetjen nëpërmjet politikave sociale, duke u siguruar që askush të mos mbetet mbrapa. Që çdo fëmijë të rritet në mjedis të sigurt, që u mundëson përmbushjen e potencialit të tyre të plotë.
Kryeministri përmendi bërjen e politikave të reja për fëmijët dhe familjen. Ndarja e shtesave për fëmijët për herë të parë që prej pasluftës. Nënave lehona gjithashtu. Është bërë dyfishimi e trefishimi i shtesave për fëmijë dhe nënat lehona. Kemi krijuar masën e punësimit “Qeveria për Familjet”, e për fëmijët pa kujdes prindëror i kemi rritur pagesat e rregullta mujore. Me ligjin e ri për Shërbimet Sociale dhe Familjare, për herë të parë po e mundësojmë strehimin për familjarë për fëmijë dhe të rinj deri në moshën 26-vjeçare.
Për mirëqenie e shëndet, janë bërë investime kapitale në klinika, spitale e specializime të reja, përfshirë transformimin e katër reparteve në Klinikën e Gjinekologjisë dhe ofrimin e tre shërbimeve të reja, renovimin e Klinikës së Psikiatrisë së fëmijëve dhe të adoleshentëve, si dhe funksionalizimin e Repartit të Pediatrisë në Mitrovicë. Përmes programit për vizitat e nënave e fëmijëve, dhe vaksinimin e fëmijëve sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, janë realizuar gjithsej 172 mijë vizita në shtëpi, dhe mbi 67 mijë vizita vetëm në vitin 2024. Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar 30 komuna me 30 automjete të cilat përdoren për këto vizita. Po ashtu janë furnizuar me vetura gjashtë Qendra Komunale të Mjekësisë Familjare të qyteteve të mëdha. Janë krijuar programet “Sporti në shkolla”, “Arti në Shkolla” dhe atë “Drejt Malit”. I kemi subvencionuar materialet shkollore për nxënës. Për herë të parë kemi bërë rishikimin dhe përmirësimin e teksteve mësimore për lëndët e Gjuhës Shqipe dhe Matematikës për klasat I-IX, ku siç dihet janë gjetur defekte të cilat më përkushtim dhe në mënyrë sistematike po korrigjohen. Fëmijëve me nevoja të veçanta po iu ofrojmë asistentë. Stigma dhe diskriminimi nuk kanë vend në shkollat e Kosovës e në shoqërinë tonë.
Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Kurti tha se Qeveria jonë është duke punuar të sjellë ndryshime thelbësore, që ndërlidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve, pa dallim përkatësie e aftësie.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se ky takim është një simbolik e qëlluar, por është edhe një dëshmi e përkushtimit tonë si individë, si institucione dhe si qeveri, që Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve e zhvillon këtë takim, në këtë ditë të shënuar në përvjetorin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 20 nëntor 1959.
Ndërkaq, Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, tha se qëllimi i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, është zbatimi i politikave, progresin, sfidat dhe të legjislacionit në përgjithësi, por në të njëjtën kohë për të thelluar dhe koordinuar bashkëpunimin tonë ndërinstitucional dhe organizatat e shoqërisë civile.
Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vaschenko, tha se Dita Botërore e Fëmijëve, është dita për të festuar progresin dhe për të qenë të vetëdijshëm për sfidat që kanë mbetur dhe për të rikonfirmuar përkushtimin tonë ndaj jetës së fëmijëve. Ajo shtoi se në Kosovë duhet të pranojmë arritjen që është bërë për fëmijët gjatë kësaj kohe.
Donjetë Kelmendi, Drejtore ekzekutive e Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë (KOMF), tha se për ta kjo ditë shërben si ditë reflektimi dhe në të cilën vazhdojmë thirrje tona karshi institucioneve, qeverisë, komunave. Sa i përket mirëqenies sociale, ajo tha se si KOMF e njeh progresin e bërë në vitin 2024, duke iu referuar rritjes së shtesave për fëmijë, dhe progresin rreth reformës së asistencës sociale, e cila më në fund pas 20 vjetëve po trajtohet diskriminimi që i është bërë fëmijëve në përfitimin e asistencës sociale. Te kjo fushë, ajo parashtroi kërkesat e koalicionit në lidhje me shërbimet sociale, të cilat në masë të madhe mbeten në varësi nga programet dhe donacionet ndërkombëtare, duke e parë atë si një çështje që duhet adresuar nga institucionet e vendit, sidomos nga komunat të cilat edhe e kanë përgjegjësinë kryesore për mirëmbajtjen dhe financimin e këtyre shërbimeve. Znj. Kelmendi, gjithashtu tha se KOMF vlerëson shumë faktin që qeveria ka rritur buxhetin për shërbime sociale, nga 1.5 në 2.5 milionë euro për vitin 2025, gjë që do të ndihmojë për një funksionalizim më të mirë të shërbimeve, teksa theksoi si arritje të rëndësishëm edhe rritjen e buxhetit për shëndetësi, përkatësisht listën e barnave esenciale, dhe zgjerimin e kalendarit të vaksinimit. Ajo nënvizoi nevojën për ofrimin shërbimeve parandaluese ose rehabilituese për fëmijët që janë përdorues të substancave narkotike, si dhe shërbimeve për shëndetin mendor të fëmijëve.
Ndërkaq, në fund të këtij takimi kryeministri Kurti bashkëbisedoi me fëmijë avokues për të Drejtat e Fëmijëve, nga të cilët pati kërkesa për mbështetje dhe gjithëpërfshirje si dhe në realizimin e të drejtave të tyre. Ata hapen tema të ndryshme si arsimi, siguria, digjitalizimi, shëndeti, për të cilat kryeministri ofroi mbështetjen e tij të plotë dhe të Qeverisë që udhëheq, në përmirësimin dhe avancimin e të drejtave të të gjithë fëmijëve në Kosovë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Mirë se po ritakohemi në mbledhjen e Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve, e në shënim të 20 Nëntorit – Ditës Botërore të Fëmijëve.
Jemi bashkë sot, e të përbashkuar çdo ditë në bindjen se investimi për fëmijët është rruga e duhur për ndërtimin e së ardhmes së qëndrueshme. Fëmijët janë themelet e jetës, andaj përpjekjet tona janë maksimale, e angazhimi ynë kuptimplotë, për të rritur breza të shëndoshë e të edukuar.
Për barazi e mundësi të barabarta, po rrisim mbështetjen nëpërmjet politikave sociale, duke u siguruar që askush të mos mbetet mbrapa. Që çdo fëmijë të rritet në mjedis të sigurt, që u mundëson përmbushjen e potencialit të tyre të plotë.
Për këtë kemi bërë politika të reja për fëmijët dhe familjen. Fëmijëve po u ndajmë shtesa për herë të parë që prej pasluftës. Nënave lehona gjithashtu. Është bërë dyfishimi e trefishimi i shtesave për fëmijë dhe nënat lehona. Kemi mbi 410 mijë fëmijë dhe mbi 62 mijë nëna lehona që po mbështeten. Kemi krijuar masën e punësimit “Qeveria për Familjet”, e për fëmijët pa kujdes prindëror i kemi rritur pagesat e rregullta mujore. Me ligjin e ri për Shërbimet Sociale dhe Familjare, për herë të parë po e mundësojmë strehimin për familjarë për fëmijë dhe të rinj deri në moshën 26-vjeçare.
Për mirëqenie e shëndet, kemi bërë investime kapitale në klinika, spitale e specializime të reja, përfshirë transformimin e katër reparteve në Klinikën e Gjinekologjisë dhe ofrimin e tre shërbimeve të reja, renovimin e Klinikës së Psikiatrisë së fëmijëve dhe të adoleshentëve, si dhe funksionalizimin e Repartit të Pediatrisë në Mitrovicë. Përmes programit për vizitat e nënave e fëmijëve, dhe vaksinimin e fëmijëve sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, janë realizuar gjithsej 172 mijë vizita në shtëpi, dhe mbi 67 mijë vizita vetëm në vitin 2024. Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar 30 komuna me 30 automjete të cilat përdoren për këto vizita. Po ashtu janë furnizuar me vetura gjashtë Qendra Komunale të Mjekësisë Familjare të qyteteve të mëdha. Po kujdesemi edhe për shëndetin fizik dhe kreativitetin artistik e njohuritë gjithnjë e më të gjëra, përvojat më të larmishme të nxënësve, dhe të gjitha këto përbrenda mësimit dhe aktiviteteve shkollore. Kemi krijuar programet “Sporti në shkolla”, “Arti në Shkolla” dhe atë “Drejt Malit”. I kemi subvencionuar materialet shkollore për nxënës. Për herë të parë kemi bërë rishikimin dhe përmirësimin e teksteve mësimore për lëndët e Gjuhës Shqipe dhe Matematikës për klasat I-IX ku siç dihet janë gjetur defekte të cilat më përkushtim dhe në mënyrë sistematike po korrigjohen. Fëmijëve me nevoja të veçanta po iu ofrojmë asistentë. Stigma dhe diskriminimi nuk kanë vend në shkollat e Kosovës e në shoqërinë tonë. Andaj po angazhohemi bashkërisht që fëmijët me nevoja të veçanta të jenë të mirëpritur në çdo mjedis anë e mbanë vendit tonë, tërë kohën si dhe në çdo hapësirë publike.
Qeveria jonë është duke punuar të sjellë ndryshime thelbësore, që ndërlidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve, pa dallim përkatësie e aftësie. Jemi të përkushtuar në përmbushjen e obligimeve të përcaktuara në Konventën për të Drejtat e Fëmijës, si dhe të traktateve e standardeve të tjera ndërkombëtare. Të gjithë e dini që tash e pesë vjet Kosova e ka ligjin për mbrojtjen e fëmijës dhe ky ligj për mbrojtjen e fëmijës natyrisht që i përmend edhe instrumentet për mbrojtjen e fëmijës ato janë: Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të njeriut dhe protokollit të saj, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile, Politike dhe Protokollet e saj, Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave Kombëtare, Konventat për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor, Konventa për Eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj Gruas, Konventa për të drejtat e Fëmijës dhe Konventa kundër torturës dhe trajtimeve, nënshtrimeve të tjera mizore, jo njerëzore dhe poshtëruese. Të nderuar pjesëmarrës.Të dashur fëmijë, brengat dhe shqetësimet tuaja, janë edhe tonat. Shumëçka është bërë, por edhe më shumë duhet të bëhet. U jemi mirënjohës të gjithëve për angazhimin e secilës e secilit dhe për kontributin e deri tanishëm. Ne do të vazhdojmë të ju përkrahim edhe në vijim, e si asnjëherë më parë./Arbresh.info
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit