Familjet e 1,658 personave, të cilët u zhdukën në lidhje me konfliktin e armatosur të viteve 1998-1999 në Kosovë, ende vazhdojnë t’i kërkojnë familjarët e tyre.
Viteve të fundit, është arritur shumë pak përparim për të sqaruar fatin e tyre; në fakt, procesi është ngadalësuar mjaft.
“Vitet kalojnë, por koha nuk lehtëson dhembjen e familjeve. Shumë nga familjarët janë plakur dhe nuk ndihen mirë me shëndet”, tha Christine Beerli, nën-kryetare e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC). “Familjet kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me familjarët e tyre. Vuajtja e tyre nuk duhet të injorohet.”
Beerli iu drejtua pjesëmarrësve të një tryeze të rrumbullakët që u mbajt sot në selinë e KNKK-së në Gjenevë. Kjo tryezë u organizua me qëllim revitalizimi të çështjes së personave të zhdukur përmes diskutimit se çfarë duhet bërë tutje për këtë çështje humanitare tejet brengosëse që paraqet burim ankthi të madh për familjet e prekura. Tryeza u organizua në pjesëmarrje të anëtarëve të delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës pranë grupit punues për persona të zhdukur dhe përfaqësuesve të shoqatave familjare për persona të zhdukur. Grupi punues është themeluar në vitin 2004 dhe kryesohet nga KNKK. Mbi 1,800 raste të personave të zhdukur janë zgjidhur si rezultat i përpjekjeve të këtij grupi.
“Autoritetet e të dy anëve duhet t’i intensifikojnë përpjekjet, edhe sipas obligimeve të tyre, dhe të ndërmarrin gjithë çfarë është e mundur për të siguruar të gjitha informatat e domosdoshme,” tha Beerli. “Edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë që t’i përkrahë përpjekjet e autoriteteve në rrafshin humanitar.”
Në këtë tryezë të rrumbullakët, KNKK përsëriti zotimin për t’u siguruar përgjigje familjeve të personave të zhdukur. Informatat që KNKK pranoi nga arkivat kombëtare dhe ndërkombëtare kanë luajtur rol vendimtar në zgjidhjen e më shumë se 70 % të të gjitha rasteve të personave të zhdukur gjatë tetë viteve të kaluara. KNKK gjithashtu u zotua t’i përkushtojë më shumë resurse hulumtimit të arkivave në të ardhmen; në lidhshmëri me këtë, KNKK potencoi se llogarit në bashkëpunimin dhe përkrahjen e të gjithëve. Autoritetet në Beograd dhe Prishtinë u inkurajuan që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm për të përshpejtuar procesin e kërkimit dhe të sigurojnë përkrahjen shumë të nevojshme për grupin punues.
PDK dënon sulmin në Zveçan: Përpjekje e qartë për të frikësu...
Jep dorëheqje ministrja britanike e Transportit, kishte mash...
Anisa dhe Driloni bisedojnë për dashurinë
Sindikalistët e shëndetësisë njofton për protestën e radhës ...
Dy shqiptarë të nominuar për çmimet vjetore të FIFA-s
Rumania fillon rinumërimin e votave pas akuzave për shkelje ...