Zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti ka bërë të ditur se në takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nuk është adresuar rekomandimi i Asamblesë Parlamentare në lidhje me aplikimin e Kosovës.
Sipas tij, qëndrimi i disa vendeve që Kosova duhet të pranoj draft-statusin për themelimin e Asociacionit, bëri që pika e Kosovës për mos vendoset sot në agjendën e ministrave të Jashtëm, përcjell Arbresh.info.
Postimi i plotë:
Në takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i mbajtur në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, nuk u adresua rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës.
Megjithëse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Ministerialit të 17 majit, qendrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draft statutin e Miroslav Lajcak për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, bëri që pika e Kosovës të mos vendoset sot në agjendën e ministrave të jashtëm.
Në dy vitet e fundit shqyrtimet e detajuara të disa instancave të Këshillit të Evropës kanë konfirmuar që Kosova duhet të behët anëtare e kësaj organizate. Në këtë periudhë të shkurtë, procesi i anëtarësimit shënoi përparim të jashtëzakonshëm:
Në shtator të vitit 2022, Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës konfirmoi që nuk ka asnjë pengesë ligjore që Kosova të bëhet anëtare e plotë, sipas nenit 4, pra si shtet evropian;
Në tetor të vitit 2022, për herë të parë u fitua e drejta e fjalës për delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës;
Në prill të vitit 2023, Komiteti i Ministrave miratoi fillimin e procedurës së anëtarësimit. Ky sukses u arrit pas sigurimit të më shumë se 2/3 të votave të nevojshme në favor dhe pas konstruktivitetit të 5 nga 12 vendet mosnjohëse në këtë organizatë;
Në nëntor 2023, pas vizitës fakt-mbledhëse dhe analizës së detajuar të Kushtetutës dhe sistemit ligjor të Kosovës, Juristët Eminent konfirmuan që Kosova i plotëson standardet e Këshillit të Evropës, madje në disa çështje i tejkalon standardet ndërkombëtare;
Në mars të vitit 2024, tri raportueset politike të drejtuara nga Dora Bakoyannis konfirmuan që Kosova ka plotësuar të gjitha parakushtet e nevojshme dhe duhet të bëhet anëtarë e plotë e organizatës;
Në prill të vitit 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi opinionin e saj ku bën thirrje për anëtarësimin e Kosovës pa asnjë parakusht shtesë. Opinioni u votua me mbi 80% të votave në favor të anëtarësimit.
Pra, tashmë nuk mbetet asnjë hap tjetër përveç votimit përfundimtar nga ministrat e jashtëm, sipas Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Por, ka gjasë që ky votim të shtyhet. Shtyerja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft Statutin e Lajcakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel.
Ky kusht i ri, i vonshëm e jo zyrtar, nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Nëse ka një gjë nga Marrëveshja Bazike e Brukselit që do të mund të lidhej me anëtarësimin në Këshillin e Evropës është neni 4 i saj, me të cilin Serbia është pajtuar që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Siç dihet, ky nen është shkelur disa herë nga Serbia dhe kjo shkelje ka mbetur çdo herë e pa adresuar nga Bashkimi Evropian.
Shtyerja eventuale do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre. Për më tepër, shtyerja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit. Porosia se përputhja me vlerat e parimet dhe plotësimi i standardeve, kritereve, kushteve e parakushteve nuk janë faktorët e duhur apo të mjaftueshëm për progres në integrim në institucionet evropiane, por përmbi këto vlerësohet potenciali destabilizues, do t’i inkurajojë liderët hegjemon në rajonin tonë përsëri, siç u inkurajuan nga pandëshkueshmëria dhe përkdhelja vitin e kaluar.
Sidoqoftë, progresi në dy vitet e fundit në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i pakthyeshëm. Kosova tashmë ka të gjitha vlerësimet e nevojshme dhe mëse pozitive nga të gjitha instancat relevante të kësaj organizate. Ajo pashmangshëm do të jetë anëtare e plotë, e barabartë mes të gjitha anëtareve të tjera, si rezultat i meritës së saj./Arbresh.info
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...