Kanë kaluar më shumë se një vit që kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është bllokuar, pasi që në mars të 2018-tës ka përfunduar mandati i anëtarëve të këtij organi.
E emërimin e anëtarëve të rinj e pati vonuar presidenti Hashim Thaçi, i cili pas disa muajsh bllokade iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse grupet parlamentare që janë formuar pas zgjedhjeve duhet të kenë përfaqësues në KQZ.
Por kërkesën e Thaçit e pati refuzuar Kushtetuesja duke thënë se kjo çështje nuk është në kompetencën e saj dhe se tashmë ekziston një sqarim i Gjykatës Kushtetuese për atë se çka konsiderohet grup parlamentar.
Megjithatë as pas këtij vendimi, presidenti Thaçi nuk arriti që të dekretoj emrat e rinj të anëtarëve të KQZ-së.
Përderisa presidenti nuk i emëron anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ky institucion vazhdon të mbetet jashtë funksionit.
Lidhur me këtë lajmi.net ka dërguar pyetje në presidencë, por që nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje.
Në anën tjerë, përfaqësuesit e partive politike në KQZ, mosdekretimin e tyre nga ana e presidentit Thaçi e quajnë antikushtetuese.
Ata madje thonë se mbajtja peng e KQZ po bëhet për interesa të politikës ditore dhe në funksion të pazareve politike që po bëhen.
Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë për lajmi.net se ende nuk e din e kur presidenti Thaçi do t’i dekretojë ata. Derisa shton se për shkak të kësaj shumë pune kanë ngecur dhe nuk po mund të përfundohen.
“Janë bërë gati një vit që kur KQZ-ja është pa mandat, nuk kemi informata as ndonjë njoftim se kur do të dekretohemi. Nga 27 marsi i viti të kaluar puna në KQZ është e bllokuar për shkak se nuk ka mandat. Dmth nuk ka fuqi ligjore. Ajo ka qenë data e fundit me të cilën ka qenë funksionale KQZ-ja dhe që nga ajo datë nuk është funksionale. E gjitha është në dorën e presidentit. Kërkesat që i ka bërë partive politike, nominimet kanë shkuar. Është krejt në dorën e Presidenti. Është një situatë ku ne nuk mund të marrim vendime, edhe është keq, kërkesat të cilat kanë ardhur edhe për zëvendësime të asamblistëve, edhe planet e punës dhe shumë punë të tjera të cilat nuk mund të kryhen pa u mandatuar KQZ-ja”, ka thënë Hamiti.
Kurse, Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se kjo që po bënë presidenti Thaçi përveç që është në kundërshtim me Kushtetutën, siç thotë ai, është duke e cenuar rëndë edhe integritetin e KQZ-së si një institucion i pavarur dhe kushtetues
“Në mars bëhet një vit nga kur KQZ-ja është defunksionalizuar dhe një vit e gjysmë nga kur është dashur që përbërja e KQZ-së të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit të 2017. Krejt kjo është pasojë e papërgjegjësisë së Presidentit, i cili nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij kushtetuese. Mbajtja peng e KQZ po bëhet për interesa të politikës ditore dhe në funksion të pazareve politike që po bëhen”, ka thënë Rrustemi.
Sipas tij, Presidenti po synon ta zgjeroj artificialisht, pa të drejtë dhe pa bazë përfaqësimin e PAN-it, “ngase pjesë të PAN-it juridikisht ishte PDK, AAK Nisma dhe PSD, në kuptimin juridik në përfaqësimin në KQZ këto janë një subjekt i vetëm dhe ju takojnë 2 anëtarë e jo 4, ashtu si Vetëvendosjes dhe LDK-së që ju takojnë nga 2 anëtarë”, thotë tuje ai.
“Kjo sjellje e papërgjegjshme e Presidentit tashmë e ka dëmtuar KQZ si institucion, por edhe ka bllokuar shumë vendime e aktivitete tjera të KQZ-së. Dhjetar asamblistë të komunave të ndryshme presin që një vit për t’u zëvendësuar e shumë projekte për t’u realizuar”, ka thënë Rrustemi.
Në anën tjetër, Muzllum Baraliu, që dikur e ka udhëhequr KQZ-në, ka thënë për lajmi.net se mosmandatimi me kohë i anëtarëve të KQZ-së, në këtë rast paraqet moskryerje të obligimeve ligjore dhe kushtetuese, jo vetëm nga ana e presidencës, por edhe nga grupet parlamentare edhe nga subjektet politike
“Kjo gjendje së pari është shkelje e Kushtetutës, mos mandatimi i me kohë i anëtarëve të KQZ-së dhe strukturës së përgjithshme duke përfshirë edhe kryesuesin e KQZ-së, në këtë rast paraqet mos kryerje të obligimeve ligjore dhe kushtetuese, jo vetëm nga ana e presidencës por edhe nga grupe parlamentare edhe nga subjektet politike. Nga të cilët duhet të rekrutohen anëtarët përkatës varësisht sipas ligjit qe i takon në Komisionin Qendrorë Zgjedhorë dhe kështu me radhë”, ka thënë Baraliu.
Baraliu po ashtu ka thënë se, edhe pse do të duhej ta bënte KQZ-ja ende asnjëherë deri më sot nuk ka reaguar lidhur me gjendjen aktuale.
“Edhe vetë KQZ duhet që të reagonte, ne nuk kemi parë asnjëherë një reagim të KQZ-së për të ngritur zërin publik që të thonë se nuk mund t’i ushtrojnë detyrat me mandatin përkatës për shkak se nuk janë funksional. Unë nuk di se si mundet të qëndroj dikush aty të marrë benificionet përkatëse dhe të mos bëjë asnjë punë sepse nuk ka legjitimitet. Nuk kanë të drejt të veproj sepse nuk janë të mandatuar, nuk janë kompetent dhe nuk kanë të drejtë të vendësin për asgjë. Ndërkohë që çdo ditë mund të ketë një gjendje si rrëzimi i Qeverisë, dhe mund të ketë zgjedhje për 45 ditë të tjera më vonë, pra mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Baraliu.
Kujtojmë se KQZ-ja më shumë se një vit ka mbetur e bllokuar dhe nuk ka mbajtur asnjëherë mbledhje, ndonëse anëtarët e saj vazhdojnë të marrin paga.
Kjo ka bërë që shumë punë të grumbullohen, sikur që janë dhjetëra kërkesa për zëvendësimin e asamblistëve nëpër komuna dhe zëvendësimi i një deputeti të Kuvendit të Kosovës.
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek
Stabiliteti në rajon, temë diskutimi mes homologëve Konjufca...
Nis ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë, Rama prezanton proj...
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...
Ylli ndërprenë bashkëpunimin me tre lojtarë