Komisioni për Viktimat e Dhunës Seksuale zvarrit procesin, viktimat në ankth të dyfishtë

14:50 | 9 Qershor 2019
A Z
Nga muaji shkurt i vitit të kaluar, prej kur ka filluar punën Komisioni për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, rreth një mijë e 100 persona kanë aplikuar për këtë status. Por, më pak se gjysma kanë filluar të gëzojnë këto benificione. Pensionin si viktimë e dhunës seksuale, kanë arritur ta marrin rreth 400 persona, ndërsa rreth 130 prej tyre janë refuzuar.

Institucionet e Kosovës po punojnë shumë ngadalë për verifikimin e tyre, e aq më pak për të dënuar kryesit e veprës. Të paktën kështu thonë organizatat që trajtojnë këto raste.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti thotë se procesi i njohjes ligjore të kësaj kategorie, është duke shkuar shumë ngadalë, për çka sipas saj, viktimat po përjetojnë ankth dhe tension të dyfishtë.

“ Praktikisht kanë dalur disa shqetësime dhe disa sfida që po e vonojnë procesin dhe vendimmarrjen, që kur kemi të bëjmë me plagë 20 vjeçare, normalisht që nuk është e lehtë, megjithatë mendoj që këto sfida këto vështirësi në proces duhet me u adresu në mënyrë më serioze për faktin se ka viktima që po presin 1 vit për këtë proces, po i mbanë ato në tension, po i mbanë ankth, po ia vështirëson jetën, por edhe po i dekurajon të tjerat për me apliku. Pra, në qoftë se ne si organizatë dhe si shoqëri dhe si politikëbërje po mendojmë që këtë cështje me adresu edhe në nivel të Beogradit, në dialog por edhe më larg, tash vet ky mekanizëm që e kanë kriju shteti për t’i ndihmuar po shkon pak si me vonesë për cka po ua vështirëson edhe jetën”, thotë Rushiti.

Për rastet që u është refuzuar kërkesa për statusin, thotë se vijnë kryesisht nga burime të tjera si rast, e jo përmes organizatave, pra mungesë e dëshmive të mjaftueshme.

Në raste të tilla, sfidë për viktimat është edhe ballafaqimi me Gjykatat.

Sipas, Rushitit procesi përmes këtyre të fundit po i demotivon edhe më shumë viktimat.

Ajo ka kërkuar që periudha e shqyrtimit të këtyre ankesave, të jetë në periudhë më së shumti gjashtë mujore, e jo siç është praktikë me vite të tëra.

Në të kundërtën, viktimat nuk do të kenë mundësi të aplikojnë për herë të dytë. Por, edhe paraqitja në gjykata, është një shqetësim në vete për organizatat dhe vetë viktimat.

“Në gjykatë me plot të drejtë na thonin edhe kur takonim kryesuesin e Gjykatës Themelore, që këtu kur personat kur vijnë duhet të kenë emër e mbiemër. Derisa këtu janë të mbrojtura si dokumente me ligjin për mbrojtjen e të dhënave, janë dokumente të klasifikuara, duhet me gjetë formë edhe mënyrë si me shku përmes kodeve, se Kosova është vend i vogël aty në sportel mund të jetë rasisht një i afërm i një personi që mund të ankohet “, deklaron ajo.

Sipas Rushitit, formulari i përpiluar është po ashtu një traumë në vete për vet viktimën, sepse si i tillë, i kthen në kohë ato, duke kujtuar kështu vendin e krimit, personat prezent, e po ashtu tmerrin e përjetuar 20 vjet më parë.

Çështja e ankesave dhe paraqitjes në gjykata, është shqetësim edhe për Avokatin e Popullit, Hilmi Jasharin.

Mes tjerash, ai thotë se si institucion kanë pranuar edhe ankesat të tjera në vendimet që po merren nga komisioni.

“Sa i përket komunikimit të autoritetit dhe palës nuk diskutohet që ato duhet të jenë të hapura, sepse bëhet fjalë për statusin e personit. Publikimi i të dhënave eventualisht ruajtja e të dhënave ka të bëjë me palët e treta që mund të përfshihen në proces, që mund të jenë qytetar të zakonshëm apo një autoritet. Dhe nëse këtu dorëzohen atëherë kemi të bëjmë me cenimin e kësaj të drejte, por kurrsesi në relacion me komisionin apo… megjithatë ekzistojnë teknika që e mundësojnë një korrospodim më të lehtë, për të ruajtur prej presionit eventual që mund të ndodh nëse ato duhet të paraqiten fizikisht para gjykatave”, thotë Jashari.

Gjatë këtij procesi të njohjes ligjore të viktimave të dhunës seksuale, Jashari thotë se janë identifikuar edhe kryerësit e veprës, për çka thotë se i kanë rekomanduar komisionit që në mënyrë të menjëhershme t’ia përcjellë Prokurorisë së Shtetit dhe të ushtrojnë kallëzime penale.

Ankesa për punën e komisionit, ka edhe vetë e mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman.

Sipas saj, limiti prej pesë vitesh, sa është mandati i këtij komisioni, është i panevojshëm.

“Punët janë duke shkuar shumë ngadalë, tashmë kanë shkuar veçse 14 muaj, janë dorëzuar 1000 aplikacione edhe deri më tani nuk janë marrë as 500. Kështu që janë duke shkuar shumë ngadalë.. Është puna edhe tek verifikimi, kërkojnë shumë deklarata, shumë dëshmi që kanë ndodhur raste para 20 vitesh. Unë jam ballafaquar vet me ato dëshmi që m’i kanë kërkuar. Edhe pse janë krejt dokumentet në tri gjyqet e Kosovës. Donin të merrshin prapë dëshmitarë në pyetje. Duhet të trajnohet komisioni që të sillen më mirë edhe me viktimat, por edhe me shpejt me ec procesi”, shprehet Krasniqi-Goodman.

Anëtarja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Teuta Haxhiu vlerëson se këto vonesa, kanë të bëjnë me neglizhencën e komisionit.

“Edhe sot e them që është vërtetë punë shumë e ngadaltë. Derisa vazhdimisht ne kemi kërkuar së pari ligjin për rastet e dhunuara, por njëkohësisht gjithçka ka shkuar në kuadër të Qeverisë edhe me buxhetin, tani më e kemi një komision i cili vërtet punon shumë ngadalë. Në aspektin e angazhimit të tyre profesional ata e kanë thënë disa herë në komision, por për mua është krejtësisht e parëndësishme nëse ata janë shumë të ngarkuar, më mirë është të jenë njerëz kompetent duke mos e kontestuar kompetencën e tyre, por thjeshtë në kohën se sa ata kanë hapësirë kohore për të punuar për të shqyrtuar rastet e dhunuara. Thjeshtë është një neglizhencë shumë e madhe e komisionit, nëse komisioni nuk ka kërkuar prej komisionit tonë qoftë edhe një shkresë të vetme që të kërkojë qoftë plotësim të ndonjë kërkese të tyre në mënyrë që të shqyrtohen sa më shpejt rastet”, deklaron ajo.

Ajo i bën thirrje komisionit për verifikim që t’i drejtohen komisionit për barazi gjinore në mënyrë që të punojnë bashkarisht në plotësimin e nevojave të tyre, kërkesave të tyre, në mënyrë që të përshpejtohet shqyrtimi i rasteve.

Pavarësisht kësaj, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka vënë në dyshime se mund të manipulohet edhe në rastin e përfitimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Një ligj i cili është shkruar me një qëllim të mirë, por ka pasur pengesa nga politika. Ndryshimi i Ligjit, të vitit 2014 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarë vetë UÇK-së dhe viktimave civile ju ka dhënë status zyrtarë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Përmes dëshmive të guximshme të mbijetuarve si Vasfije Krasniqi Goodman dhe të tjerëve, të mbijetuarit kanë filluar të lajmërohen 20 vjet pas luftimeve dhe ato kanë merita të jashtëzakonshme që e kanë kthyer një ide të rëndësishme në ligj, por ky amandamet i është ngjitur një statusi i cili mohon dhënien e statusit personave që janë prekur pas qershorit të vitit 1999. Organizatat që punojnë me të mbijetuar kanë qartësuar këtë gjatë kohës kur është miratuar ky Ligj… A mundet Kuvendi të bindet për ta ndryshuar këtë ligj, që t’ju shërbejtë gjitha viktimave dhe ngjashëm a do të ju jap kuvendi të mbijetuarëve të dhunës seksuale të njëjtat përfitime sociale dhe financiare si veteranëve të vërtetë e të rremë të UÇK-së, numrat e të cilëve janë shtuar jashtëzkonisht shumë në mënyrë të dyshimtë”, thotë ai.

Minire Begaj – Balaj, që udhëheq komisionin për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, e kontaktuar për disa javë me radhë nga KosovaPress nuk ka qenë e qasshme.

Ndryshe, në luftën e fundit në Kosovë, besohet se janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë gra, vajza, burra e djemë të ri, e gjatë këtyre dy dekadave për tmerrin që kanë përjetuar kanë treguar vetëm dy mijë prej tyre. Ndërkaq, asnjë nga krimbërësit nuk është dënuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme