Mbi 5 mijë euro do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit mëditjet e anëtarëve të Komisionit Hetimor për Rezervat bashkë me tre ekspertët e angazhuar nga ta. Megjithëkëtë, ky komision përfundoi mandatin pa asnjë rezultat. Përveç përplasjeve pozitë-opozitë, komisioni dështoi të kryejë punën për çka ishte themeluar.
Për gjashtë muaj deputetët u mblodhën disa herë, por përveç përplasjeve pozitë-opozitë, agjenda e këtij komisioni nuk arriti të shtyhej para.
Në të dhënat që RTK ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës, anëtarët e këtij komisioni deri më tani janë paguar vetëm për mbledhjet e mbajtura në shkurt. Gjatë shkurtit, kryetari i komisionit Rashit Qalaj nga radhët e PDK-së, mori 540 euro mëditje, nënkryetarja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi 450 euro, Pal Lekaj i AAK-së mori mëditje 270 euro, Ferat Shala i PDK-së dhe Doarsa Kica Xhelili e LDK-së, 180 euro, ndërsa Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve, 135 euro. E që gjithsej i bie se 1,755 euro për vetëm një muaj.
E nga mëditjet hoqën dorë deputetët e LVV-së, Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Metaj-Isufi, Halil Thaçi e Salih Zyba.
Ndërkaq, nga një mijë euro do të paguhen tre ekspertët e angazhuar për këtë komision.
Për mbledhjet e tjera të mbajtura gjatë marsit, ende nuk është marrë një vendim sa u përket mëditjeve.
Pasi dështuan në atë që ishin të thirrur, pozita e opozita fajin po ua hedhin njëra-tjetrës.
“Faktikisht kemi dështuar si komision thjesht për shkak të një qëndrimi politik të LVV-së, i cili ka qenë kundër çdo hetimi për rezervat shtetërore”, tha Rashit Qalaj, deputet i PDK-së.
“Mendoj se kanë bërë lojëra politike dhe jam i bindur se diçka po fshihet. Ajo çfarë mund të them është se kanë qenë pengesë e të gjitha proceseve në këtë komision”, tha Pal Lekaj, deputet i AAK-së.
Por akuzat e opozitës i quajti të pabaza deputeti i LVV-së, Driton Hyseni. “Me bindje të plotë iu them se angazhimin tonë si deputet të pozitës e kemi pasur shumë përmbajtësor dhe të dedikuar për ta bërë punën tonë, aq sa na takon si deputet”, tha Hyseni.
E ata që përcollën punën e këtij komisioni fajësojnë të dy boshtet për dështim.
“Komisioni nuk ka arritur as të fillojë fazën e zhvillimit të hetimeve, e lëre më të zhvillojë punë paksa më cilësore apo përmbajtësore, në kuptim të zhvillimit të hetimeve. Platforma e komisionit nuk është përdorur në formën adekuate ose është keqpërdorur nga dy blloqet e deputetëve”, tha Arbër Thaçi, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës.
Opozita ka njoftuar se Kuvendi i Kosovës tashmë u ka hedhur poshtë kërkesën për vazhdim të mandatit të këtij komisioni.
Sara në darkën e të nominuarve: Driloni është personi më i b...
Sulm me thikë në Mbretërinë e Bashkuar, dy të vdekur e dy të...
Syzet inteligjente Ray-Ban bëhen me “ekrane televizive”
Si të përdorni teknologjinë për të përmirësuar shëndetin?
Cilat aplikacione u harxhojnë më së shumti baterinë e telefo...
Përfitimet e pushimeve të rregullta për shëndetin