Në Komisionin Parlamentar për Buxhet po shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kredinë në mes të Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për Projektin “Banim Social Adekuat”.
Ankesa për këtë projekt patën deputetë të pozitës e opozitës, të cilët po ashtu kritikuan vonesat në realizimin e këtij projekti.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se përveç studimit të fizibilitetit, për këtë projekt nuk ka asnjë studim tjetër të detajuar.
“Kreditë po merren pa përgatitjet e nevojshme e pastaj po shtyhet afati i ekzekutimit të tyre. Marrëveshja është miratuar në Këshillin Administrativ dhe ju e keni nënshkruar në janar. Përgatitjet për këtë projekt janë zero. Është vetëm një studim i fizibilitetit dhe përtej saj nuk ka asnjë studim të realizuar se sa është numri i ndërtesave sociale, sa është kosto, si do të adresohet kjo çështje..”, tha ai.
Informacione shtesë kërkoi edhe deputeti i LVV-së Eman Rrahmani, i cili tha se nuk mund ta mbështesë këtë projekt nëse nuk dihet destinimi i saktë i ndërtesave e informacione tjera të rëndësishme.
“Nuk ka destinim të saktë. Dua te di sa ndërtesa do të ndërtohen në Deçan, sa në Prishtinë. A do të jenë banesat kolektive apo të shpërndara”, shtoi ai.
Ndërsa për projektin më shumë dha informacione zëvendësministri i Mjedisit, Jeton Raka.
Ai theksoi se nuk duhet të bëhet politikë me kategoritë e ndjeshme, pas kritikave që mori nga anëtarët e këtij komisioni.
“Projekti do të zbatohet në komuna. Gjithçka do të jetë transparente, bëhet identifikimi i lokacioneve dhe pas thirrjes publike komunat do të bëjnë analizën e projektit. Sipas Ligjit, komunat kanë përgjegjësi të hartojnë raporte për programet tre vjeçare për banimin social. Janë diku 17 komuna që i kanë këto programe. 7 prej tyre ju ka skaduar programi, tri komuna i kanë vetëm si draft, ndërsa 10 komuna nuk kanë hartuar fare program”, shtoi ai.
Anëtarët e komisionit ftuan ministrin e Financave, Hekuran Murati që të raportojë në lidhje me këtë projekt, andaj edhe nuk i dhanë mbështetje të njëjtit për ta dërguar në seancën e Kuvendit./rtk
Parashikimi i motit për sot
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?