Komisioni hetimor për rezervat shtetërore angazhon tre ekspertë

16:15 | 6 Shkurt 2024
E.K

Komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore ka angazhuar tre ekspertë. Hilmi Jashari është angazhuar për fushën juridike, Hasim Krasniqi, në atë të prokurimit publik, ndërkaq, Lulzim Beqiri për financa.

Anëtarët e komisionit, janë pajtuar unanimisht që nga shtatë kandidatët që kishin aplikuar, të zgjidhen tre ekspertë.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në emër të grupit punues për përzgjedhjen e ekspertëve, ka theksuar se Jashari, Krasniqi dhe Beqiri i plotësojnë kushtet e kërkuara nga komisioni, sa i përket hetimit në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

“Pas shqyrtimit të aplikacioneve të kandidatëve u konstatua njëzëri se tre kandidatë i kanë plotësuar kushtet normale sipas thirrjes publike, andaj propozohen sot për votim në këtë komision, kurse katër kandidatë të tjerë nuk i kanë plotësuar kushtet normale ose teknike. Grupi i propozon komisionin angazhimin e këtyre ekspertëve: Në fushën juridike, Hilmi Jashari, në fushën e prokurimit, Hasim Krasniqi dhe në fushën e financave Lulzim Beqiri. Këta janë tre kandidatët që sipas grupit punues i kanë plotësuar kushtet”, ka deklaruar Lekaj.

Gjithashtu deputetët janë pajtuar që javën e ardhshme të mbahet një punëtori, për hartimin e planit punës./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme