Komisioni Disiplinor i MD-së shkarkon Avokatën Shtetërore

17:24 | 24 Gusht 2023
E.G

Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Drejtësisë ka marrë vendim për shkarkimin e Avokates Shtetërore, I.A.

Kështu bëri të ditur, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu i cili tha se avokatja në fjalë ka dëmtuar institucionet publike në vazhdimësi duke kryer veprime të paautorizuara, shkruan Arbresh.info.

Tutje, Sallahu ka renditur disa nga veprimet e Avokatës Shtetërore të cilat sipas tij, cënojnë interesin public dhe janë të papranueshme.

Ka lidhur ujdi për lëndë pa autorizimin dhe njoftimin e personave përgjegjës; Ka lidhur ujdi për lëndë të avokatëve të tjerë shtetërorë pa i njoftuar as avokatët e as palët; Nuk ka bërë analiza paraprake për ujditë gjyqësore; Ka lidhur ujdi në vlerë prej 505.000,00 eurosh pa e njoftuar Avokaturën Shtetërore dhe Departamentin e shpronësimit, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit; Ka mbrojtur në Gjykatë, Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) në një rast, në të cilin Gjykata Themelore ka marrë Vendim që ka prodhuar obligime financiare për SHKK, Avokatja në fjalë nuk e ka njoftuar fare institucionin dhe lënda ka përfunduar në përmbarim. Ka pranuar Vendimin për një rast në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), për të njëjtin nuk e ka njoftuar MPB-në dhe as nuk ka ushtruar ankesë, duke i krijuar MPB-së obligim financiar prej rreth 7 mijë eurosh. Nuk ka raportuar tek udhëheqësi.”, thuhet në njoftimin e zëvendësministrit Sallahu.

Sallahu e ka mirëpritur këtë vendim teksa ka shtuar se “pandëshkueshmëria ka qenë sëmundja më e përhapur në institucionet publike për shkak të ish pushtetarëve.”/Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme