Google ADS

KOMF: Të drejtat e fëmijëve të përfshihen në programet e kandidatëve për kryetarë

17:15 | 23 Shtator 2017
Arbresh.info

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF përmes një dokumenti me kërkesa, ju është adresuar kandidatëve për kryetarë të komunave, prej të cilëve kërkojmë zotimin se të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtja e tyre do të jenë pjesë e prioriteteve të axhendës qeverisëse në rast të zgjedhjes.

Çfarë nënkupton kjo:

Përfshirjen aktive të fëmijëve në çështjet që i prekin ata, duke konsideruar pikëpamjet e vetë fëmijëve në proceset vendimmarrëse komunale.

Ndarjen e buxhetit të nevojshëm për zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në komunën tuaj.

Zhvillimin dhe zbatimin e një strategjie gjithëpërfshirëse komunale për krijimin e komunës mike për fëmijë, të bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.

Rritjen e cilësisë së arsimit dhe sigurimin e gjithëpërfshirjes dhe qasjes në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës në shkolla.

Krijimin e planeve konkrete për rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Përmirësimin e mbrojtjes sociale për të gjithë fëmijët në nevojë për mbrojtje institucionale, përfshirë fëmijët pa përkujdes prindëror, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët në varfëri, fëmijët e keqtrajtuar dhe të lënë pas dore, fëmijët viktima të shfrytëzimit dhe trafikimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda etj.

Hulumtimin e të dhënave dhe priorizimin për të përcaktuar dominimin e çështjeve të ndryshme brenda komunës. Këto të dhëna duhet të përfshijnë numrin e saktë të fëmijëve në Komunë, numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijët e angazhuar në punë të rrezikshme, fëmijët viktima të dhunës, fëmijët që abuzojnë me substanca narkotike etj.

Krijimin e qasjes së përshtashme dhe mjediseve gjithëpërfshirëse për shërbimet e rehabilitimit, arsimit, kujdesit shëndetësor dhe rekreacionit për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Krijimin apo fuqizimin e mekanizmave të qëndrueshëm llogaridhënës komunal, të pavarur për monitorim, dhe inspektim për kontrollin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme