Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë përmes një komunikate për media është shprehur se edukata seksuale është një pjesë thelbësore e zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve, që sipas këtij koalicioni, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre fizik, emocional dhe mendor.
Përmes një komunikate për media, KOMF bën të ditur se mbështet Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për integrimin e edukatës seksuale në arsimin parauniversitar në Kosovë, mirëpo duke parë çështjet e ngritura ditëve të fundit, ky koalicion kërkon rishikimin dhe redaktimin e teksteve, doracakëve si dhe çdo materiali tjetër që kontribuon në arritjen e rezultateve në këtë fushë, transmeton Arbresh.info.
Reagimi i plotë:
Edukata seksuale është një pjesë thelbësore e zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre fizik, emocional dhe mendor. Një edukim i tillë është vendimtar për t’i ndihmuar ata të kuptojnë ndryshimet trupore, marrëdhëniet, përgjegjësitë dhe kufijtë personalë, duke rritur mundësinë e mbrojtjes nga rreziqet dhe duke i fuqizuar ata për të bërë zgjedhje të shëndetshme dhe të informuara.
Në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, veçanërisht Nenin 17 i cili kërkon që shtetet të sigurojnë qasje për fëmijët në informacione dhe materiale nga burime të ndryshme për përfitimin e tyre shoqëror dhe moral, edukata seksuale përbën një të drejtë të garantuar për fëmijët. Gjithashtu, Neni 19 kërkon që shtetet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur fëmijët nga çdo formë e dhunës dhe abuzimit, duke përfshirë masat edukative për t’i ndihmuar ata të jenë të informuar dhe të mbrojtur.
Në këtë drejtim, KOMF mbështet Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për integrimin e edukatës seksuale në arsimin parauniversitar në Kosovë. Ky integrim reflekton edhe obligimet që burojnë nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës në Kosovë, ku në Nenin 7 përcaktohet e drejta e çdo fëmije për mbrojtje nga çdo formë dhune, abuzimi dhe shfrytëzimi, si dhe e drejta për qasje në arsimim gjithëpërfshirës dhe cilësor, përfshirë edukatën shëndetësore dhe seksuale.
Për më tepër, përfitimet e edukatës seksuale në shkolla janë të shumta dhe përfshijnë parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, parandalimin e shtatzanive të pa dëshiruara, parandalimin e aborteve, parandalimin e braktisjes së fëmijëve, parandalimin e martesave të hershme, etj.
Duke parë rëndësinë e edukatës seksuale tek fëmijët si dhe çështjet e ngritura ditëve të fundit, KOMF kërkon rishikimin dhe redaktimin e teksteve, doracakëve si dhe çdo materiali tjetër që kontribuon në arritjen e rezultateve në këtë fushë. Në këtë mënyrë do të eliminohen edhe mundësitë për keqkuptime dhe interpretime të ndryshme tek profesionistët që zbatojnë këto materiale. Gjithashtu, është e rëndësishme që tekstet, doracakët dhe materialet të jenë të qasshme edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke përfshirë udhëzime të përshtatura dhe materiale të qasshme për ta.
Por nuk duhet të lejohet asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona. Një veprim i tillë jo vetëm do të nënkuptonte mohim të së drejtës themelore të secilit fëmijë për të qenë i informuar dhe i mbrojtur, por edhe do të na largonte nga parimet e Bashkimit Evropian.
Si shoqëri, nuk duhet të lejojmë që fëmijët tanë të privohen nga e drejta për informim dhe për parandalim të dhunës dhe abuzimit seksual. Një edukim i bazuar mbi të drejtat e njeriut dhe shëndetin seksual është thelbësor për t’i përgatitur ata për marrëdhënie të sigurta, si dhe për të krijuar një bazë për zhvillimin e shëndetshëm emocional dhe social të tyre./Arbresh.info
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën