Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF mbajti tryezën e diskutimit: “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës – progresi në zbatimin e tij”. KOMF përgjatë muajve Shtator – Dhjetor 2022, në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, dhe me mbështetje nga UNICEF në Kosovë, me qëllim të sensibilizimit të institucioneve, ka mbajtur një seri të punëtorive në komunat e Republikës së Kosovës me mbi 400 profesionistë që punojnë në mbrojtjen e fëmijëve.
Qëllimi i kësaj tryeze është që të prezantohen sfidat kryesore në zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës të identifikuara gjatë punëtorive dhe të diskutohen rekomandimet konkrete për zbatimin efikas të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Paneli i diskutimit i përbërë nga Donjetë Kelmendi, Drejtor Ekzekutiv në KOMF, Duda Balje, Kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Nona Zicherman, Shefe e Zyrës së UNICEF Kosovë, Naim Qelaj, Avokat i Popullit dhe Vlora Limani Hajnuni, Këshilltare e Ministres së Drejtësisë për çështje sociale dhe familjare, diskutuan mbi të gjeturat e punëtorive, sfidat e paraqitura dhe hapat e ardhshëm drejt implementimit të drejtë të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Përkundër faktit që Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka hyrë në fuqi më 19 Korrik 2020, ky Ligj nuk është duke u zbatuar.
Pjesa dërrmuese e profesionistëve për mbrojtjen e fëmijëve, nuk kanë pasur njohuri për përgjegjësitë që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës dhe as për risitë që ka sjellë ky Ligj, sikurse përkufizimet e reja, mekanizmat institucional, masat dhe sanksionet, etj.
Nga 16 Udhëzimet Administrative të parapara në kuadër të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, vetëm 5 nga to janë miratuar. Mekanizmi kryesor institucional i paraparë në LMF në nivel komunal, Ekipi për të Drejtat e Fëmijës ende nuk është themeluar në të gjitha komunat, përkatësisht ky Ekip është themeluar në 11 Komuna të Kosovës, thuhet në njoftimin për media, transmeton arbresh.info
Shërbimet dhe programet e reja të parapara në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, ende nuk janë themeluar. Ka mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe financiare për zbatim të dispozitave të LMF, si pasojë e mos-prioritizimit dhe mos-ndarjes së buxhetit të nevojshëm për mbrojtje të fëmijës. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë proces të monitorimit apo inspektimit nga asnjë institucion (Kuvendi, Qeveria, Komuna) lidhur me nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtje të Fëmijëve, ka kërkuar:
Dërgimin me urgjencë të Ligjit dhe akteve nënligjore të miratuara tek të gjitha institucionet dhe profesionistët. Miratimin e 11 Udhëzimeve Administrative të mbetura, që burojnë nga Ligji për Mbrojtje të Fëmijës.
Akreditimin e programeve në Institutin e Kosovës për Administratë Publike (IKAP) për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe përfshirjen e trajnimeve për zbatimin e LMF, në kalendarin e trajnimeve si obligim për profesionistët në baza vjetore.
Themelimin dhe funksionalizmin e mekanizmave në nivel qendror dhe nivel komunal, sikurse Këshillin për Mbrojtjen e Fëmijës në nivel qendror dhe Ekipin për të Drejtat e Fëmijës, në nivel komunal.
Themelimin e shërbimeve dhe programeve të reja të parapara në LMF, sikurse shërbimet për trajtimin e fëmijëve përdorues të narkotikëve, mbrojtjen e fëmijëve në konflikt me ligjin pa përgjegjësi penale, mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda, situatë rruge, programet për fuqizim të prindërve për mirë-rritjen e fëmijëve, themelimin e linjës telefonike falas për fëmijë dhe shtëpive për mbrojtjen e fëmijës.
Planifikimin buxhetor adekuat në nivel qendror dhe komunal për ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe financiare për zbatim efikas të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Inspektimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës në komuna, nga autoritet përkatëse për inspektim të nivelit qendror. Monitorimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës nga Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.
Hapet gara ndërkombëtare për linjën hekurudhore Vorë-Hani i ...
Ndërmjetësit intensifikojnë përpjekjet për armëpushim teksa ...
Presidentja e Sllovenisë vizitë zyrtare në Kosovë, policia n...
Kanosi verbalisht zyrtarët policorë, arrestohet gjilanasi
Liga Unike rikthehet sot me sezonin e ri
Lansohet Ankandi i erës 100 MW, Kurti: Ekonomia e Kosovës po...