Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka publikuar Raportin e parë të Monitorimit “Karta e Vlerësimit” – Cili është rezultati i përgjithshëm i Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve? Raporti u publikua në Kuvendin e Kosovës, me prezencën e përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ministrive përkatëse, institucioneve tjera, agjencive ndërkombëtare, organizatave jo qeveritare si dhe partnerëve të tjerë.
Qëllimi kryesor i KOMF përmes këtij raporti është realizimi i monitorimit të pavarur të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të fëmijëve në baza vjetore, të bazuar në fakte dhe dëshmi. Raporti ofron të dhëna për gjendjen e të drejtave të fëmijëve, nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe jep rekomandime, të cilat priten të mbështesin përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Fushat në të cilat është analizuar progresi për politikat, legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe zbatimin e tyre janë: Mirëqenia sociale, Mbrojtja e fëmijës, Shëndeti i fëmijës, Zhvillimi në fëmijërinë e hershme, Arsimi dhe Drejtësia për të mitur.
Vlerësimi i fushave në këtë raport bazohet në sistemin e notimit sikurse notimi i nxënësve në shkollat e Kosovës, nga nota një deri në notën pesë. Raporti është hartuar nga 24 bashkë-autorë, ekspertë nga organizatat anëtare të KOMF, të cilët kanë ofruar vlerësimin e fushave përmes argumenteve konkrete që mbështesin notën e dhënë. Raporti me të gjetura dhe rekomandime u prezantua nga autorë të raportit, z. Gani Lluga, z. Besim Kodra, znj. Remzije Krasniqi dhe znj. Fatmire Haliti.
Notimi i fushave të mbuluara dhe disa nga argumentet konkrete që mbështesin notat janë si në vijim:
Mirëqenia sociale: 2.6
– Transferet sociale kanë ndikim shumë të kufizuar në uljen e varfërisë së fëmijëve dhe familjeve;
– Financim i paqëndrueshëm që rrezikon mbylljen apo uljen e cilësisë së shumë shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet;
– Mungesë e hartëzimit të shërbimeve dhe nevojave të popullatës për shërbime.
Mbrojtja e fëmijëve: 2.5
– Mungesë e shërbimeve parandaluese dhe shërbimeve për reintegrim afatgjatë për fëmijët;
– Sistem i fragmentuar i mbrojtjes së fëmijëve, shërbimet në mes të sektorit të arsimit, mirëqenies dhe shëndetësisë nuk janë të integruara;
– Identifikim, raportim dhe vetë raportim i ulët i fëmijëve në situata të dhunës.
Shëndeti i fëmijëve: 2.25
– Mungesë e të dhënave statistikore lidhur me numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, numrin e fëmijëve që konsumojnë duhan, alkool dhe numrin e fëmijëve përdorues të drogave;
– Mungesë e barnave në kujdesin parësor, sekondar dhe terciar shëndetësor;
– Mungesë e shërbimeve parandaluese dhe shërbimeve rehabilituese të specializuara për trajtimin e fëmijëve përdorues të substancave narkotike;
– Burime njerëzore shumë të kufizuara për shëndetin mendor të fëmijëve.
Zhvillimi në fëmijërinë e hershme: 2.25
– Përfshirje e ulët e fëmijëve në edukimin parashkollor, kapacitet i vogël absorbues i rrjetit të institucioneve parashkollore ;
– Mungesë e shërbimeve për ndërhyrje të hershme në ambient familjar, mungesë e programeve alternative për mbështetjen e prindërve;
Arsimi: 2.5
– Cilësi e ulët e arsimit në Kosovë;
– Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla nuk është kuptimplotë dhe e bazuar në nevojat individuale të fëmijëve;
– Mungesë e stafit profesional dhe mbështetës sikurse psikologë, pedagogë dhe asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara në shkolla.
Drejtësia për të mitur: 2.0
– Mungesë e shërbimeve për parandalimin dhe mbrojtjen e të miturve në konflikt me ligjin pa përgjegjësi penale;
– Rënie e theksuar e zbatimit të masave të diversitetit në sistemin e drejtësisë për të mitur;
– Mungesë e profesionistëve për rehabilitimin dhe reintegrimin e të miturve në sistemin edukativ dhe korrektues.
Karta e Vlerësimit është zhvilluar nga KOMF, në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, i cili mbështetet nga UNICEF në Kosovë në partneritet me USAID në Kosovë./Arbresh.info
E konfirmon Arteta: Saka mungon për më shumë se dy muaj
Tayna e mbështet Yll Limanin, i shkon në koncert
Hamza i PDK-së: Pensionet e moshës do të rriten 70%
Hiqet ndalesa për kamionë në rrugën Tetovë-Kodra e Diellit
Arrestohet gjenerali i Assad, përgjegjës për dhënien e mijër...
Lukashenka fal 20 të burgosur