Dëshmitari Nuredin Ibishi, i njohur si Komandant Leka, në gjykimin e së martës, në rastin e Salih Mustafës, ka rrëfyer për formimin e brigadave në zonën operative të Llapit, policinë ushtarake, mbrojtjen civile etjerë.
Ai është dëshmitari i nëntë i mbrojtjes së Salih Mustafës.
Fillimisht, dëshmitari Nuredin Ibishi ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë ishte nën një okupim të egër të regjimit serb dhe pas masakrave në Prekaz, Qirez dhe Likoshan ka filluar një edhe mobilizim i qytetarëve, përveç atij të UÇK-së.
Tutje, ai deklaroi se zona operative e Llapit ka përfshirë kryeqytetin Prishtinën, Podujevën, Fushë Kosovën dhe Obiliqin.
Ai tha se është kyçur në UÇK në fund të qershorit 1998, konkretisht 28 qershor 1998.
“Kjo ishte fillimi i formimit të UÇK-së në zonën operative të Llapit dhe ende ishin faza fillestare e ardhjes së vullnetarëve të ri në fshatin Zabërgjë dhe ende nuk kishte strukturim të njësive, por ishte më shumë qendër ku mblidheshin në fshatin Zabërgjë dhe aty fillun aktivitetin e parë të rekrutimit, trajnimit dhe ngritjes së aktivitetit por ende nuk ka pasur strukturim të njësive ushtarake”, tha ai.
Dëshmitari Ibishi deklaroi se ishte një edukator për pjesëtarët apo vullnetarët e UÇK-së, ku ishte trajner i ushtarëve të rinjë në këtë zonë.
Dy brigadat e para në zonën operative të Llapit, ai bëri të ditur se janë krijuar në mes të gushtit të vitit 1998.
“Edhe përfaqësuesit e lartë të shtabit të përgjithshëm të UÇK bënë emërimin e zëvendës komandantit të nën-zonës, Kadir Kastratit, pastaj brigadës 151 unë Nuredin Ibishi dhe 152 Idriz Shabani, Luta Komandant. Pra ishin këto dy brigadat e para që u formuan”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, në ndërkohë ishin transferuar në fshatin Bajgorë, në një shkollë fillore që ishte boshatisur dhe aty ishte selia e brigadës 151, që ishte në ngritje të kapaciteteve, në formim e sipër.
“Trajnimi themelor i ushtarëve zgjatke saktësisht tre javë, niveli themelore për ushtarë pasi që duhet kuptuar se të rinjtë tonë që ishin pjesa dërrmuese e pjesëtarëve të UÇK-së asnjëherë nuk kish pasur kontakt me armë mu për shkak të regjimit serb që nuk i kishte dhënë të drejtë të kryejnë ushtri apo të kenë njohuri ushtarake. Detyra e neve instruktorëve ushtarak dhe policor ishte që t’i aftësojmë ata për njohuritë elementare, duke filluar nga njohuritë e përgjithshme, disiplinën dhe rregullat ndërkombëtare të luftës, si dhe aspektet e të drejtave të njeriut, lëvizjen e ushtarëve në luftë, përdorimi i armës etj.”, bëri të ditur ai.
Ibishi ka thënë se derisa Brigada 152 ka arritur një nivel të funksionalitetit dhe pozicionimit në teren, Brigada 151 ishte ende në fazën e ngritjes së kapaciteteve dhe se për këtë i referohet periudhës kohore të gushtit 1998.
Kurse, zona operative e Llapit tha se është krijuar në fillim të qershor 1998, e pastaj tha se është krijuar më herët në vitin 1995 me vet krijimin e UCK-së në 1994, ku ka qenë në fazën e gueriles atëherë, por në aspektin ushtarak ka qenë në qershor të 1998 me daljen me uniformë dhe kazerma të improvizuara në Zabërgjë.
“Brigada 153 është formuar në shkurt të vitit 1999”, tha tutje ai.
Këto tre brigada, ai tha se kanë vepruar në pjesën rurale dhe koncepti dhe doktrina e veprimit të UCK-së nuk ka qenë të veproj në luftë urbane, por në pjesë rurale.
“Nëse marrim zonën prej Prishtine e në Podujevë ku kemi qenë më tepër të përqëndruar, aksi rrugor që shkon për Mërdare, kemi dal në zonën e lindjes që bjen Gollaku që ka qenë edhe zona e perëndimit ku kemi vepru me dy brigada, në zonën e lindjes ka vepruar Brigad 153 që është formuar më vonë, ndërsa në atë perëndimore kanë vepruar brigadat 151 dhe 152”, tha Ibishi.
Tutje, tha se kanë pasur edhe njësinë BIA si guerrilë që ka qenë më shumë e angazhuar në pjesën urbane të qytetit.
“Sa unë kam dëgju dhe kam mësu është edhe monografia për zonë oeprative të Llapit, ka qenë një marrëveshje më e hershme, mos gabofsha në shtator 1997, kur guerrila BIA i është dhënë detyra të veproj në zonat urbane por në aspektin të furnizimit, apo përgatitjes së UCK-së në zonën e Llapit për çështje të shëndetësisë, logjistikës, pranimit të refugjatëve dhe akomodimit të tyre prej zonave të prekura nga lufta dhe çështje tjera rreth informacioneve për pozicionimin e forcave të armikut etj.”, tha dëshmitari.
Sipas tij, kanë pasur edhe mbrojtjen civile që ka vepruar në zonën e Llapit.
“Edhe BIA, edhe mbrojtja civile kanë qenë në kuadër të zonës operative të Llapit. Pra, BIA ka qenë strukturë civile e paarmatosur dhe ka pas detyrën e mbështetjes të UCK-së. kanë pas detyrë t’i orientojnë, njëkohësisht për shërbime shëndetësore, logjistike, ka qenë më shumë si shërbim suportues për nevoja të brigadave, por edhe vet zonës operative të Llapit”, tha ai.
Tutje, tha se mbrojtja civile është formuar në baza territoriale.
“Nëpër fshatra, bashkësi lokale dhe janë formu njësitë që kanë qenë më tepër në baza territoriale, janë mobilizu kur është dasht me i mbështet forcat aktive të zonës operative të Llapit që kanë qenë të strukturume në brigada”, deklaroi ai.
Deri në mes të dhjetorit të vitit 1998, tha se ka ushtruar detyrën edhe të Brigadës 151, por njëkohësisht edhe si shef i operativës më zëvendëskomandantin Kadri Kastrati, ndërkaq tha se diku ka dhjetori është emëruar në postin e shefit të shtabit të zonës operative të Llapit.
Në kuadër të brigadave, ai tha se është krijuar formalisht edhe policia ushtarake.
“Formalisht çdo brigadë ka pas edhe policinë ushtarake, domethënë në nivel të togut të policisë ushtarake që ka pas detyrë të mbajtjes së rendit dhe rregullit ushtarak në brigadë dhe në zonë”, tha ai.
Ai tha se nga shtabi i përgjithshëm kanë marrë disa nga rregullat, kurse për ato që nuk i kanë pasur, janë munduar t’i plotësojnë vet eprorët që kanë pasur njohuri, me qëllim që të mos krijohet boshllëk në aspektin e rendit.
Kurse, në rast të mosrespektimit të rregullave, ai tha se policia ushtarake ka pas të drejtë të ndaloj ushtarët.
I pyetur se a ka pas ndonjë rast kur policia ushtarake ka ndaluar ushtarët në brigadën ku ka qenë komandant, ai tha se ka pas ndonjë rast dhe se nuk di të specifikoj ndonjë rast meqenëse ka qenë kompetencë e tyre.
Ndërkaq, konfirmoi se në rast të ndalimit të ndonjë ushtari nga policia ushtarake, ai tha se sigurisht se i raportonte dikujt dhe nëse është thyer rendi dhe rregulli ushtarak ndërmerreshin masa dhe raportohej në kuadër të zingjirit komandues.
“Policia ushtarake ka pas kompetencë sikurse policia e rregullt, të mund të bëj ndalimin e personit në kohën e caktuar, brenda kohës të paraparë në rregullore. S’ka qenë detyrimisht që unë të njoftohem permanent lidhur me zbatimin e rregullores disiplinore, nëse dikush prej ushtarëve ka bërë shkelje, ndoshta ka bërë në raportin e përgjithsum, por su kon rrethana që menjëherë të lajmëroj komandantin e brigadës për një shkelje që mund të jetë minore”, tha dëshmitari Ibishi.
Ai ka deklaruar se policia ushtarake ka pasur autorizimet e veta dhe ka mundur të bëj ndalimin policor, por nëse ka pas shkelje më të mëdha kanë qenë edhe komisionet disiplinore.
Sipas tij, komisionet janë formuar konform rregullores disiplinore që ka qenë në kuadër të UÇK-së.
Tutje, ka folur për mbrojtjen civile, ndërkaq i pyetur se a ka qenë e njëjta procedurë si me ushtarët e si me civilët sa u përket ndalimit të tyre, ai tha se pothuajse e njëjta ka qenë, edhe pse prioritet i policisë ushtarake ka qenë mbajtja e rendit të strukturës ushtarake edhe të UCK-së, por edhe të mbrojtjes civile.
“Zakonisht keqbërësit janë identifiku prej mbrojtjes civile, ata kanë ndërmarrë veprimet e para. Ndërsa, policia ushtarake është marrë me procesimin e tyre pra”, tha tutje ky dëshmitar.
Ai tha se vet ka qenë në një rast, kur ka qenë fazë trajnimi me rekrutët e ri, kur një person civil ka nxjerrë armën dhe e ka drejtuar në pozicionet e UCK-së në Potok dhe ai është arrestuar, ç’armatosur dhe atë e kanë mbajtur për shkak se ka kërcënuar direkt pjesëtarët.
“Ka qenë fati i tij që kanë qenë këta të përmbajtur dhe nuk kanë vepru, e kanë arrestu, e kemi mbajt disa ditë dhe pastaj është lëshuar”, tha dëshmitari Ibishi, kurse tha se për lirimin e tij kanë vendosur niveli më i lartë, niveli i shtabit, komanda e zonës, ku personi është liruar.
Ai konfirmoi se ka qenë një qendër ndaluese në Llapashticë.
“I vetmi autoritet në kuadër të brigadës ka qenë policia ushtarake që ka mundur të vendos për lirim dhe ndalim”, pyeti avokati Betim Shala, e dëshmitari u përgjigj duke pohuar këtë.
Ndërkaq, i pyetur se a ka pasur kontakte me pjesëtarë të njësitit BIA, dëshmitari Ibishi tha se ka pasur një rast në zonë, ku ka qenë Rrahman Dini.
“Tash s’po më kujtohet, dy apo tri raste. Ka ardh në zonë, një rast ka ardh për aspekte të veta shëndetësore pasi ka qenë i sëmurë dhe është dasht mbështetja për dërgim jashtë dhe në rastin tjetër nëse nuk gaboj ka sjell ose shërbime shëndetësore, mjek apo personelin e mjekëve ose medikamente apo rekrut të rinjë në zonë. Atë e mbaj mend, nëse ka qenë edhe ai në BIA, por mendoj po ashtu është”, tha Ibishi.
“Nga janari 1999 e deri në prill të vitit 1999, a keni qenë tërë kohën në shtabin e zonës operative të Llapit”, ka pyetur avokati Shala.
Kurse, dëshmitari tha komanda ka qenë në Llapashticë, ndërsa pjesa operative e shtabit ka qenë në Katunishtë, ku ka qenë ai dhe zëvendëskomandanti Kadri Kastrati, për shkak të vet sistemit të ndërlidhjes, bashkëpunimit mes njësive, në aspektin e shërbimeve.
“Ashtu që ka qenë e ndarë prej komandës së zonës si qendër komandues të them ashtu ky shtab, ky qendër operative. Këtu kemi qenë unë si shef i shtabit dhe zëvendëskomandanti i zonës Kadri Kastrati”, tha ai.
Tutje, tha se logjistika e ka pasur një objekt të veçantë, saniteti e ka pasur në kuadër të spitalit ushtarak dhe kanë shkuar vetëm për nevoja të caktuara në komandë.
Kurse, i pyetur se a ka njohur të gjithë ushtarët që kanë qenë të caktuar si udhëheqës të sektorëve, ai e konfirmoi këtë. Ndërkaq, po ashtu konfirmoi se e ka njohur Valon Muratin, që tha se ka qenë për informim një kohë, në ’98 nëse nuk gabon.
Dëshmitari deklaroi se komandant i BIA-së ka qenë Salih Mustafa. Ai konfirmoi se ka qenë në maj të vitit 1999 në Zllash, ndërkaq para kësaj tha se nuk ka shkuar.
Mirëpo, konfirmoi se ka pasur kontakte me Brigadën 153, ndër ta me zëvendëskomandantin dhe tha se në maj kur janë bërë përgatitjet duke kaluar në Zllash, tha se ka takuar Adem Shehun dhe prapë zëvendëskomandantin Sejdi Veselin.
“Gjatë periudhës kohore prej muajit shkurt deri në prill të vitit 1999, a keni qenë në komandën e zonës operative të Llapit”, pyeti avokati Shala, ndërkaq Ibishi e konfirmoi këtë.
Kurse, i pyetur se a ka parë nëse kanë sjell ndonjë person të ndaluar për ta vendosur në qendrën e ndalimit në Llapashticë, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.
Ndërkaq, tha se nuk ka parë ndonjë urdhër të Brigadës 153 për ndalimin e ndonjë personi në Llapashticë, si dhe tha se nuk ka dëgjuar për ndonjë urdhër të tillë.
Tutje, konfirmoi se është lënduar me 10 prill të vitit 1999./betimi për drejtësi/
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...
Ish-koloneli për armatimin: Banjska qe e përgatitur, aksione...
“Fëmijët nën 16 vjeç pa rrjete sociale!” Australia, gati nda...