Çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk duhet të ndërlidhet me çështjet të cilat krijuan tensione javëve të fundit, sikurse treni nga Serbia, hyrja në Kosovë e të cilit u kundërshtua nga autoritetet e vendit, si dhe muri në Mitrovicë të veriut, i cili tashmë është shembur, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës
Megjithatë, sipas tyre, pa kthimin e përfaqësuesve të Listës serbe në institucionet qendrore të Kosovës, procesi i themelimit të Asociacionit nuk mund të rinisë.
Lista Serbe ka ngrirë pjesëmarrjen e saj në institucionet qendrore që nga tetori i vitit të kaluar, pas miratimit të Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për investime strategjike nga Kuvendi i Kosovës.
Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se megjithatë, marrëveshja me autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut për shembjen e murit në këtë komunë, ka sjellë frymë konstruktive dhe të mundësisë së bashkëpunimit, e cila frymë mund të përdoret edhe për kthimin e Listës Serbe në institucione.
Ky kthim eventual sipas tij, do të mundësonte fillimin e hartimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, themelimi i të cilit, sipas tij, është obligim ligjor por dhe obligim që ka dalë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Deri tash nuk ka pasur atmosferë politike të përshtatshme që të fillojë puna. Nëse tash, pas këtyre bisedave, do të vazhdojë një frymë e tillë, e cila vërtetë ka qenë konstruktive gjatë zgjidhjes së problemit të çështjes së murit, unë besoj që ka gjasa që ne të fillojmë punën për përpilimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thotë Gecaj.
Analisti i çështjeve politike, Arben Qirezi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson joparimore ndërlidhjen eventuale të zgjidhjes së problemit të murit në Mitrovicë të veriut me çështjen formimin e Asociacionit. Madje, sipas tij, edhe vet qasja ndaj çështjes së Asociacionit është joparimore.
“Ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili, praktikisht, i hedhë poshtë të gjitha pikat e marrëveshjes në Bruksel. Pra, marrëveshjen e Brukselit e bën jo kushtetuese. Prandaj, konsideroj që për krijimin e një Asociacioni të ri duhet të diskutohet me përfaqësuesit lokalë serbë, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që të shihet se çfarë lloj strukture mund të themelohet me një dekret të Qeverisë, por kësaj radhe me përfaqësuesit e serbëve lokalë në Kosovë”, shprehet Qirezi.
Kohë më parë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, patën theksuar se pa zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë, përfshirë edhe shuarjen e strukturave paralele në veri të Kosovës, themelimi i Asociacionit nuk do të jetësohet.
Zëvendësministri Gecaj, thotë se ky qëndrim i Qeverisë vlen akoma dhe se në Bruksel ishte arritur pajtimi që me fillimin e përpilimit të statutit të Asociacionit, duhet të themelohet edhe një grup punues që do të merret me shpërbërjen e të gjitha strukturave paralele.
“Ne nuk do ta materializojmë Asociacionin pa u shpërbërë të gjitha strukturat paralele sepse krejt logjika e bisedimeve në Bruksel është mu për këtë, që struktura paralele, pas themelimit të Asociacionit të mos ketë në Republikën e Kosovës”.
Në anën tjetër, në një takim, ditën e martë, të tre drejtuesve të institucioneve më të larta të Kosovës, presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrit Isa Mustafa, “ata janë pajtuar që të vazhdohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të përmbyllet demarkacioni me Malin e Zi dhe të punohet për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës”.
Analisti Qirezi, vlerëson se ekziston mundësia që autoritetet e larta të Kosovës dhe përfaqësuesit e Listës Serbe t’i përdorin çështjet me interes, sikurse “themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, për themelimin e Asociacionit”, si adutë për marrëveshje eventuale ndërmjet tyre.
“Mund të ketë edhe skenarë të tillë, pasi që nevojiten të paktën katër vota të Listës Serbe për tu votuar Forcat e Armatosura të Kosovës. Mund të ndodhë që edhe serbët ta përdorin këtë adut, por edhe institucionet e Kosovës ta përdorin këtë adut”, tha Qirezi.
Megjithatë, ai ka shtuar se një marrëveshje e tillë eventuale do të ishte sërish joparimore, për faktin se sipas tij, Forcat e Armatosura të Kosovës do të ishin në interes edhe të serbëve të Kosovës, sepse në ato forca, vend të rëndësishëm do të kishin edhe komunitetet, përfshirë edhe serbët e Kosovës./REL
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...