Google ADS

Koeficienti i ri 110 euro, më së shumti rriten pagat e politikanëve

21:27 | 1 Nëntor 2023
KRG

5 euro për një shkallë do të jetë rritja e vlerës së koeficientit për vitin e ardhshëm.

Me projektligjin mbi ndarjet buxhetore, qeveria e rriti atë nga 105, në 110 euro, e që i prek të gjithë punëtorët e sektorit publik në Kosovë.

“Po i rrisim pagat në sektorin publik ashtu siç kemi thënë”, tha kryeministri Albin Kurti të martën, kur e prezantoi buxhetin 3.3 miliardësh, njofton Klan Kosova.

Por kjo rritje është më e prekshme për ata që veçse i kanë pagat më të larta.

Presidentes së shtetit, me koeficientin 18, do t’i shtohen 90 euro në pagë. Kryetari i Kuvendit do t’i marrë plus 87.5, kurse kryeministri 85 euro më shumë. Ndërsa deputetëve dhe ministrave u rriten rrogat nga 82 euro.

Rritje më të vogël, me 28 euro, kanë ushtarët e FSK-së. Policëve e zjarrfikësve u shtohen në rroga nga 25 euro. Pak më shumë do të marrin edhe mësimdhënësit. Mjekët do të përfitojnë plus 60 euro nga paka aktuale, ndërsa infermierët nga 25.5 deri 30 euro.

Kjo vlerë e koeficientit është e papranueshme për Besnik Tahirin e AAK-së, që thotë se do të propozojë të jetë 129 euro.

Edhe Eman Rrahmani i Vetëvendosjes thotë se duhet të rishikohen mundësitë e rritjes më të madhe të pagave, megjithëse e sheh hap të mirë shtimin e vlerës qoftë për 5 euro.

Paga mesatare në sektorin publik, sipas buxhetit 2024, pritet të jetë 780 euro.

Të ngjashme