Nga shumica e vendeve nëpër botë, Kosova mund të thirret përmes kodit të saj telefonik shtetëror +383, derisa nga fillimi i vitit 2018 është paraparë të fillojë largimi i kodeve ekzistuese, bëjnë të ditur autoritet kompetente.
Aktualisht në Kosovë janë prezent tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin e Serbisë (+381).
Të gjitha këto kode, sipas kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi do të largohen përfundimisht në qershor të vitit të ardhshëm.
“Deri më tani zbatimi i kodit telefonik +383 është duke ecur sipas dinamikës së paraparë nga ARKEP, i cili ka përcaktuar obligimet për operatorët telefonisë mobile dhe fikse të cilët janë duke zbatuar kodin 383”.
“Deri më tani, nga shumica absolute e vendeve të botës, Kosova mund të thirret ndërmjet kodit +383 nëse përdoret në vend të kodeve ekzistuese, derisa nga fillimi i vitit 2018 do të fillojë një fazë e re ku do të fillohet me largimin e kodeve aktuale dhe faza përfundimtare kur do të largohen këto kode dhe do të përdoret vetëm +383, do të jetë 30 qershori i vitit 2018”, sqaron Gashi.
Barra kryesore për zbatimin e kodit telefonik të Kosovës, shton Gashi, është mbi operatorët e telefonisë, pasi që ata duhet të bëjnë ndryshimet teknike brenda strukturës së tyre për zbatim të kodit.
Në Kosovë janë mbi dy milionë përdorues të telefonisë mobile dhe asaj fikse.
Drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, i tha Radios Evropa e Lirë se është shënuar progres në zbatimin e kodit +383 dhe shumica e operatorëve botërorë e kanë hapur numeracionin.
“Shumë operatorë ndërkombëtarë e kanë zbatuar kodin+383. Ndër këta operatorë ndërkombëtarë vlen të ceken operatorët e mëdhenj që po operojnë në shumë shtete të botës. Ne si Telekom i Kosovës pranojmë thirrje me +383 edhe në rrjetin mobil edhe fiks, dhe këto thirrje menaxhohen direkt nga ana e Telekomit të Kosovës”, thotë ai
Për kodin e Serbisë +381, i cili shfrytëzohet nga Kosova, thotë Latifaj, janë krijuar parakushtet që tani të mbyllet dhe për këtë vetëm pritet një vendim i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Derisa për kodin +377 dhe +386, sipas tij, janë shumë çështje teknike të cilat nuk do duhet të përfundojnë gjatë vitit 2018.
“Derisa për kodin e telefonisë mobile të Monakos +377 ka ende punë për t’u bërë, duhet të bëhet përgatitjet teknike për të zëvendësuar sim kartelat që kemi tek konsumatorët tanë. Jemi në fazën e nënshkrimit të kontratës me operatorët ekonomikë, në mënyrë që të krijojmë parakushte për ndërrim të sim kartelës. Kjo duhet të ndodh sipas një projekt-plani gjatë qershorit të vitit 2018, por nuk jam optimist që ajo datë mund të arrihet, marrë parasysh përgatitjet tona dhe fazën ku jemi ne”, thekson ai.
Mungesa e kodit dhe përdorimi i kodeve të shteteve tjera i shkaktuan Kosovës humbje të mëdha. Të dhënat e Qeverisë së Kosovës treguan se kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik kishte arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.
Gashi thekson se me funksionalizmin e kodit +383, Kosova do te ketë përfitime të mëdha ekonomike dhe kostot që janë shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik do të eliminohen.
“Në momentin kur funksionalizohet kodi +383, Kosova nuk do të ketë nevojë të përdorë kodet e shteteve tjera që ka përdorur, operatorët e telefonisë nuk do të kenë nevojë të paguajnë për shfrytëzim të kodeve të shteteve të tjera, dhe ato do të hyra do të kthehen brenda tregut të Kosovës, dhe Kosova përfundimisht do ta rrumbullakon identitetin e vetë shtetëror në fushën e telefonisë dhe në gjithë adresarët në tërë botën do të ekzistojë vetëm kodi +383”, thotë Gashi.
Kosova kishte marrë kodin telefonik +383 në dhjetor të vitit të kaluar, pas arritjes së një marrëveshjeje për telekomunikacionin në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Derisa, në muajin maj të këtij viti dy operatorët ilegalë të Serbisë të cilët kishin funksionuar në territorin e Kosovës, kryesisht në komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës, janë shuar.
Derisa, operatori i tretë i cili po ashtu kishte operuara ilegalisht, tanimë është i regjistruar dhe funksionon në bazë të licencës së përkohshme dhe të kufizuar në Kosovë.
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...