Një ditë më parë, Elvis Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje i ftuar në Ilva Now, deklaroi se do kërkojë nga parlamenti shqiptar miratimin e një rezolute për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.
Mimi Kodheli, kryetare e komisionit të jashtëm tha për Euronews Albania se një nismë e ngjashme është ndërmarrë nga parlamenti shqiptar 22 vjet më parë përmes një rezolute, por që për shkak të një moskoordinimi dhe modakordësie mes politikës shqiptare dhe asaj kosovare nuk është arritur të finalizohet.
Ish-ministrja e Mbrojtjes pranoi pjesën e saj të fajit, duke qenë në politikë, për mosmiratimin deri tani në Kuvendin e Shqipërisë të një rezolutë që do të dënonte në mënyrë të argumentuar, përmes provash e dëshmish, gjenocidin serb në trojet shqiptare, ndërsa shtoi se për këtë çështje politika shqiptare dhe ajo kosovare nuk kanë qenë të unifikuara.
“Po të gërmosh në arkivat e parlamentit gjen një rezolutë që daton 22 vite më parë, në ’98, ashtu siç gjen edhe një deklaratë të viteve 2000 të lidhura me këtë çështje.
Ka pasur një mosdakordësi mes nesh dhe politikës kosovare të interesuar për të ngritur zërin më lart dhe për të çuar në instancat ndërkombëtare çështjen e gjenocidin.
Politika shqiptare dhe ajo kosovare duhet të ishin më të unifikuara dhe për të vënë në vend një çështje që duhej mbyllur. Unë nuk jam mbi palët, jam pjesë e politikës dhe dua të marr pjesën time të fajit.
Por ne kemi besuar më shumë tek drejtësia e gjykatave ndërkombëtare apo BE dhe KE për të vënë një drejtësi të përgjithshme lidhur me këtë ngjarje që shënon shumë në historinë e popullit shqiptar siç është lufta në Kosovë.
Dhe nga ana tjetër duhet të qëmtonin raporte që janë ende aty, mund të ngrinim një strukturë të përbashkët dhe të qëmtonim të dhënat që flasin për gjenocid, që ne s’i kemi evidentuar asnjëherë të plota në një dokument me të cilin do të flisnim njëzëri si përfaqësues të shtetit shqiptar dhe atij kosovare”, tha Kodheli.
Sipas ish-ministres së Mbrojtjes, rezoluta, për të cilën siç tha jemi ende në kohë, s’duhet të konsistonte vetëm tek dënimi.
“Duhet të flitet për realitetin mbi të cilin ka shkruar historia dhe që historia të shkruhet në mënyrë të drejtë, duhet që të vërtetohet jo të ndahet si një qëndrim politik. Nëse kemi mbërritur në pikën që liderët e UÇK shkojnë në gjykatën speciale pa fakte, pa të dhëna, pa dëshmitarë vetëm bazuar në një raport tendencioz dhe ndërkohë ne jemi tek rezoluta pa qëmtuar në mënyrë konkrete çfarë kanë bërë serbët në territorin e Kosovës me shqiptarët dhe të tjerët.
Ndërkohë në Serbi, përveç Millosheviçit, të tërë fshihen pas pozicioneve politike me të cilat kanë mbuluar pozicionet militare të atyre viteve në Serbi dhe nuk i janë dorëzuar drejtësisë.
Këtë punë jemi akoma në kohë ta bëjmë ne, sa ka ende dëshmitarë për të shkruar një raport që do të vërtetojë atë që ka ndodhur 2 dekada më parë në Kosovë”, tha Kodheli.
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash n...
Media spanjolle: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një p...
Sara qan dhe kërkon falje për situatën që u krijua, Xuxi e p...
Rriten me 20 për qind rastet e fruthit në botë