Kocijançiq: BE shumë shpejtë do t’i ftojë palët për raundin tjetër të bisedimeve

08:42 | 15 Shkurt 2018
Arbresh.info

Deklarimet publike për vazhdim të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel po vazhdojnë nga të dyja palët.

Mirëpo, pavarësisht këtyre deklarimeve ende nuk dihet ndonjë datë e saktë se kur do të ketë rifillim të dialogut në mes të dyja vendeve, transmeton arbresh.info.

Një marrëveshje përfundimtare ndërmjet të dyja vendeve është kërkuar edhe nga Strategjia e Zgjerimit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zëdhënësja e Bashkimit  Evropian Maja Kocijaçiq ka thënë për arbresh.info se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini është duke bashkëpunuar me të dy presidentët për normalizim të përgjithshëm të situatës.

“Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini po bashkëpunon me të dy presidentët për normalizim të përgjithshëm të situatës. Të dy presidentët kanë treguar angazhim konstruktiv”, ka thënë ajo.

Kocijançiq ka bërë të ditur se BE-ja shumë shpejtë do t’i ftojë të dyja palët për raundin e dytë të bisedimeve.

“Shumë shpejt BE-ja do t’i ftojë të dyja palët për raundin e dytë të bisedimeve teknike në Bruksel”, ka deklaruar ajo.

Ditë më parë kreu i delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi kishte thënë për arbresh.info se rifillimi i dialogut varet prej asaj se kur BE-ja e cakton raundin tjetër.

“Varet nga Brukseli kur e cakton raundin e ri të bisedimeve”, ka thënë ai.

Dialogu ka për qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimin e komunitetit serb në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës.

Ndërkaq, zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve nga ky dialog, Kosovës dhe Serbisë, u është vënë si kusht në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Më 16 janar të këtij viti pala serbe ndërpreu dialogun me Kosovën, e kjo për shkak të vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare Serbe “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq./J.Zhuniqi/arbresh.info/

Të ngjashme