Koci: Vendimi i BQK-së i qëlluar, por kërkesa për shtyrje e arsyeshme

23:54 | 30 Janar 2024
E.G

Njohësi i zhvillimeve politike, Melazim Koci ka deklaruar se vendimi i Bankës Qendrore për ndalimin e qarkullimit të dinarit është shumë i qëlluar.

Koci tha se nuk mundet deri në pafundësi të përdoret një valutë tjetër në një shtet tjetër. Sipas tij nga Bashkësia Ndërkombëtare ka dy kërkesa të ndryshme lidhur me këtë çështje.

“Nëse lexohen me kujdes kërkesat nga Brukseli dhe Uashingtoni, ato nuk janë identike. Brukseli kërkon që kjo çështje të bartet brenda dialogut që është krejtësisht e papranueshme. Kjo do të bënte një precedent shumë të rrezikshëm. Nëse kjo do të pranohej do t’i hapej rruga që çdo çështje kontestuese në Kosovë të bartet në Bruksel dhe të legalizohet sovraniteti i dyfishtë në Kosovë i Serbisë dhe Kosovës. Kjo çështje nuk duhet të debatohet në Bruksel”, ka deklaruar Koci në RTK.

Ai e ka konsideruar të arsyeshme kërkesën e zyrtarit të lartë amerikan James O’Brien dhe ambasadorit Hovenier që zbatimi i rregullores së re të BQK-së të shtyhet për një kohë, derisa të bëhen koordinime të nevojshme që kjo të mos ketë pasoja në zbatim.

“Mendoj se kërkesa amerikane është e arsyeshme. Duhet të merret parasysh kërkesa e Uashingtonit për një shkak shumë të thjesht. Nuk e përjashtoj mundësinë që Serbia të inskenojë prej pasnesër nëse hynë në fuqi ai vendim një krizë humanitare për ta ndërkombëtarizuar veriun dhe për të krijuar ndonjë pretekst të ndonjë ndërhyrje tjetër“, është shprehur ai.

Prandaj sipas Kocit një shtyrje e arsyeshme nuk do të dëmtonte Kosovën, por ajo do të duhej të refuzonte që kjo çështje të hapet në Bruksel.

Të ngjashme