Google ADS

Koalicioni i luhatshëm, brenda këtij viti zgjedhje të parakohshme

08:02 | 20 Shkurt 2019
Arbresh.info

Koalicioni qeverisës po tregon luhatje. Këtë gjë po e dëshmojnë krerët e partive të koalicionit, të cilët në deklarimet e tyre tërthorazi ofendojnë njëri tjetrin.

Një deklarim i cili po komentohet tash së fundi është ai i kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili pas mbarimit të seancës solemne për ditën e pavarësisë, kishte thënë ‘Ma qenef mashkull në jetë…”. Këto deklarata u komentuan sikur Haradinaj t’i ketë thënë për kryeparlamentarin, Kadri Veseli i cili në fjalimin e tij kishte përmendur çështjen e taksës e cila duket sikur po lëkund koalicionin.

Njohësit e çështjeve politike thonë se ky koalicion afër e ka fundin.

Analisti Faik Krasniqi në një prononcim për ‘Arbresh.info’ ka thënë se PDK është partia e cila e dërgon vendin çdoherë në zgjedhje dhe se sipas tij ky vit është vit i zgjedhjeve.

PDK-ja gjithmonë ka luajtur lojë të pistë me partnerët e koalicionit. Por, për çudi partnerët e njëjtë prapë se prapë  kanë lidhur koalicion me ta. Ata gjithmonë do të gjejnë ndonjë arsye që vendin ta çojnë në zgjedhje, dhe taksa mund të bëhet mollë sherri për prishjen e koalicionit, nëse kryeministri Haradinaj nuk heq dorë nga pezullimi i saj.  Sidoqoftë, pa i bërë llogaritë mirë Kadri Veseli nuk e dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme, sepse në zgjedhjet e fundit nacionale dhe vendore pësoi një debakël të thellë, por ky vit është vit i zgjedhjeve. Në pranverë, verë apo vjeshtë, këtë vit do kemi zgjedhje. Nëse Haradinaj dëshiron të mbetet me fytyrë të bardhë para qytetareve, do të duhej të largohej dhe do fitonte një përqindje të votave më shumë se  në zgjedhjet e kaluara për shkak të  taksës”, është shprehur ai.

Sipas njohësit të çështjeve politike Leon Duhanaj, situata politike në vend, është aq kaotike dhe sipas tij për qytetarët është e pamundur të kenë qartësi rreth ngjarjeve, e sidomos siç tha ai rreth qëndrimeve të akterëve politik në vend.

Të gjithë kemi dëshmitarë, kur në momentin që u vendos taksa 100%, pati jehonë të madhe dhe, bëri buj në popull. Ishte një vendim shtetërorë karshi agresionit serb dhe, kjo u pëlqeu të gjithëve sa që dolën shumë zëra, nga shumë drejtime se nga kush erdh ideja e taksës dhe kush e solli. Pra, lufta për meritë. Pasi që filluan akuzat dhe presioni ndërkombëtarë, thuajse të gjithë lëvizën, kush me pak e kush me shumë, përpos Kryeministrit Haradinaj”, ka thënë ai për arbresh.info.

Duhanaj  përmendi edhe fjalinë e Haradinajt pas seancës solemne të 17 shkurtit, ku tha se kryeministri mund ta ketë pasur edhe me Edi Ramën atë koment.

Tani, unë nuk mund të spekuloj se kujt i është drejtuar dhe mendoj që është jo etike që opinioni të bie preh e supozimeve të tilla, ku dikush thotë Ramës e dikush Veselit. Megjithatë ata mund t’i kenë shkaqet e tyre dhe, jam plotësisht i bindur që personi të cilit i është drejtuar, e di shumë mirë që bëhet fjalë për të. Nëse është ashtu që e din dhe nuk i ka reaguar, atëherë mund të konkludojmë që e ka merituar, edhe pse unë mendoj që fjalori politik, duhet të jetë me i matur”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër analisti Blerim Burjani theksoi se ky koalicion e ka fundin shumë shpejt.

Në ndërkohë apo gjatë kësaj periudhe PDK ka negociuar jo zyrtarisht me LDK, andaj pritet riformulim i qeverisjes në shtet. Sipas të gjitha gjasave AAK nuk do të jetë pjesë e çfarëdo qeverisje  të zgjeruar, mund të ndodhë që edhe NISMA të largohet dhe do të duhej të hiqet , përderisa PDK ,LDK dhe PSD do të formonin qeveri  të re, për të ecë përpara dialogu dhe liberalizimi i vizave. Në të kundërtën do të ketë stagnim dhe probleme tjera , andaj situata është kritike, duhet zgjidhje për zhbllokim të dialogut, dhe të rifillojë proces normal i dialogut”, ka shtuar ai për portalin arbresh.info.

Burjani ka thënë se zënkat e politikanëve janë normale, porse sipas tij është e rëndësishme të punojnë për vendin.

“Nuk është koha për zënka, fjalë, këto mund të jenë normale në politikë, nuk është e thënë të flasin mirë për njëri tjetrin me rëndësi është të punojnë pozitivisht për shtetin”, u shpreh Burjani.

Kurse kryeministri Ramush Haradinaj në një konferencë për media të martën ka thënë se nuk është i gatshëm të shkojë në zgjedhje dhe se po ta donte këtë do të nevojiteshin vetëm 5 minuta punë.

“Nuk jam i gatshëm të shkoj në zgjedhje. Jam i gatshëm të punoj për këtë e kam marr mandatin por parlamenti vendos. Nëse nesër thirret një seancë dhe bëhen 61 vota për rrëzim të qeverisë atëherë duhet shkuar në zgjedhje. Veseli nuk më ka kërkuar të mbahen zgjedhjet, por nëse e kërkon është e drejt legjitime. Nuk e marr iniciativën për të shkuar në zgjedhje, nuk qohen porositë kështu për zgjedhje. Nëse dikush ka plan të caktuar 5 minuta kryen punë jo çdo ditë. Unë po të doja e thërras opozitën iu them votat e mija kujt i duhen por s’marr iniciativa të tilla”, ka thënë ai./arbresh.info /V.Berisha/arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme