Koalicioni anti-PDK s’pritet të ndodhë

08:41 | 15 Maj 2017
Arbresh.info

Një koalicion i madh parazgjedhor i partive kryesore parlamentare, i cili do ta nxirrte PDK-në në opozitë pas gati një dekade qeverisjeje, vështirë se do të ndodhë. Nuk ka shenja të arritjes së një koalicioni mes LDK-së, LVV-së dhe partive të tjera për të cilin spekulohej ditëve të fundit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) lehtësisht do të binte nga pushteti pas gati një dekade qeverisjeje po qe se subjektet e mëdha politike në vend do të bënin koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

Madje pas rrëzimit të qeverisë “Mustafa” në Kuvend spekulohej për një koalicion parazgjedhor mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila vlerësohej se do të dilnin si koalicioni më i madh në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.

Por gjasat për një koalicion të tillë janë minimale dhe në vend se të bënin koalicione të mëdha partitë kryesore parlamentare aktualisht janë të interesuara për bashkëpunim me partitë më të vogla, veçanërisht me AKR-në e Behgjet Pacollit.
Në anën tjetër, analistët politikë konsiderojnë se vetëm bashkimi i të gjitha partive parlamentare do të mundë ta çonte PDK-në e Kadri Veselit në opozitë./zeri.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme