Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar për siç thonë përkeqësimin e ushqimit për fëmijët e kopshteve publike në Prishtinë, gjersa theksuan se kjo është e papranueshme dhe e papërgjegjshme.
Në reagimin e KMDLNj-së, u bëhet thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave të pavarura që monitorojnë institucionet publike parashkollore dhe të ketë monitorime më të shpeshta për të parë gjendjen e të drejtave të njeriut për fëmijët në kopshtet publike./Arbresh.info/
Reagimi i plotë:
A PO JUSTIFIKOHET RRITJA E PAGESËS NË KOPSHTET PUBLIKE PËRMES PËRKEQËSIMIT TË USHQIMIT TË FËMIJËVE?!
Në kopshtet publike në komunën e Prishtinës ka disa javë që ushqimi për fëmijë ka filluar të pakësohet në sasi e që ndikon direkt në gjendjen e tyre emocionale dhe shëndetësore. Ushqimi në të gjitha kopshtet publike në komunën e Prishtinës përgatitet nga Kuzhina Qendrore dhe çdo mëngjes bëhet shpërndarja në të gjitha këto institucione.
Kohë më parë është pasuruar menyja ditore e javore duke shtuar perime dhe smoothie për të vegjlit, por edhe nga një mes-shujtë pas zgjimit nga gjumi.
Në kopshtet publike orari fillon prej 6:30 deri në 17:00. Gjatë këtij orari fëmijëve u ofrohen dy shujta ushqimi dhe një “zamër” që përfshinë pemë sezonale ose jogurt apo tambëloriz (e që kohëve të fundit edhe këtë po e sjellin rrallë). Mëngjesi starton prej 8:30 deri 8:45, dreka 11:30, koha e gjumit është ora 12:00 deri në zgjimin e fëmijëve në orën 14:00.
Pas zgjimit fëmijët ushqehen vetëm me “zamër” e që kryesisht është pemë sezonale e cila është e pamjaftueshme për një ushqyerje të mirë të këtyre fëmijëve. Kohë më parë komuna e Prishtinës për këta fëmijë ua kishte shtuar në meny edhe nga një kifle e që ka disa javë që këto janë zhvendosur në shujtë të mëngjesit.
KMDLNj-së në mënyrë anonime ia kanë shprehur dhe konfirmuar këto shqetësime edhe disa udhëheqës të këtyre Institucioneve Parashkollore dhe se janë në përpjekje që së bashku me komunën e Prishtinës të përmirësojnë gjendjen me ushqimin e fëmijëve dhe se po supozohet një rritje e çmimit eventual. Në kopshtet publike në komunën e Prishtinës çmimi për një fëmijë në bazë mujore është 50 euro kurse nëse ka dy fëmijë të të njëjtës familje çmimi për të dy është 85 euro.
Përkeqësimi i ushqimit për fëmijët e kopshteve publike në komunën e Prishtinës për KMDLNj- në është e i papranueshëm dhe i papërgjegjshëm. Andaj, KMDLNj-ë i rikujton komunës së Prishtinës, Drejtorisë së Arsimit se në këtë mënyrë ata po shkelin të drejtat e njeriut për fëmijët në kopshtet publike duke mos i ushqyer në mënyrë të plotë dhe të mjaftueshme. Aq më parë nëse kjo po bëhet për të arsyetuar një rritje të çmimit e që do të vë në vështirësi edhe më të mëdha shumë familje në këto kohë kur të gjitha produktet dhe shërbimet kanë pasur rritje të papërballueshme për shumë familje.
Andaj, KMDLNj-ë i bënë thirrje dhe të gjitha institucioneve dhe organizatave të pavarura që monitorojnë institucionet publike parashkollore që të ketë monitorime më të shpeshta për të parë gjendjen e të drejtave të njeriut për fëmijët në kopshtet publike.
Bahtijari pranon fajësinë në Hagë
Rizvanolli: KRU “Prishtina” ka pasur përmirësime...
Britania sanksionon 5 zyrtarë gjeorgjianë për shtypjen e pro...
Ancelotti thotë se nuk e kishte menduar rikthimin tek Reali,...
Arrestohet 40 vjeçari në veri, policia i gjen rreth 100 kart...
Haradinaj për Hovenierin: Ishte më shumë se ambasador