Google ADS

KMDLNj: Para Schlozit dhe Macronit, Kurti është dashur t’i drejtohet qytetarëve të Kosovës

13:38 | 3 Nëntor 2022
A. B.

Këshilli për Mbrojtjen dhe Lirinë e të Drejtave të Njeriut ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, lidhur me informatat për propozimin franko – gjerman për arritje të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

“Në mungesë të informatave për propozimin franko – gjerman për arritje të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, qytetarët e Kosovës po informohen nga burime tjera e që, në raste të caktuara, mund të jenë edhe dezinformata. Ata që e kanë detyrim ligjor t’i informojnë qytetarët e Kosovës e që janë edhe votues, në vend të informatave po iu ofrojnë një terr absolut iinformativ, i paprecedentë për një shtet dhe shoqëri demokratike që transparencën dhe llogaridhënien përveç se e kanë detyrim, në të njëjtën kohë duhet ta konsiderojnë si vlerë të shtuar të demokracisë”, thuhet në reagimin e tyre.

KMDLNj ka theksuar se as kryeministri Kurti, as presidentja Osmani nuk e dhanë asnjë informatë për këtë propozim sikur të bëhet fjalë për një ngjarje në Afrikë apo Mongoli e jo për një çështje jetike për Kosovën.

“Kryetari i Kuvendit, duke thënë se në këtë propozom shihej njohja faktike ( por jo edhe juridike ) e pavarësisë nga Serbia, i shtoi kësaj mjegullnaje edhe një grusht me tym kurse zkryeministri Bislimi fillimisht tha se ky propozim është më afër interesave të Serbisë dhe se kryeministri Kurti gjatë takimit në Samitin e Berlinit do t’ua thotë qëndrimin e Kosovës për këtë propozim presidentit Makron dhe kancelarit Sholc. KMDLNj, disa herë ka reaguar për mungesën e transparencës për propozimin franko – gjerman sikur edhe për ecurinë e bisedimeve me Serbinë por se ky terr informativ vetëm sa është sforcuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që e zotëron thuaja 100 % vendimmarrjen në Kosovë, në mënyrën më flagrante ka shkelur detyrimin ligjor që të informojë qytetarët e Kosovës për proceset që përmbajtësisht kanë të bëjnë me ardhmërinë e Kosovës dhe të drejtat e qytetarëve të saj për t’u informuar për këtë. Kancelari Sholc dhe presidenti Makron nuk janë votues të Albin Kurtit dhe kryeministri i Kosovës nuk ka ndonjë detyrim t’i informojë ata para se t’i ketë informuar qytetarët e Kosovës dhe ta ketë marrë pëlqimin nga ta për një marrëveshje eventuale me Serbinë”, thuhet më tej në reagim

KMDLNj thekson se, vetmjaftueshmëria dhe bunkerizimi i kryeministrit Kurti për të mos ndarë informatat me qytetarët e Kosovës është një sinjal se po luhen lojëra aspak korrekte rreth dhe për Kosovën. Në këtë kontekst, KMDLNj –ë i sheh edhe ftesat për takime me zyrtarët e lartë amerikanë në Uashington, të kyçur në bisedime, për udhëheqësit e opozites kosovare, Memli Krasniqit të PDK-së dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së. Pasi kryeministri Kurti nuk arriti ta ndërtojë një konsensus brenda Kosovës për këtë marrëveshje, ndërkombëtarët do ta bëjnë këtë duke mos pranuar që kjo marrëveshje të nënshkruhet vetëm nga një subjekt politikë shkaku se do ta vështirësonte zbatimin. Në këtë funksion është takimi në Uashington për ta bindur opoziten të bëhet pjesë e procesit. Për të kërkuar dhe siguruar konstruktivitet edhe për kompromise dhe zgjidhje të dhimbshme.

Ky terr informativ i vë qytetarët e Kosovës para një akti të kryer e që është në kundërshtim të plotë me të drejtat civile dhe politike të qytetarëve të Kosovës për t’u përcaktuar për fatin e tyre.

Tensionimet e situatës në veri të Kosovës, përqëndrimi i ushtrisë serbe bri kufirit me Kosovën, improvizimi i lojës me dronë, refuzimi i konvertimit të tabelave ilegale, paralajmërimi për bllokim të rrugëve dhe pikave kufitare pas vendosjes së afatit të ri të përshkallëzuar për konvertim të tabelave ilegale, refuzimi i komandatit të Policisë së Kosovës për të shpërndarë fletëqortimet në veri të Kosovës janë veprime shantazhuese dhe të dënueshme. Komandanti i Policisë në veri të Kosovës duhet të shkarkohet urgjentisht dhe ndaj tij duhet të inicohet procedurë ligjore.

Zjarrëvënia në shtëpi dhe vetura të atyre që i kanë konvertuar tabelat ilegale janë vepra kriminale, të dënueshme sipas ligjeve në fuqi dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërlidhen me masat që i ka marrë qeveria e Kosovës për konvertim të tabelave ilegale. Qeveria e Kosovës duhet të vendosë ligjshmëri në veri të Kosovës dhe ndërkombëtarët nuk duhet të pengojnë punën e qeverisë por se duhet ta ndihmojnë në këtë drejtim.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta detyrojnë kryeministrin e Kosovës, me mjete parlamentare që të raportojë në mënyrë të detajuar për ecurinë e bisedimeve me Serbinë dhe me propozimin franko – gjerman i cili duhet të bëhet publik, për aq sa nuk e rrezikon marrëveshjen përfundimtare. Gjithashtu, edhe udhëheqësit e opozitës do të duhej të raportonin për takimet në Ëashington për faktin se këto takime dhe bisedime ndërlidhen drejtpërsëdrejti me propozimin franko – gjerman i cili, për qytetarët e Kosovës është një paqartësi e madhe, në radhë të parë për shkak të territ absolut informativ nga qeveria e Kosovës dhe pamundësisë që ky tekst të jetë i qasshëm për qytetarët e Kosovës. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme