KLSH: Shifrat manipulohen, Shqipëria me borxhin më të lartë

18:25 | 23 Janar 2019
Arbresh.info

Qeveria fsheh shifrat e borxhit publik.

Të dhënat e raporti të KLSH-së të vitit 2017, detyrimet e papaguara ndaj farmacistëve, mos rimbursimi i TVSH për eksportuesit si dhe projektet e famshme të PPP, ngrenë dyshime të forta se borxhi publik është jashtë shifrave që raporton qeveria.

Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë me borxhin publik në Shqipëri?

Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e vitit 2017 konstatoi se shifrat e deklaruara nga qeveria nuk përputhen me realitetin e financave të vendit. Madje KLSH në raportin e saj thekson fort se borxhi publik po manipulohet dhe është më i lartë se ai që deklaron qeveria.

Sipas KLSH, janë të paktën 19 miliardë lekë detyrime të papaguara që i shtohen borxhit publik.

“Vlera prej 19 miliard lekësh përbën shtesë të borxhit të shtetit ndaj të tretëve, për shlyerjen e të cilit, megjithëse është konstatuar detyrimi, nuk është marrë borxh. Nëse për financimin e këtyre pagesave do të ishte marrë borxh, stoku i borxhit publik të raportuar, nga 1,088 miliard lekë do të ishte në rreth 1,104 miliard lekë, i cili në raport me PBB-në do të jepte një tregues të borxhit në nivelin mbi 71%. Nëse marrim në konsideratë edhe shlyerjen e stokut të rimbursimit të TVSH-së në vlerë 11 miliardë lekë, borxhi publik do të jepte një tregues në nivelin 72% të PBB”, citohet në raportin e KLSH)

Por nuk janë vetëm këto detyrime që fshihen në tabelën e borxhit të qeverisë Rama. Nëse shifrave të Kontrollit të Lartë të Shtetit do ti shtojmë edhe 1 miliardë dollarë të partneritetit publik privat të projektit të shpallur në vitin 2017 që qeveria nuk I ka parashikuar si borxh atëherë borxhi publik kapërcen 80% të PBB, duke na renditur si vendi me borxhin më të lartë në rajon. Qeveria propagandon që 1 miliard dollarët në PPP nuk përfshihen si borxh por në të vërtet ato janë detyrime që do të shlyhen me taksat dhe kursimet e qytetarëve.

Krahas borxhit të fshehur qeveria Rama rezulton të ketë qenë edhe e paaftë të ri-investojë edhe paratë e marra hua. Në 5 vite të dhënat e certifikuara nga qeveria janë marrë hua 202 miliardë lekë, ndërkohë që ekonomia u rrit me 205 miliardë lekë, pra me vetëm 3 miliardë. Kjo shifër 3 miliardë lekë tregon se ose ekonomia nuk ka pasur aktivitet privat dhe vendi ka qenë në një krizë të thellë ose paratë që merr borxh qeveria janë investuar në projekte jo produktive të cilat nuk arrijnë të shlyejnë as veten e jo më të nxisin zhvillimin e ekonomisë. Një gjë është e sigurt nga 720 milionë euro borxh që thërriste kryeministri Rama në 2013 qeveria e tij ka shlyer 480 milionë euro ose vetëm pak më shumë se gjysmën e detyrimeve të prapambetura.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme