Klinika e Pediatrisë në QKUK përballet me mungesë të barnave, madje edhe ato të listës esenciale. Drejtues të kësaj klinikë kanë thënë të hënën për Express se në Pediatri për momentin janë të shtrirë rreth 160 fëmijë dhe për shumë prej tyre ka probleme me sigurimin e barnave të nevojshëm. Drejtori në Klinikën e Pediatrisë në QKUK Muharrem Avdiu thotë se gjendja e njëjte me mungesë ta barnave pritet që të vazhdojë deri nga fundi i janarit të ardhshëm.
Dashurije Bytyci ka tri ditë që në Klinikën e Pediatrisë në QKUK e ka të shtrirë vajzën e sëmurë. Ajo thotë se disa nga barnat ajo detyrohet që t’i blejë vetë, madje edhe ato që gjenden në listën esenciale. Vajza pesëvjeçare e saj lëngon nga një virus sezonal.
“Vajzën e kam sjellë këtu në Klinikë që nga dita e premte. Disa nga barnat po i blejmë vetë. Nuk janë shumë të kushtueshme. Një euro po kushton njëri, e tjerat pak më shtrenjtë”, deklaroi ajo për Gazetën Express.
Momentalisht në Klinikën e Pediatrisë në QKUK të shtrirë janë më shumë se 150 fëmijë. Shumica prej tyre marrin terapi, qoftë për viruse sezonale apo për sëmundje të tjera. Por, për trajtimin e këtyre fëmijëve në Pediatri nuk ka barna të mjaftueshëm. Nuk gjenden madje as ata të listës esenciale.
Drejtori i Pediatrisë, Muharrem Avdiu, ka sqaruar të hënën për Express se tash e disa ditë në këtë klinikë mungojnë antibiotikët si dhe disa lloje tjera barnash.
“Mungon ndoshta diçka prej antibiotikëve diçka prej masës së barnave të tjera. Kjo s’do të thotë që klinikat e tjera janë më mirë apo më keq”, thotë Avdiu.
Ai ka paralajmëruar se kjo gjendje pritet që të vazhdojë se paku edhe për një muaj. Kjo ngase, sipas Avdiut, në Klinikën që ai drejton në çdo fundvit verifikohen stoqet e mbetura të barnave dhe në periudhën e njëjtë të çdo viti Pediatria ballafaqohet me mungesë të barnave.
“Dhjetori dhe janari nuk janë muaj me fat në drejtimin e furnizimit me barna. Sepse bëhen llogaritë përfundimtare, vërtetohen, verifikohen stoqet e barnave, sasia etj. Kështu që deri te 15 janari apo 25 janari ne në fakt nuk e dimë saktë se si e kemi gjendjen”, ka shpjeguar Avdiu.
I pyetur se si do t’iu përgjigjen kërkesave të pacientëve për furnizim me barna, Avdiu jep një shpjegim interesant. Thotë se në situata të tilla, kur në këtë klinikë mungojnë medikamentet mjekësore, pacientët shkëmbejnë barnat me njëri-tjetrin.
“Këto muaj që po vijnë pritet të bëhen zgjidhje interne. Pacientët shkëmbehen me barna në mes vete. Është një shenjë solidariteti këtu brendapërbrenda klinikës”, tregon drejtori i Pediatrisë.
Por, prindi E. Krasniqi, i cili tregon se disa ditë e ka të shtrirë djalin në Pediatri, thotë se shumicën e barnave i siguron vetë. “Prej që e kam shtrirë djalin këtu në Pediatri, shumicën e barnave i blej vetë. Disa po janë edhe të kushtueshme”, thotë ai.
Ndërkaq, sipas drejtorit Avdiu, muaji mars, si zakonisht kur është në pyetje furnizimi i klinikës me barna, pritet të jetë “më i rrezikshmi”. Kjo për shkak se virozat sezonale më së shumti bien te fëmijët gjatë këtij muaji. Ai thotë se SHSKUK’ja por edhe Ministria e Shëndetësisë duhet ta furnizojë me barna klinikën e Pediatrisë, dhe se nëse kjo situatë nuk përmirësohet, atëherë me kërkesa do t’u drejtohen të dy instancave.
“Nëse kjo situatë nuk ndalet, atëherë ne do ta bëjmë zgjidhjen përmes ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm ose të intervenimeve në Ministri për furnizim me ndonjë kontingjent”.
“Fëmijët më së shumti po preken nga virozat sezonale të cilat janë të muajve të vjeshtës si dhe të muajve të dimrit. Kështu do të jetë deri fund të muajit maj. Rrezikun e parashohim në shkurt e mars. Gjithmonë virozat në muajin shkurt e mars paraqiten. Ne besojmë që institucionet tona do të mund të na furnizojnë me barna neve”, ka deklaruar për Express, drejtori i Klinikës së Pediatrisë në QKUK, Muharrem Avdiu.
Në anën tjetër, drejtues së institucioneve shëndetësore kosovare zotohen që pacientët më nuk do të kenë nevojë që t’i blejnë vetë barnat. Garanci për këtë thonë se është fakti se prej buxhetit të përgjithshëm për shëndetësi, në Kosovë rreth 21 milionë euro në vit ndahen për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues.
Por, fakt tjetër është edhe se lista esenciale me barna, asnjëherë nuk ka arritur të përmbushet në tërësi që nga paslufta e fundit në Kosovë./Express/
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/klinika-e-pediatrise-keq-me-furnizim-te-barnave-470165/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...