Qese të verdha plot me placenta kanë mbushur pesë frigoriferë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Për shkak të mbingarkesës, dyert e të pesë frigoriferëve nuk mbyllen dot dhe tash ka nisur shkrirja e tyre. Placentat janë mbetje patologjike nga lindjet dhe abortet.
Tre nga këta frigoriferë gjenden në afërsi të sallës së lindjes, në katin e tretë të Klinikës, kurse dy të tjerë, në deponë e katit të parë.
Rrezik për shëndetin paraqesin posaçërisht tre frigoriferët në katin e tretë. Salla e lindjes është vendi ku rreth 700 fëmijë në muaj vijnë në jetë.
“Ne brenda muajit i kemi 500 kilogramë ind placentar, kështu që ato duhet të largohen. Ne nuk kemi ku t’i lëmë. Frigoriferi nuk është zgjidhje. Ato duhet të eliminohen, të asgjësohen ashtu siç i ka hije një indi trupor”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, Jakup Ismaili, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë.
“Janë disa frigoriferë të mbushur, ata kur nuk janë të mbyllur nuk ngrihen, kundërmojnë, është gjaku, era e rëndë… Distanca nga salla e lindjes është 10-15 metra, kështu që bëj apel që sa më shpejt ata që janë kompetentë të organizojnë largimin e këtyre mbetjeve”, shtoi Ismaili.
Sipas Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), largimin e tyre e bën një kompani private e cila duhet të kontraktohet nga ky institucion. Megjithatë, QKUK-ja tha se për të kontraktuar një kompani për një shërbim të tillë, duhet fillimisht që Komuna e Prishtinës të caktojë një lokacion se ku duhet të groposen këto mbetje.
Ismaili tha se ky problem ekziston që dy vjet dhe se Komunës së Prishtinës i është bërë kërkesë disa herë për ndarjen e një lokacioni.
“Nëse vazhdon një neglizhencë e organeve kompetente, ne duhet ta mbyllim klinikën apo të falimentojmë. Nuk e di çka do të bëjmë”, tha drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në evropaelire.org
Vjen një dron për Gjestin në BBVA, ky është reagimi i tij
11 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1” dënohen me 31 vje...
Murati i reagon Ramës: Në vend se të kërkoni fajtorin gjetiu...
Milan dhe Hernandez afër marrëveshjes së re, ja sa do të për...
Rreth 57 miliardë dollarë dëme nga zjarret në Los Anxhelos
Sveçla fton diasporën që të votojnë