KKTK: Me ndalimin e punëve në rrugën Deçan-Plavë u respektua ligji

13:33 | 1 Gusht 2018
Arbresh.info

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore sqaron përmes një reagimi se ndërprerja e punëve për rrugën që do të lidhë Kosovën me Malin e Zi përmes Grykës së Deçanit, në zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit është veprim me të cilin respektohet legjislacioni në fuqi i Republikë së Kosovës dhe jo triumf i ndonjë subjekti të caktuar, transmeton Koha.net.

Manastiri i Deçanit është një ndër katër (4) monumentet që gjenden në Republikën e Kosovës dhe është përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, si pasuri e përbashkët e të gjithë njerëzimit. Si monument më rëndësi universale mbrohet nga Republika e Kosovës sipas ligjeve të trashëgimisë kulturore dhe konventave ndërkombëtare, rikujton Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Manastiri i Deçanit me propozimin e Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit është shpallur aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore në vitin 2016, dhe është përfshirë në listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit. Në përputhje më Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe Vendimin e KKTK-së, Manastiri i Deçanit ka zonë të mbrojtur prej 839.60 ha.

Në bazë të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, neni 5 pika a). në zonat e veçanta të mbrojtura ndalohen këto aktivitete: “ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve tranzite në zonat rurale; dhe b) ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit”. Gjithashtu edhe në Ligjin për Planifikim Hapësinor, neni 18, paragrafi 4, ndalon këto aktivitete: “ndërtimi i rrugëve magjistrale dhe regjionale; ndërtimi i godinave më të larta dhe atyre që nuk janë në harmoni me ndërtesat ekzistuese fqinje;zhvillimi i veprimtarisë së industrisë së rëndë; instalimi mbitokësor i furnizimit të rrymës elektrike, telekomunikacionit, përçuesve digjital, etj; veprimtaritë dhe ndërtimet që ndikojnë në shpyllëzim, tjetërsim apo ndotje të mjedisit; dhe planifikimi hapësinor urban dhe rural nga niveli lokal”.

Prandaj, nëpërmjet kësaj shkrese dëshirojmë të informojmë opinionin publik dhe akterët e përfshirë në këtë proces, se në rastin konkret kemi të bëjmë më respektim të legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës dhe jo me triumfues të ndonjë subjekti të caktuar.

Në sipërfaqet dhe zonat e mbrojtura janë të ndaluara aktivitetet e lartcekura, dhe sot ka mundur të jetë rastësi Manastiri i Deçanit, kurse në të ardhmen mund të kemi edhe ndalime të tjera në sipërfaqe të mbrojtura ose zona përreth lokaliteteve arkeologjike dhe monumenteve të tjera të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, dhe krejt kjo është në frymën e respektimit të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare.

Kërkojmë nga akteret dhe institucionet përgjegjëse që janë të përfshira në procese të tilla që të jenë bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës, transparent dhe të informohet opinioni publik drejt dhe më kohë për të gjitha veprimet. KKTK kërkon që trashëgimia kulturore të respektohet si pasuri dhe vlerë e përbashkët që i shërben të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës, përfundon reagimi i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme