Kjo kompani fitoi koncesionin për “Rrugën e Arbrit”

11:46 | 31 Tetor 2017
Arbresh.info

Komisioni i dhënies me koncesion të procedurës me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit” përfundoi shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave të paraqitura në sistemin elektronik të APP duke shpallur fituese shoqërinë “Gjoka Konstruksion”.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar në sistemin elektronik, në këtë procedurë rezultoi se operatori ekonomik “Adem Pojani” kishte paraqitur disa dokumente, të cilat nuk përmbushnin kriteret e kërkuara, rrjedhimisht oferta u skualifikua.

Nga shqyrtimi i dokumenteve të sistemit u konstatua se operatori ekonomik shoqëria “Alb-Star” sh.p.k. kishte paraqitur disa dokumente teknike dhe ligjore, por nga analizimi i tyre rezultoi se nuk kishte ofertë financiare dhe nuk plotësoheshin kriteret e kërkuara. Për këtë arsye, komisioni vendosi të skualifikojë operatorin “Alb-Star” sh.p.k.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur në sistem nga operatori ekonomik shoqëria “Gjoka Konstruksion”, rezultoi se ajo kishte paraqitur dokumentacionin teknik, financiar dhe ligjor në përputhje me kërkesat e dokumenteve të procedurës konkuruese dhe komisioni vendosi ta kualifikojë ofertën për fazën e vlerësimit.

Gjatë fazës së vlerësimit, kjo ofertë u shpall fituese pasi u trajtuan elementët e propozimit teknik për ndërtimin e rrugës dhe mirëmbajtjes; ndikimin mjedisor; ndikimin social; afatin e përfundimit të punimeve dhe ofertën financiare.

Pas shpalljes se kompanisë fituese të garës, autoritetet shtetërore tashmë do të angazhohen për negocimin e kontratës koncesionare, firmosja e të cilës i hap rrugën përgatitjes së fillimit të punimeve në terren.

Nga Qeveria është thënë se ndërtimi i Rrugës së Arbrit, që shkurton distancën midis Tiranës e Dibrës në rreth 75 kilometra, do të fillojë brenda 45 ditësh.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme