Banorët e katër lagjeve të fshatrave Shipitullë dhe Hade të Obiliqit mbrëmë i kanë shprehur kryeministrit Haradinaj, shqetësimin e tyre për moszgjidhjen e problemit të shpronësimit të pronave prej shumë vjetësh nga KEK-u. Ata theksuan se vlerësimet e pronave të tyre janë bërë në mënyrë të padrejtë dhe njëkohësisht kërkuan zgjidhjen e çështjes së punësimit të banorëve të fshatrave të Obiliqit.
Në një prononcim për portalin arbresh.info njëri nga banorët e Shipitullës i cili deshi të mbetej anonim ka treguar se çfarë është vendosur mbrëmë pas përfundimit të debatit me kryeministrin.
“Në mbrëmje qytetarët e katër lagjeve i treguan kërkesat e tyre kryeministrit. Ata debatuan për të gjitha kërkesat që duan në lidhje me shpronësimin e pronave. Kryeministri i rishqyrtoi këto kërkesa dhe në fund vendosi që punësimi të jetë në rend të parë. Ai tha se në çdo shtëpi do të punësohet nga një anëtar i familjes. Po ashtu kryeministri vendosi edhe për kërkesën e dytë që ishte çmimi për metër katror. Ai në bashkëpunim me banorët vendosën që çmimi të jetë 350 euro për metër katror të shtëpisë, dhe së treti metri katror të jetë i plotë e në asnjë mënyrë të zvogëlohet”, ka treguar ai.
Sipas këtij banori sot përfaqësuesit e këtyre katër lagjeve do të mbajnë takim me kryeministrin për t’i finalizuar këto kërkesa.
“Sot kryeministri i ka ftuar në takim katër përfaqësuesit e lagjeve të Shipitullës si dhe bordin e KEK-ut në zyrat e kryeministrit nga ora 14:00 që të vendosen përfundimisht për këto kërkesa”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit, Haradinaj iu tha banorëve të katër lagjeve të fshatrave Shipitullë dhe Hade të Komunës së Obiliqit se zgjidhja e problemit të tyre do të bëhet me angazhimin e plotë të të gjithë mekanizmave dhe Qeverisë. Ai tha se do të bëhet rivlerësimi i pronave dhe njëkohësisht do kërkojë edhe punësimin e nga një anëtari të familjeve të dy fshatrave në Obiliq.
Kryeministri Haradinaj, po ashtu kërkoi krijimin e një komisioni të përbashkët me përfaqësuesit e lagjeve të fshatrave Shipitullë dhe Hade, në përbërje të të cilit do të jenë edhe ministrat e Qeverisë, ai i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zhvillimit Ekonomisë, si dhe përfaqësues të Komunës së Obiliqit e të KEK, pastaj të takohen në Zyrën e Kryeministrit për ta nisur procesin e zgjidhjes së problemit të shpronësimit.
Kryeministri Haradinaj shfaqi gatishmërinë e tij për të ndihmuar përmes vendimit në Qeverinë e Kosovës në zgjidhjen e kësaj çështje.
Ai tha se prodhimi i energjisë në KEK nuk mund të ndalet meqë është jetik për gjithë qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj në takimin me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade të Obiliqit, ishte i shoqëruar nga ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi dhe menaxhmenti i KEK-ut. /arbresh.info/
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...