Ish-ministri i Jashtëm kanadez, Lloyd Axworthy ka zbuluar se ishte Kina që mund të luante rol qendror në ndalimin e vrasjeve masive gjatë luftës në Kosovë.
Në një intervistë për emisionin Interaktiv në KTV, njeriu që udhëhoqi me diplomacinë kanadeze gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se Kina nuk lejoi ardhjen e paqeruajtësve të OKB-së në Kosovë, në vitin 1997.
“Në kohën derisa ne mendonim se çfarë lloj intervenimi na duhet, kishte një forcë paqeruajtëse të OKB-së në rajon, në kufijtë e Maqedonisë. Ishin aty për t’u kujdesur që të mos lejonin njerëzit të kalonin në Maqedoni e Greqi. Ishin 3000 trupa paqeruajtëse të OKB-së në rajon që do të mund të hynin në Kosovë brenda 6 orësh. Ajo çfarë ndodhi është se ishin kinezët që refuzuan të zgjerojnë mandatin për këtë trupë paqeruajtëse, pasi që ishin hidhëruar me qeverinë maqedonase, pse ata nuk blinin rrobalarëset e tyre, ose diçka të ngjashme. Pra, kishit fuqitë e mëdha që e abuzuan të drejtën e tyre të vetos, dhe mandati nuk u zgjat. Do të ishte shumë e lehtë nëse këta trupa do të hynin brenda në Kosovë, apo në kufijtë e saj. Do të kishte shumë më pak vrasje, e më pak konflikt. Kjo ishte në vitin 1997-98. Këta trupa ishin aty për 2-3 vjet dhe kishin një mandat nga Këshilli i Sigurimit, por për të punuar në kufirin e Maqedonisë, edhe pse ky mandat shumë lehtë mund të zgjerohej. Nuk e di nëse mund të ndalonte luftën, por do të kishte më pak pasoja”, ka thënë Axworthy.
Ai ka thënë se Kosova duhet të punojë edhe me Kinën për ta bindur që e meriton një vend në OKB.
Diplomati i karrierës në vitin 1999 i kishte rekomanduar qeverisë së tij në Kanada, që të bëhet pjesë e intervenimit ushtarak kundër Serbisë për të ndaluar vrasjet.
Axworthy ka pohuar se Kanadaja ka qenë ndër vendet e para që ka marrë mijëra refugjatë, dhe këtë e kanë bërë përveç qeverisë edhe individët./Koha/
Gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë – arrestohen katë...
Tre persona vdesin në një aksident pasi GPS-i ia huqi rrugës
Vdes personi i cili ishte duke u trajtuar jashtë vendit pas ...
Murati: Afati për përditësimin e aplikimeve për subvencionim...
Zhduket një grua në Podujevë
Rrahen mes vete shtatë persona në Lipjan, dy përfundojnë në ...