Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës, gjatë paraqitjes së parë në Hagë, të hënën, u deklarua i pafajshëm lidhur me të gjitha pikat e aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Deklarohem plotësisht i pafajshëm”, tha Kilaj.
Gjatë seancës, u parashtrua që gjuha e punës të jetë anglishtja për këtë çështje gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, konferenca për ecurinë e çështjes u diskutua që të jetë 17 dhjetori 2024, duke filluar nga ora 14:00.
Avokati i Isni Kilajt, Iain Edwards, tha se edhe ai dhe klienti i tij do të jenë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit. Po ashtu, edhe prokurori Joshua Hafetz, parashtroi se do të jenë të gatshëm për këtë seancë dhe po ashtu edhe ata do të jenë të pranishëm fizikisht.
Paraprakisht, Kilaj tha se i kupton të gjitha pikat e akuzës për të cilat ngarkohet dhe ai u njoftua me të drejtat e tij në këtë proces gjyqësor.
Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, të premten më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt sot (9 dhjetor).
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...