Ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiçmari thotë se Kosova tashmë gjendet para një akti të kryer për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
“Mundësitë për të gjetur zgjidhje tjera janë të vogla apo inekzistente. Ne jemi në një sanduiç diplomatik. Cilido vendim që merret do të ketë pasoja dhe përparësi”, tha ai në “Debat Plus”.
Kiçmari thotë se Kosova pa dashur është futur në këtë situatë jo të pëlqyeshme.
Ai thotë se vendet e BE-së do ta kuptojnë shumë më lehtë pozitën e Kosovës në raport me Izraelin se Turqia apo vendet arabe.
Diplomati i Kosovës thotë se Kosova pavarësisht që nuk ka pasur njohje të ndërsjellë me Izraelin kontaktet diplomatike asnjëherë nuk kanë munguar.
Kiçmari thotë se shtetet pritëse e caktojnë lokacionin e ambasadës.
“Në disa raste madje shteti pritës ta cakton edhe lagjen ku është e përshtatshme vendosja e ambasadës”, tha ai.
Diplomati i Kosovës thotë se është e pritshme që Turqia nuk është e kënaqur nga ky vendim dhe sipas tij nuk bën të nënçmohen raportet me Turqinë.
“Turqia na ka ndihmuar shumë në procesin e njohjeve dhe se Kosova ka raporte në rritje ekonomike me Turqinë. Kosova duhet të ruaj raportet e mira me Turqinë”.
Kiçmari thotë se pavarësisht raporteve me Turqinë raportet e Kosovës me Izraelin janë shumë të rëndësishme për disa arsye.
“Është interes nacional i joni edhe për shkak të raporteve që ka Izraeli me Amerikën”, tha ndër të tjera Sabri Kiçmari