KGJK i reagon ashpër Haxhiut: Po e dëmtoni rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor

14:12 | 7 Maj 2021
S D

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pas atij prokurorial i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në lidhje me deklaratat e saja për të ashtuquajturat “grupe të fuqishme” brenda KGJK-së dhe KPK-së.

Me anë të një reagimi, KGjK shpreh pakënaqësi lidhur me këtë shkrim duke njoftuar opinionin e gjerë, përfshirë edhe mediat, se deklarimet e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, janë të pabazuara dhe e dëmtojnë rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor, gjithashtu bien ndesh me ndarjen e pushteteve, e që këto deklarata konsiderohen ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit.

“Bazuar në Kushtetutë e Ligj sistemi gjyqësor është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksionit të tij dhe gëzon pavarësi organizative, administrative e financiare për realizimin e detyrave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj, prandaj respektimi i pavarësisë dhe punës së gjyqësorit është obligim për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në reagim.

“Zgjedhja në cilën do pozitë brenda sistemit gjyqësor nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, bëhet në mënyrë transparente dhe atë bazuar në Kushtetutë dhe ligji, në pajtim me parimet e meritës, mundësitë e barabarta, barazinë gjinore, mos diskriminimin dhe përfaqësimin e barabartë nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë e vendor si dhe standardeve më të larta profesionale”, thuhet tutje në komunikatë.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të angazhohet për një sistem gjyqësor të pavarur, transparent dhe të paanshëm dhe kërkon nga të gjithë të përmbahen nga deklaratat e tilla, por të angazhohemi që të punojmë bashkërisht me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në vendin tone”, përfundohet në fund të reagimit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme