Misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR, ka mohuar raportimin e fundit se gjatë sulmit të grupeve paramilitare serbe në Banjskë, më 23 shtator të vitit të kaluar, kishte negociuar tërheqjen e paramilitarëve serbë.
Në sulmin terrorist të grupit të udhëhequr nga kryekrimineli Milan Radoiçiq ishte vrarë rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, derisa ishte cenuar rëndë sovraniteti, rendi dhe siguria e Republikës së Kosovës.
Negocimin për tërheqjen e grupit të paramilitarëve serbë nga ana e zyrtarëve të KFOR-it e ka thënë Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG), i cili së fundmi publikoi një raport të titulluar “Veriu i Kosovës: Pranimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë”.
Në raportin e tij për sulmin që ndodhi në Banjska, në shtator të vitit 2023, ICG shkruan se “duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit (terroristëve serbë, v.j.) në pyjet përreth, nga të cilat ata u zhdukën”.
Megjithatë, KFOR-i sot i hodhi poshtë pohimet e tilla përmes një komunikate.
“Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Tutje misioni i NATO-së thotë se dhuna që ndodhi në Banjska erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 ushtarakëve të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda.
“NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet më tej në komunikatë.
KFOR-i ka ripërsëritur se vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i ka rikujtuar se është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, e më të cilët ka thënë se punojnë në koordinim të ngushtë./rtk
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...