Demarkacioni Kosovë – Serbi, pritet të jetë kushti i radhës që BE-ja do t’ua shtrojë dy vendeve për në proceset integruese. Ditë më parë u raportua se KFOR-i vendosi kufirin Kosovë – Serbi në Karaçevë të Kamenicës, ndonëse u kundërshtua nga banorët.
Koha.net ka kontaktuar me kryetarin e Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit të Kosovës, Shpejtim Bulliqin, politologun Belul Beqaj, Avni Arifin nga Qeveria e Kosovës dhe me kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastratin. Të gjithë këta kanë dhënë vlerësimet e veta rreth kësaj çështjeje. Në ndërkohë, Koha.net i është drejtuar edhe KFOR-it që të komentojë raportimet rreth zhvendosjes së kufirit mes Serbisë e Kosovës në Karaçevë. Ata kanë thënë se do të kthejnë përgjigje sa më parë të munden, ndërsa portali është ende në pritje të përgjigjeve të tyre.
Për vendosjen e kufirit në Karaçevë të Kamenicës, kryetari i kësaj Komune, Qëndron Kastrati, tha se ka qenë një veprim shqetësues për të gjithë banorët, madje edhe vetë komunën, pasi, siç tha ai, ka ndodhur pa dijeninë e tyre dhe pa paralajmërim.
“Nesër e kemi një takim me KFOR-in për këtë çështje. Besoj nesër do të jemi edhe më të qartë me qëndrimet tona”, tha Kastrati.
Politologu Belul Beqaj, për Koha.net sqaroi se vendosja e tabelave të KFOR-it ndërlidhet me çështjen e ndarjes territoriale, pavarësisht se nuk është apostrofuar publikisht gjatë bisedave të deritanishme.
“Për shkak të injorancës dhe mosdijes kosovare, ka qenë vazhdimisht e pranishme në mendjen dhe kalkulimet e pushtetit serb, por kjo është çështje e njohur nga strategët ushtarakë të NATO-s. Karaçeva do të jetë një nga çështjet e hapura, të cilat do t’i asociojnë qytetarët në Kullë dhe Çakorr….e cila do të përfundojë sipas vlerësimit strategjik të NATO-s”, thotë Beqaj.
Ai thotë se në rast se demarkacioni Kosovë – Serbi nuk politizohet, atëherë është çështje e lehtë për t’u zgjidhur.
“Mendoj se zgjidhja e demarkacionit me Serbinë megjithatë është e thjeshtë, nëse nuk politizohet. Problemi disavjeçar i demarkacionit me Malin e Zi është një shembull shumë i keq që mund të shfrytëzohet si model ogurzi për zgjidhjen edhe të këtij kufiri. Po shpresojmë se lidershipi politik ka nxjerrë ndonjë përvojë pozitive nga odiseja me Malin e Zi”, tha Beqaj për Koha.net.
Ngjashëm mendojnë edhe nga Qeveria e Kosovës. Avni Arifi, shef i negociatave me Serbinë, në një përgjigje për portalin Koha.net, thotë se pret që kjo çështje të zgjidhet dhe mos të ndodhin problemet e mëparshme.
“Dihet se çështja e demarkacionit duhet të zgjidhet para se Kosova dhe Serbia të hyjnë në BE. Kosova nuk dëshiron të eksportojë problem në BE, e as BE-ja të importojë probleme nga Kosova”, tha ai.
Arifi tha se kjo është çështje që e pret Kosovën të ballafaqohet në një të ardhme të afërt. “Por Kosova kuptohet se s’duhet të bëjë gabime si ato të mëparshmet”.
Se a do të sjellë çështja e demarkacionit me Serbinë probleme në vend, Arifi thotë se s’do të duhej të ndodhte.
“Kjo nuk do të duhej të ndodhte, sepse gjithçka tani është e qartë. Megjithatë, u takon ekspertëve të flasin për këtë çështje më shumë.Kufijtë dihet se janë përcaktuar. Unë mendoj se është e çuditshme se s’i ka ndodhur në të kaluarën problemi i demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, por besoj dhe uroj që ta tejkalojmë edhe këtë çështje”, tha Arifi për Koha.net.
Politologu Beqaj, thotë se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative, nënkupton edhe zgjidhjen e çështjes së demarkacionit me Serbinë.
“Demarkacioni me Serbinë do të jetë edhe më i vështirë se ai me Malin e Zi, për shkak të së kaluarës jo shumë të largët, edhe më shumë për shkak të banorëve etnikë përgjatë brezit kufitar, veçmas nëse përdoret si instrument për të mbetur apo për të ardhur në pushtet”, tha tutje Beqaj.
Kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, tha për Koha.net se çështja e demarkacionit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet.
“Rreth vënies së “demarkimit” si kusht i mundshëm nga BE-ja, nuk kam çka të them, pasi nuk jam në dijeni se çfarë kushti do të mund të jetë. Një gjë është dëshmuar, BE-ja Kosovës padrejtësisht i ka vënë kushte vazhdimisht, ndërsa për të tjerat shtete ka shikuar përmes gishtërinjve. S a duhet të definohet apo përmbyllet çështja e kufirit me Serbinë, përgjigjja do të ishte po. Patjetër kjo çështje duhet të përmbyllet kurdo që ka vullnet dhe mundësi. Besoj se kushtëzimet do të duhej të vlenin për Serbinë, pasi që Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj saj, ndërsa sa u përket proceseve integruese, Kosova edhe ashtu është e diskriminuar në raport me Serbinë dhe të tjerët. BE-ja ka qenë më dorëlire ndaj Serbisë në çdo fazë”, tha Bulliqi për Koha.net.
Sa i përket vendosjes së tabelave në Karaçevë, Bulliqi mendon se KFOR-i, si mision i respektuar ndërkombëtar në Kosovë, do të duhej që ta kursejë veten nga këto lloj problemesh, pasi që dihet mandati i tyre.
“Dua të sqaroj për opinionin se me gjithë respektin e madh për KFOR-in, të gjithë duhet ta dinë se ata nuk kanë mandat të përcaktojnë vijë kufitare (as delimitim e as demarkim), Kosova nuk është vend që nga asgjë u paraqit më 12 qershor 1999. Kosova ka pasur vijë ndarëse kufitare/administrative territorial me të gjitha republikat fqinje në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe Serbinë”, tha tutje Bulliqi.
Ai thotë se në raport me Serbinë, për çfarëdo ndryshimi që ka ndodhur, sado në favor apo disfavor të Kosovës që të mund të ketë qenë, është e dokumentuar me vendime politike të kohës, pra, sipas tij, ka fakte se çka ka ndodhur dhe kur ka ndodhur.
“KFOR-i deri vonë ka pasur mandat edhe për në brendi të territorit të Serbisë (zona tokësore e sigurisë dhe zona ajrore e sigurisë), misioni i tyre është i qartë, pra nuk është caktimi i vijës kufitare. Pa marrë parasysh se çfarë detajesh teknike hartografike iu ka imponuar Serbia në Marrëveshjen e Kumanovës më 1999, ata (KFOR-i) në Kosove duhet të konsultohen me institucionet vendore rreth kësaj çështje e jo të marrin vendime të njëanshme, të cilat shkaktojnë tensione dhe pakënaqësi. Nuk duhet t’i japin Serbisë material pretekst se gjithçka është në rregull, vija është aty ku po thotë KFOR-i, pasi që kufiri i Kosovës nuk ka lindur me hyrjen e KFOR-it në Kosovë, kufiri ka qenë aty dhe është i dokumentuar”, sqaroi tutje Bulliqi këtë çështje për Koha.net.
Bulliqi thotë se problemi qëndron se me Serbinë, siç thotë ai, “kemi problem politik, të imponuar nga ta, mos definimi/demarkimi i vijës ka mbetur peng i Serbisë, pasi që ata ende kanë pretendime territoriale ndaj Kosovës në dy aspekte, njërin që e konsiderojnë Kosovën pjesë të Serbisë, dhe tjetri që po tentojnë që së paku të shkëpusin territor nga Kosova”.
Bulliqi thotë se Bashkësia ndërkombëtare në këtë rast do të duhej ta kushtëzojë Serbinë që të ulet dhe ta pranojë kufirin/vijën ndarëse ekzistuese.
“Unë mendoj se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të lehtësojë këtë proces, pse jo edhe me kushtëzime ndaj Serbisë, nuk e kanë të vështirë sepse i kanë mundësitë”, tha ai.
Sa i përket realizimit teknik në terren, Bulliqi thotë se duhet që të ketë veprime të bashkërenduara mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve që ky proces të shkojë sa më mirë.
“Ka materiale nëpër institucione vendore, por ka edhe në Serbi, që e dëshmojnë saktësisht se ku është vija kufitare. Duhet vetëm vullnet dhe presion (nga ndërkombëtarët) që Serbia t’i sjellë ato gjëra në tavolinë. Kosova është më kooperuesja në këtë proces, nuk kërkon asgjë të re, kërkon respektimin e vijës kufitare të vendosur me dashje apo pa dashjen e saj, nga institucionet e Kosovës dhe Serbisë gjatë kohës së ish-Jugosllavisë”, përfundoi sqarimin e tij Shpejtim Bulliqi për Koha.net.
Në ndërkohë, për këtë çështje pati reagime edhe nga pala serbe.
Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka thënë se për Serbinë një zgjidhje kompromisi me Kosovën është “demarkacioni dhe ndalimi i shtrirjes së Shqipërisë së Madhe”.
Vulin ka thënë se pret që Kosova t’i vazhdojë provokimet dhe përpjekjet për të stopuar dialogun.
“Ata e dinë se negociatat me Aleksandër Vuçiqin nuk janë të mira për ta, dhe këtë e pranojnë me vështirësi”, ka thënë Vulin, transmeton Koha.net.
Assesi të këndellet United, pëson humbje edhe nga Newcastle
Tjetër hap fals për Chelsean, mposhtet nga Ipswichi
Policët e Shqipërisë shpërblehen me nga 10 mijë lekë për fun...
Parashihet rritje e madhe e shitjeve të veturave elektrike n...
Nga klima, pandemitë dhe hapësira, parashikimet shkencore pë...
Doni të jeni më të lumtur? Ja pesë hapa për ta arritur këtë