KFOR-i gjerman edhe dy muaj liron objektin e kampit ushtarak

09:34 | 31 Tetor 2018
Arbresh.info

Vetëm edhe dy muaj kanë mbetur që KFOR-i gjerman, ta liron tërësisht objektin e Kampit Ushtarak në Prizren dhe ajo hapësirë prej 39 hektarësh të jetë në dispozicion të krijimit të Parkut Inovativ të Prizrenit. Individët, kompanitë por edhe shoqatat do të kenë mundësinë e shfrytëzimit të atij parku varësisht prej projekteve.

Pas 19 vjetësh shërbimi, ushtarët gjermanë deri në fund të këtij viti, do ta lirojnë kampin ushtarak të Bundeswehr’it në Prizren për t’ia lënë vendin një projekti tjetër që pritet të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik. Janë dy qeveritë, ajo gjermane dhe kosovare që po vazhdojnë të punojnë në këtë projekt. Ish ambasadori i Kosovës në Gjermani Skender Xhakaliu, është njëri ndër anëtarët e bordit që në përbërje përveç kosovarëve ka edhe gjermanë. Xhakaliu për Radio Kosovën ka deklaruar se janë pesë fusha të identifikuara në këtë projekt.

“Që Parku të ketë një qendër për zhvillimin e trajnimeve dhe shkollimeve të ndryshme profesionale që është kërkesë e tregut në Kosovë. Po ashtu është paraparë edhe zhvillimi i bujqësisë. Të jetë ë zhvilluar edhe pjesa e turizmit kur dihet se Prizreni është një qytet jashtëzakonisht shumë i bukur dhe frekuentojnë turistë të ndryshëm. Dhe natyrisht të ketë përqendrim në një inkubator, pra zhvillim ekonomik të Kosovës”, tha Xhakaliu.

Bordi mbikëqyrës i planit zhvillimor dhe implementues, është në fazën përgatitore që të krijojë një menaxhment i cili do të jetë me prejardhje nga Gjermania dhe do të jetë funksional që nga janari i vitit të ardhshëm. Po ashtu nga viti i ardhshëm, sic njoftoi ambasadori Xhakaliu, do të zgjidhen anëtarë të rinj të bordit, përsëri me emërimin e dy qeverive.

“Dhe ky bord menaxhues së bashku me bordin mbikëqyrës, do të përgatisin termat e ndryshme të referencës se si dhe kush ka mundësi të jetë pjesëmarrës nga bizneset e ndryshme qoftë vendore qoftë edhe bizneset e jashtme”, tha ai.

Parkut Inovativ të Prizrenit, i është dhënë publicitet jashtëzakonisht i madh edhe në Gjermani, si në qeverinë, ashtu edhe në Bundestagun përkatësisht Parlamentin gjerman ku është prezantuar projekti, njoftoi ambasadori. Sipas tij, ka edhe kompani gjermane të interesuara për projekte në Park. Por, mundësitë ekzistojnë edhe për individë, kompani por edhe OJQ. Nuk do të ketë konkurse të hapura për Parkun Inovativ të Prizrenit, por do të konkurrohet përmes projekteve. Është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik në Kosovë, por edhe në rajon, tha ambasadori.

“Është mesi i bashkëpunimit dhe i zhvillimit ekonomik meqenëse ekziston edhe autostrada shumë afër nga kampi, që ndërlidh Shqipërinë dhe Portin në Durrës në vetëm dy orë, që është një përparësi shumë e madhe në të ardhmen për zhvillim të ndonjë prodhimi në këtë hapësirë. Por natyrisht edhe lidhja e autostradës për Maqedoninë do të shkurton rrugëtimin në portin e Selanikut.”

Ish ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu si anëtar i bordit i projektit, potencoi edhe bashkëpunimin e ngushtë me Komunën e Prizrenit, e cila ka shprehur gatishmërinë të përshpejtojë planin rregullativ i cili do të krijonte lidhje të afërt të Parkut me qytetin./rtklive

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme