Google ADS

Këto pritet të jenë propozimet e Raportit të Progresit për Kosovën

09:17 | 17 Prill 2018
M. A.

Komisioni Evropian edhe një herë do të përsërisë rëndësinë e procesit të zgjerimit të BE, gjë që konsideron “investim për paqe, siguri, prosperitet dhe stabilitet në Evropë”, por edhe atë se çdo shtet në rrugëtimin e tyre të anëtarësimit në BE do të vlerësohet në bazë të arritjeve të veta dhe me kritere të ashpra por të drejta. Këtë mesazh e përmban edhe strategjia e paketës së zgjerimit, të cilën do ta miratojë dhe ta publikojë sot Komisioni bashkë me raportin e progresit të shteteve nga ky proces, lajmëron “Jutarnji list” kroat i cili ka pasur qasje në këtë dokument.

Komisioni edhe një herë do të paralajmërojë se afrimi kyç me BE do të jetë reforma e drejtësisë, promovimi i të drejtave themelore, liria e medieve dhe mbi të gjitha lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me çka kanë probleme serioze të gjitha shtetet e Ballkani Perëndimor dhe Turqia, transmeton Insajderi.com.

Lajmi më i rëndësishëm i paketës së sivjetmë i zgjerimit do të jetë rekomandimi i Komisionit Evropian për hapje të negociatave për pranim me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Këto dy shtete me status të kandidatit kanë realizuar përparim të mjaftueshëm në mënyrë që Komisioni të jep rekomandim pozitivë për ta. Shqipëria ka zbatuar reforma në gjyqësi, ndërsa Maqedonia ka arrit që pas zgjedhjeve t’i ndryshojë trendet. Tani Këshilli Evropian në mbledhjen e qershorit në Bruksel duhet të vendosë mbi hapjen e negociatave me këto shtete.

Për Serbinë në këtë raport të progresit do të përsëritet kushti kryesor i cili është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

“Është i nevojshëm përparimi urgjent në dialogun të cilin e ndihmon BE kah normalizimi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, gjë që duhet të rezultojë me lidhjen dhe implementimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse juridikisht obliguese mbi normalizimin”, është mesazhi i BE-së për Serbinë dhe Kosovën. Prej të dyja shteteve kërkohet përparim më të madh në implementimin e marrëveshjeve të cilat i kanë arritur deri tani në Bruksel. Nga Serbia kërkohet zbatimi i marrëveshjes mbi energjetikën ndërsa nga Kosova kërkohet formimi i asociacionit apo bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme