Këto janë vendimet që mori sot qeveria

16:32 | 27 Dhjetor 2024
R J
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje të rregullt, në të cilën ka miratuar vendimin për të ndarë shtesat e njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët 0-16 vjeç dhe pensionmarrësit.

Qeveria gjithashtu ka aprovuar Ekstraktet e Procesverbalit dhe Transkriptit nga mbledhja: 233 dhe ekstrakteve të procesverbaleve nga mbledhjet: 236 dhe 237 elektronike/korresponduese të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në mbledhje të qeverisë u aprovua rregullorja për organizimin dhe Funksionimin e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore dhe Funksionimin e Grupit Koordinues Ndërministror. Kjo rregullore, si një nga masat e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, ka për qëllim të sigurojë një koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe të garantojë zbatimin efikas të politikave dhe masave të parashikuara për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.

Vendimet e tjera që u aprovuan në mbledhje janë:

  • Ndryshimi dhe plotësimi i vendimit Nr.  18/ 208 të datës 13 qershor 2024, për zbatim të sanksioneve ndërkombëtare, nga ana e Republikës  së Kosovës në raport me obligimet ndërkombëtare, ndaj individëve dhe entiteteve të ndërlidhur apo përgjegjës për veprime që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Në përputhje me vendimet zbatuese të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe në harmoni me qëndrimet e Bashkimit Evropian, rreth bashkërendimit për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë; rekomandohet aprovimi i masave shtrënguese ndaj individëve e entiteteve të ndërlidhura apo përgjegjëse që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
  • Miratimi i vendimit preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme për nevoja të Terminalit Doganor në Merdare. Terminalet doganore vazhdojnë t’i kthehen shtetit e nga to të përfitojnë të gjithë.
  • Miratimi i vendimit për ndryshimet e rregullave të origjinës sipas vendimeve të Konventës së Rregullave të Origjinës Pan-Euro-Mesdhetare. Këto ndryshime të propozuar janë një mundësi strategjike për të zgjeruar eksportet, përmirësuar konkurrencën e industrive vendore dhe për të tërhequr investime të reja. Në të njëjtën kohë, ato forcojnë integrimin ekonomik rajonal dhe ndihmojnë në krijimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit.
  • Miratimi i vendimit për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministres së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për nënshkrimin e Marrëveshjes ndërshtetërore me Islandën, Principatën e Lihtenshtajnit, Mbretërinë e Norvegjisë dhe Konfederatën Zvicerane të cilat përfaqësojnë “Organizatën ndërqeveritare Evropiane për Tregti të Lirë –EFTA. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një hap i rëndësishëm për avancimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes të Republikës së Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s. Nga kjo marrëveshje, do të përfitojnë kompanitë vendore, të cilët do të kenë mundësi të rrisin eksportet e tyre duke pasur qasje të lirë në tregjet e EFTA-s.
  • Miratimi i Strategjisë për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave në Republikën e Kosovës 2024-2035 dhe Planin e Veprimit 2024-2026. Strategjia synon të arrijë riciklimin e 50% të mbeturinave deri në vitin 2035 dhe reduktimin e deponimit nën 10% deri në vitin 2045. Me këtë strategji, transformohet menaxhimi i mbeturinave nga deponimi në riciklim dhe ripërdorim, rrjedhimisht duke krijuar vende pune, ruajtur mjedisin dhe mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme