00:03 | 14 Maj 2018
Trina Galanxhi
Në mbarë botën po jepet alarmi se diabetikët po shtohen në masë. Edhe Shqipëria, pavarësisht shifrave të deritanishme, duket se nuk bën ndonjë dallim thelbësor nga pjesa tjetër e botës.
Mjekët endrokrinologë në Shqipëri pohojnë se periudha e verës është tepër e vështirë për të sëmurët me diabet. Gjendja e tyre rëndohet edhe për shkak të temperaturave të larta.
Situata rëndohet edhe më tej kur bëhet fjalë për diabetin e tipit 1, që prek më shumë fëmijët. Ky lloj diabeti vjen nga mungesa e prodhimit të insulinës. Shenjat e para që mund të sinjalizojnë këtë sëmundje janë rënia e shpejtë në peshë dhe një etje tej normales.
Por si mund ta luftojmë diabetin?
Shoqata Amerikane e Diabetit, e njohur për studime të thelluara në këtë fushë, ka paraqitur një pasqyrë të ushqimeve dhe aktiviteteve që duhet të kryhen, në mënyrë që të mbajmë larg diabetin. Të dhënat e mbledhura nga studime të ndryshme, tregojnë se si frutat, perimet dhe një dietë e ekuilibruar ul riskun për diabet.
- Më shumë drithëra dhe fruta
Sipas një studimi të fundit të Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë në Universitetin e Kembrixhit, përdorimi i drithërave të ndryshme është masa më efikase për parandalimin e diabetit. Po ashtu, pas kërkimeve të shumta, studiuesit zbuluan se njerëzit që konsumojnë shumë fruta sëmuren 19-21 % më pak nga diabeti se ata që hanë pak. Njerëzit që hanë 16 lloje ushqimesh të ndryshme kanë afro 40% më pak mundësi të sëmuren nga diabeti.
- Trajtimi individual
Trajtimi i diabetit duhet të ndryshojë nga personi në person. Sipas udhëzimeve të fundit të publikuara nga Shoqata Amerikane e Diabetit dhe Shoqata Europiane për Studimin e Diabetit, treguesit e sheqerit në gjak varen nga mosha, gjendja shëndetësore dhe ndërlikimi i sëmundjeve të pacientëve me diabet. Sidoqoftë, nëse niveli i sheqerit në gjak tre muaj pas trajtimit ende nuk mund të mbahet nën kontroll në mënyrë efektive, duhen shtuar barna të tjera.
- Vitamina që ul rrezikun
Personat që përmes ushqimii i japin organizmit sasi më të mëdha të vitaminës K kanë gjasa më të pakta për t’u prekur nga diabeti i tipit 2. Shkencëtarët holandezë nga Universiteti i Utrehtit, pasi kanë studiuar prej 10 vitesh më shumë se 38 mijë persona, hulumtuesit kanë llogaritur se konsumimi i rritur i vitaminës K është i lidhur me gjasa 20% më të pakta për diabetin e llojit 2. Dhe sikurse shkruan revista “Diabetes Care”, faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për diabetin janë mosha e shtyrë, mbipesha, trashëgimia familjare e sëmundjes dhe prejardhja etnike. Vitamina K në natyrë është e pranishme në dy forma; K1 që gjendet në perimet e gjelbra dhe K2 që gjendet në mish, djathë dhe vezë. Shkencëtarët thonë se është pikërisht K2 ajo që ndikon më shumë në uljen e mundësisë për t’u prekur nga diabeti.