Këto janë të gjitha vendimet nga Mbledhja e Qeverisë

11:37 | 7 Dhjetor 2020
M. A.

E drejtuar nga Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, e 48-ta me radhë, në të cilën janë shqyrtuar dhe miratuar dokumente dhe politika të ndryshme të fushave të saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Me vendimin e parë të miratuar në mbledhjen e sotme, është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Programit Legjislativ të viti 2020.

Sipas vendimit të aprovuar, Projektligji i punës dhe Projektligji për pushimin e lehonisë dhe prindëror fuzionohen në një ligj të vetëm i cili do të miratohet deri më 15 dhjetor 2020. Ndërsa shtohet ne Programin Legjislativ për vitin 2020 miratimi i Projektligjit për Ratifikimin dhe amandamentimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka dhënë mendimin për tri nisma legjislative të Kuvendit të Kosovës.

  1. Nisma legjislative për Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave. Mendimi i Qeverisë thekson se kjo nismë nuk arrin të adresojë të gjitha mangësitë e legjislacionit për këtë fushë dhe nuk është në harmoni me legjislacionin në fuqi dhe me legjislacionin e BE-së dhe Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje. Gjithashtu nuk është bërë identifikimi i burimeve të financimit të kostos buxhetore për këtë ligj. Qeveria rekomandon plotësimin e nismës ligjore me rekomandimet e dhëna nga Qeveria dhe shpreh gatishmërinë që të japë kontributin e saj për këtë.
  2. Nisma legjislative për Projektligjin për fshatin Kabash, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dhënë mendimin se kjo nismë duhet analizuar dhe harmonizuar me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës, sepse forma në të cilën është hartuar nisma nuk i shërben qëllimit të projektligjit. Mendimi i Ministrisë së Pushtetit Lokal thekson se mbrojtja, ruajtja dhe promovimi i resurseve natyrore dhe trashëgimisë kulturore janë obligim edhe i pushtetit lokal dhe kjo nismë është në funksion të zhvillimit dhe përmirësimit të kushteve të jetesës në këtë fshat. Departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave ka vlerësuar se ky Projektligj krijon kosto shtesë në vlerë prej 18 mijë euro në vitet 2021-2023 dhe kjo shumë nuk është planifikuar në projeksionet buxhetore për këto vite.
  3. Qeveria ka dhënë mendimin edhe për Nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze lidhur me amendamentin Nr.1 të marrëveshjes kornizë për bashkëpunim financiar.

Në mbledhjen e sotme ka marrë miratimin edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Shitja apo privatizimi i banesave ne pronësi shoqërore dhe publike ka filluar në vitin 1992 në Kosovë. Me ndërrimin e sistemit kushtetues dhe ndryshimin e rrethanave politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë, çështja është rregulluar me Ligjin për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore miratuar në vitin 2011, sipas të cilit qytetarëve ju është dhënë mundësi që fillimisht brenda afatit dy vjeçar, dhe më pas edhe me vazhdimin tre vjeçar, me qëllim që të gjithë ata që nuk kanë mundur të blejnë banesat, apo iu është pamundësuar blerja në të cilën në mënyrë ligjore e kanë fituar të drejtën banesore. T’u mundësohet blerja e banesës me kushte të përafërta siç është bërë gjatë viteve 1992-99. Meqenëse afatet e përshkruara në këtë Ligj tashmë kanë skaduar dhe gjendja e shitjes së këtyre banesave është e papërfunduar, ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji e zgjasin aftin për shitjen e këtyre banesave edhe për tri vjet, përkatësisht deri në vitin 2023.

Nga kabineti qeveritar është miratuar propozimi i Komisionit Përzgjedhës për rekomandim të kandidatëve për anëtarë të Bordit të Organi Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP). Sipas këtij propozimi, Qeveria e Republikës së Kosovës për anëtarë të këtij Bordi i propozon Kuvendit të Republikës këta kandidatë:

  1. Vjollcë Kurtishaj;
  2. Erëleta Popaj;
  3. Shqipe Hoti;
  4. Ardita Morina;
  5. Bujar Lushaku;
  6. Pranvera Maloku.

Është aprovuar edhe propozimi i Komisionit Përzgjedhës për zgjedhjen e Zëvendësdrejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Qeveria e Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zëvendësdrejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës/AKVP, këta kandidatë:

  1. Sadik Kryeziu;
  2. Milaim Çekaj;
  3. Albiona Maloku;
  4. Arben Krasniqi.

Pas miratimit të Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit, me datën 16.11.2020 dhe pas internalizimit të ish strukturave të ish Ministrisë së Integrimeve Evropiane në kuadër të strukturës organizative të Zyrës së Kryeministrit, është shfuqizuar Vendimi i Qeverisës së Republikës së Kosovës i datës 01.07.2020 për sistemimin e përkohshëm të strukturave të ish MIE-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin Drejtori i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim caktohet Koordinator Kombëtar për IPA. Edhe ky vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës është në përputhje me Rregulloren e re për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit, dhe pas internalizimit të ish strukturave të ish-Ministrisë së Integrimeve Evropiane në kuadër të strukturës organizative të Zyrës së Kryeministrit.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Kornizën e Treguesve për Mbrojtjen e Fëmijëve. Me miratimin e këtyre treguesve, obligohen të gjitha institucionet kompetente për zbatimin e tyre. Zyra e Kryeministrit dhe Zyra për Qeverisje të Mirë do të monitorojnë zbatimin e këtyre treguesve.

Me miratimin e vendimit në mbledhjen e sotme, është ndryshuar dhe plotësuar vendimi për themelimin e Komisionit Ekzekutiv për reformën në fushën e inspektimeve sipas të cilit në përbërje të këtij Komisioni përfshihet edhe një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e ndërmarrjes publike lokale “Eko-Natyra” në Skenderaj me pronar të 100% të aksioneve nga Kuvendi Komunal i Skenderajt.

Ndërsa vendimi tjetër ka emëruar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Bifurkacioni” në këtë përbërje:

  1. Faruk Lipovica – Drejtor, kryesues;
  2. Burbuqe Xheladini – anëtare;
  3. Abetare Kurti – anëtare;
  4. Negjmedin Bajrami – anëtar.

Qeverisa e Republikës së Kosovës aprovuar Planin Kombëtar të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë për periudhën 2019-2021. Vendimi obligon Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit si dhe institucionet tjera kompetente për zbatimin e masave që dalin nga ky dokument. Ky Plan ka për qëllim arritjen e objektivave të politikës shtetërore në fushën e efiçiencës së energjisë, duke përfshirë skemën obligative dhe masat alternative të efiçiencës së energjisë, masat e politikave për efiçiencë të energjisë, kursimet e energjisë të arritura ose të planifikuara për t’u arritur në nivelin e furnizimit, transmisionit, shpërndarjes dhe konsumit final të energjisë, në mënyrë që të përmbushen objektivat kombëtare të efiçiencës së energjisë. Ky dokument gjithashtu përfshin një vlerësim të zbatimit të planit paraprak 2016-2018.

Qeveria ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin për themelimin e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare në Kosovë. Sipas këtyre ndryshimeve dhe plotësimeve, Ilir Gutaj, nga Departamenti për Drejtësi Tranzicionale në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë do të zëvendësojë, Fetnete Ramosajn nga Instituti për Krime të Luftës.

Është aprovuar edhe propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për zgjatjen e mandatit të Grupit të ekspertëve të pavarur për dizajnim të parimeve, skenarëve dhe elementeve të reformës së vetingut në sistemin e drejtësisë. Afati për paraqitjen e raportit të këtij grupi shtyhet deri në datën 15 dhjetor 2020.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marr edhe propozimi tjetër i Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Grupit Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky grup do të analizojë mundësitë e themelimit të këtij instituti si dhe do të identifikojë praktikat më të mira krahasuese me elementet dhe specifikat që mundë të përfshihen në rastin e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Kosovës listën e kandidatëve për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare si në vijim:

  1. Bahri Anadolli – Kryetar;
  2. Hazir Hajdari – anëtar;
  3. Mark Buzhala – anëtar;
  4. Iliriana Berisha – anëtare;
  5. Faruk Rexhaj – anëtar.

Është miratuar edhe Projektligji për Lotarinë e Kosovës i cili rithemelon Lotarinë e Republikës së Kosovës, si suksesor juridik i Lotarisë së Kosovës sh.a. e cila është mbyllur me Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit. Me këtë Projektligj synohet rregullimi, organizimi dhe funksionimi i Lotarisë së Republikës së Kosovës, llojet e lojërave, kushtet dhe mënyrën e organizimit, rregullat dhe mbikëqyrjen e tyre si dhe mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave nga lojërat e fatit të lotarisë.

Qeveria ka aprovuar edhe kërkesat e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftë së UÇK-së, Shoqatës se Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në vlerën prej 203,000.00, nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike.
Mjetet ndahen si vijon:
17,000.00 euro, transferohen në Shoqatën e Familjes se Dëshmorëve të Luftë së UÇK-së;
34,000.00 euro transferohen në Organizatën e Veteranëve të Luftë së UÇK-së;
15,000.00 euro transferohen në Shoqatën e Invalidëve të Luftë së UÇK-së;
125,000.00 euro transferohen në Shoqatën e Invalidëve të Luftë së UÇK-së, për mbulimin e shpenzimeve për proteza të Invalidëve te Luftës së UÇK-së
12,000.00 euro transferohen në Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës.

Në arsyetimin e ndarjes së këtyre mjeteve thuhet se gjendja emergjente e shkaktuar nga COVID-19 dhe gjendja e rëndë për funksionimin e rregullt të organizatave të lartpërmendura dhe me qëllim të lehtësimit në kryerjen e obligimeve të tyre janë aprovuar kërkesat e këtyre organizatave dhe do të mbulohen nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike.

/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme