Qeveria e Kosovës sonte pritet të miratojë një sërë masa për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndër to edhe kufizimin e lëvizjes për qytetet me numër të madh të të infektuarve, si Prishtina, Prizreni, Ferizaj dhe Vushtrria, duke filluar nga ora 21.00 deri në orën 05.00 të mëngjesit.
Edhe të gjitha lokalet e gastronomisë do të mbyllen nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit, ndërsa në kohën kur iu lejohet veprimtaria do të jenë vetëm në ambiente të hapura.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, pas takimit me përfaqësues të institucioneve shëndetësore, tha se kanë përgatitur një plan veprimi i cili specifikon në detaje se cilat veprime do t’i ndërmarrin institucionet shëndetësore.
Ai tha se do të kujdesen që të krijojnë kapacitete shtesë me shtretër dhe pajisje duke riorganizuar komplet klinikat e QKUK-së, spitalet rajonale dhe ato private, ndërkohë që do të blejnë edhe shtatë aparatura shtesë të testimit.
“Do të kujdesemi që të krijojmë kapacitete shtesë me shtretër dhe pajisje duke riorganizuar komplet klinikat e QKUK-së, spitalet rajonale dhe duke shfrytëzuar edhe bazën ligjore që spitalet private të vënë në dispozicion shtretërit e tyre për nevoja të pacientëve që dërgohen nga QKUK. U pajtuam që me procedura ligjore sa më të shpejta të mundshme të blejmë edhe 7 aparatura shtesë të testimit, një shtesë për institutin në Prishtinë dhe në 6 qendrat regjionale nga një aparat shtesë për testime. E dyta, do të krijojmë kapacitete shtesë me personel shëndetësor, duke riorganizuar personelin shëndetësor që do të jetë në shërbim të luftimit të pandemisë, duke mobilizuar plotësisht personelin shëndetësor në nivel vendi edhe ata që nuk janë të angazhuar deri më tash, e në veçanti duke angazhuar personel shtesë në mikrobiologji dhe infermieri”, tha ai.
Hoti tha se do të krijojë kapacitete për testime virologjike, ku brenda javës do të licencohen
“Do të merremi me krijimin e kapaciteteve për testim virologjik, do të krijohen kapacitetet brenda ditës, që të shfrytëzohen në maksimum kapacitetet ekzistuese deri në 500 teste brenda ditës. Do të punojmë që të krijojmë kapacitete të reja testuese nëpër regjione. Brenda javës do të licencojmë institucionet private shëndetësore për të kryer teste virologjike, do të fillojmë procedurat urgjente për të blerë edhe 100 mijë teste shtesë virologjike, por do të bëjmë një formë të prioritetit se kush testohet, duke filluar nga të sëmurët kronik, ata që kanë shenja e kështu me radhë. Obligimet që i ka Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë në këtë rast, është që të vënë buxhetin në dispozicion duke bërë të gjitha rialokimet e nevojshme buxhetore për të siguruar 100 mijë teste virologjike, për të siguruar vaksina sezonale deri në 500 mijë, për të siguruar vaksina COVID në përputhje me protokollet e Komisionit Evropian dhe OBSH-së, pra për të bërë porositë e nevojshme kurdo që ajo është e gatshme. Për të blerë 7 aparatura shtesë për të bërë testime virologjike, do të porositim terapitë specifike që janë të rekomanduara nga Komisioni Evropian dhe OBSH rreth 20 mijë doza”, tha Hoti.
Hoti tha se do të sigurohen që ka pajisje të mjaftueshme mbrojtëse të personelit shëndetësor që janë në ballë të kësaj pandemie dhe gjithashtu pagesat shtesë për stafin shëndetësor që kanë qenë të angazhuar gjatë kësaj kohe.
Sa u përket masave administrative, kryeministri Hoti tha se në qytetet ku ka numër të madh të të infektuarve do të kufizohet lëvizja e lëvizjes, ndërsa do të mbyllen lokalet e gastronomisë nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit.
“Në qytetet ku ka numër të madh të infektuarve duke filluar nga sonte në Prishtinë, në Prizren, në Ferizaj dhe në Vushtrri do të kufizojmë komplet lëvizjen e qytetarëve nga ora 21 deri në orën 5 në mëngjes. Dhe nga dita e nesërme do të përcjellim në baza të rregullta ditore numrin e të infektuarve në secilin qytet, do ta shtojmë këtë listë qytete të tjera ose do të heqim nga kjo listë varësisht prej zhvillimeve… Sa i përket bizneseve, mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë nga ora 21 deri në orën 5 në mëngjes. Jashtë kësaj periudhe, këtij kufizimi, lejohet puna vetëm në hapësira të hapura dhe ajo që quhet take away”, tha ai.
Sa i përket institucioneve, ai tha se do të reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në stafin e domosdoshëm, derisa në institucione shëndetësore do të reduktohen të gjitha shërbimet jo esenciale, e të cilat janë trajtime shëndetësore që mund të presin.
Në transportin publik, ai tha se numri i udhëtarëve që shfrytëzojnë transportin publik do të përgjysmohet.
Kryeministri Hoti tha se do të ndërtojnë një strategji mediatike efektive dhe se do të bëjnë reportazhe nga Klinika Infektive, pasi sipas tij 30 për qind e qytetarëve nuk besojnë që COVID-19 ekziston.
Ai tha se do të punojnë në përputhje me protokollet e Komisionit Evropian përmes aplikacioneve në mënyrë që qytetarët të dinë nëse kanë qenë në kontakt ose janë në kontakt me personat e testuar për COVID-19. Hoti tha se do të jenë të kujdesshëm për ruajtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
Sa i përket inspektimeve, ai tha se qytetarët dhe bizneset nuk janë duke i respektuar masat, për çka tha se do të respektojnë ligjin në fuqi për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse për të shqiptuar të gjitha gjobat ndaj atyre që nuk i respektojnë vendimet.
I pyetur se a do të procedojnë Ligjin për Parandalimin e Pandemisë COVID-19 në Kuvend, kryeministri Hoti tha se baza ligjore është e qartë.
“Sa i përket masave, baza ligjore është mjaftë e qartë. Ligji për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse parasheh masa që mund të ndërmerren nga inspektorati sanitar për qytetarët, bizneset dhe për të gjithë ata që nuk i respekton masat në kohë pandemie. Ligji është i mirëseardhur dhe baza ligjore është e qartë për të menaxhuar me situatën”, tha Hoti.
Ndryshe, që nga 13 marsi, kur u paraqitën e rastet e para e deri më tash, në Kosovë janë konfirmuar 3356 raste me COVID-19, prej tyre 1874 të shëruar dhe 66 të vdekur.
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...