Kryeministri Zoran Zaev e hapi mbledhjen e përbashkët të qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, me një mirëseardhje tjetër për kryeministrin Albin Kurti, i cili sot udhëheq Qeverinë nga Kosova në vizitë pune në Shkup.
Mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, theksoi Kryeministri Zaev, është edhe një konfirmim për marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore, për bashkëpunimin e ngushtë, për realizimin e vazhdueshëm të interesave të ndërsjella dhe për ndarjen e përcaktimeve të përbashkëta për Ballkanin Perëndimor si rajon i qëndrueshëm i paqes, plotësisht i integruar në BE dhe NATO, njofton zyra për media e Qeverisë së Kosovës.
“Jam i bindur se nga mbledhja do të dalin më shumë projekte që do të mundësojnë bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet qeverive dhe ministrive dhe institucioneve kompetente, të cilat janë në interes të qytetarëve tonë. Ka edhe shumë mundësi para nesh. Na lidhin shumë interesa të përbashkëta, kështu edhe ekonomitë tona janë të drejtuara njëra drejt tjetrës”, theksoi Kryeministri Zaev në fjalët e tij hyrëse në mbledhjen e përbashkët, shkruan arbresh.info.
Zaev theksoi se në këtë mbledhje të përbashkët në plan të parë janë vendosur marrëveshjet dhe memorandumet për ndërlidhjen infrastrukturore të vendeve tona, me qëllim të lehtësimit dhe avancimit të bashkëpunimit dhe komunikimit ekonomik, si dhe ato që përfshijnë projekte ndërkufitare me mbështetjen e programeve IPA të BE-së, bashkëpunim në fushën e energjetikës, si dhe në planin e turizmit, kulturës dhe të tjera.
“Dy vendet tona nuk janë të mëdha në territor dhe në këtë jemi të ngjashëm. Por, jemi të ngjashëm edhe në ambiciet dhe potencialet e mëdha. Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme të ndajë me Republikën e Kosovës përvojat nga integrimi ynë në NATO në rrugën tuaj deri në anëtarësimin në Aleancë.
Bashkërisht hapërojmë në rrugën drejt integrimit të plotë në BE. Presim që së shpejti t’i fillojmë bisedimet me BE-në në kapituj dhe në të ardhmen do të mundemi edhe më ngushtë të bashkëpunojmë edhe në këtë fushë”, potencoi Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu ngushëllime për viktimat nga aksidenti në spitalin modular në Tetovë dhe për të gjitha viktimat e shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Ai e vlerësoi mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive si moment historik i marrëdhënieve në mes dy vendeve. Një shfletim i shkurtër nëpër faqet e historisë e gjen në një vend edhe Shkupin edhe Prishtinën, edhe Prizrenin edhe Tetovën, dhe se vendet tona ndajnë shumëçka me njëra tjetrën pasi historia jonë është e mbushur me ngjarje të cilat në mënyrë të pandashme kanë përcaktuar fatin tonë, u shpreh Kryeministri Kurti.
Për kryeministrin Kurti, kjo mbledhje e parë është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë më intensive të bashkëpunimit të ndërsjellë, por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet tona të mira fqinjësore.
“Rruga e të dy shteteve tona, por edhe ajo e shteteve tjera në rajon është ajo e bashkëpunimit, e përfshirjes dhe respektit të ndërsjellë ku nuk ruajmë shpinën nga njëri-tjetri sepse e dimë se fatet tona e të qytetarëve tanë janë të lidhura dhe e ardhmja jonë është e përbashkët”, tha kryeministri Kurti.
Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ndau vlerësimin se mbledhja e përbashkët e të dy qeverive është ngjarje historike dhe u falënderua për energjinë e të gjithë atyre që ishin të përfshirë në përgatitjen e mbledhjes së përbashkët të të dyja qeverive.
Është hapur edhe një derë për avancimin e bashkëpunimit në shumë fusha, theksoi zëvendëskryeministri Grubi dhe shtoi se energjia në organizimin e kësaj mbledhje të përbashkët do të përcillet edhe në zbatimin e memorandumeve dhe marrëveshjeve që nënshkruhen sot.
Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës, Besnik Bislimi, u falënderua për mikpritjen e ngrohtë dhe për mundësinë e mbledhjes së përbashkët për të ndarë përvojat e të dyja vendeve në procesin e integrimit në BE. Ai theksoi se fillimi i bisedimeve të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE do të jetë sukses edhe për Republikën e Kosovës sepse pranë tij do të ketë fqinj i cili mundet shumë të ndihmojë në aspiratat e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në pjesën e mëtejshme të mbledhjes u përfshinë edhe zëvendëskryeministrat dhe ministrat e tjerë të të dyja qeverive të cilët biseduan për bashkëpunimin ekonomik, për bashkëpunimin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar, në ballafaqimin e përbashkët me fatkeqësitë natyrore.
Në mbledhjen e përbashkët u kumtuan edhe iniciativat e përbashkëta në mbrojtjen e mjedisit jetësor, për bashkëpunim të projekteve të zhvillimit rural dhe në bujqësi, për ndihmë juridike në procedurat civile, bashkëpunim ndërkufitar dhe bashkëpunim në projekte për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Në përfundim të mbledhjes së përbashkët, Kryeministri Zaev u shpreh i bindur se në periudhën e ardhshme ministrat e dy qeverive do të jenë të përkushtuar në zbatimin e detyrave që dalin nga dokumentet që u nënshkruan sot dhe se kjo do të jep shtysë edhe për zhvillimin e bashkëpunimit edhe në shumë fusha në të ardhmen.
“Bashkëpunimi ynë i ngushtë vetëm mund të inkurajojë partnerët tjerë nga rajoni dhe nga BE-ja të bashkëpunojnë me ne edhe më shumë edhe më mirë. Ne dëshmojmë se jemi qeveri të përgjegjshme, për të cilët në vend të parë është interesi i qytetarit për jetë më të mirë”, theksoi Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Në pjesën ceremoniale të mbledhjes, sot kryeministrat e të dy qeverive dhe ministrat dikasterial i nënshkruan Memorandumet për Mirëkuptim mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për përcaktimin e fushëveprimit të përgjithshëm të bashkëpunimit lidhur me studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë dhe për rehabilitimin e zonës tampon Bllacë mes dy objekteve kufitare të të dyja vendeve, marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e diasporës, Marrëveshja për Statusin e Pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Forcat e Sigurisë së Republikës së Kosovës (SOFA), Protokoll për Zbatimin e Marrëveshjes për realizimin e Marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullim kufitar të komunikacionit hekurudhor, Memorandum për Bashkëpunim në Sektorin Energjetik, Marrëveshje për Bashkëpunim në fushën e turizmit, Memorandum për Bashkëpunim në fushën e inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik dhe sipërmarrësish, Marrëveshje për Partneritet ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Administratës për Vetëqeverisje Lokale si partner-lider i Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale si partner për menaxhim me grant marrëveshjen për ndihmë teknike 2019/410-322, në kuadër të programit IPA Kosovë – Maqedonia e Veriut 2014/2020, Memorandum për Bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë për Zhvillim Rajonal të Republikës së Kosovës dhe me Memorandum për Bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës./arbresh.info/
Liverpool në kërkim të shkëputjes në tabelë përballet me Lei...
Cunha i shënon gol direkt nga korneri Man Unitedit
Akanji flet për çështjen e titullit kampion: Tani nuk është ...
Vullneti: Gjesti po luan me Drilonin që të e fitojë vendin n...
Gjysmë orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë, kj...
Aksidentohet autobusi me 58 persona në Norvegji, raportohet ...