Shumë dhurues po bëjnë pyetje se ku po shkojnë paratë që i dërguan në Fondin e Sigurisë, por ata nuk kanë qasje në këto informata.
Qeveria e Kosovës nuk ka bërë të ditur asnjëherë as shumën e përafërt të mbledhjes së këtyre fondeve, derisa opozita dhe ekspertët bëjnë thirrje për më shumë transparencë dhe formim të mekanizmave të caktuar parlamentare apo qeveritare për të kontrolluar shpenzimin e këtyre parave.
Analistja, Ardiana Thaçi, vlerëson se qytetarët duhet të dinë se ku po shkojnë paratë e tyre.
“E para mendoj që secili fond në Kosovë ka qenë i destinuar të dështoj. Pra, nëse kthehem në perspektiv qoftë në kohën kur janë mbledh para për politikanët që kanë shkuar në Hagë dhe janë keqpërdorë, duke filluar edhe para luftës, prandaj duhet edhe një siguri shumë e madhe sa i përket Fondit, edhe një transparencë më e madhe të cilën do të duhet Kurti ta bënte më të detajuar”, thotë Thaçi për arbresh.info.
Ajo ka një shpjegim se për çfarë arsye kryeministri, Albin Kurti, dhe kabineti i tij nuk bëjnë publike shumat e mbledhura, apo destinimin e tyre.
“Arsyeja pse Kurti ka thënë që nuk duhet që shtetet kundërshtare të dinë se sa para ka në Fondin për Siguri nuk qëndrojnë, sepse ajo çka të tjerët nuk duhet të dinë është se si dhe ku i blejmë armët, por jo për mjetet që jepen nga qytetarët e Republikës së Kosovës”, vlerëson Thaçi, derisa shton se edhe deputetët do të duhej të ishin më vigjilentë sa i përket kësaj çështjeje duke i kërkuar llogari Ministrisë së Mbrojtjes.
Njohësi i rrethanave të sigurisë në vend, Avni Islami, thotë se faktorët e jashtëm ndikojnë që disa informacione të mbeten sekret sa i përket Fondit të Sigurisë, por gjithsesi sipas tij, duhet të formohen mekanizma që mbikëqyrin këtë fond.
“Unë po e ritheksoj, që doemos mekanizmat e shtetit dhe përfaqësues të shoqërisë civile duhet ta dinë. Dhe kam propozuar që ta formojnë një komision të përbashkët të Qeverisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe shoqërisë civile që janë të besuar, që ata së bashku ta dinë sa mjete janë mbledhur dhe ku janë të destinuara kah po shkojnë ato mjete”, vlerëson Islami.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, thekson se Fondi i Sigurisë duhet të jetë transparent për opinionin publik.
“Mendoj se fondi duhet të jetë transparent për opinionin publik, por jo detajet finale. Por është kjo çështje e qeverisë, prap jam skeptik. Konsideroj që fondi është dashtë të kalojë përmes Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe të jetë i hapur për qytetarët që munden me kontribu”, shprehet Beqa.
Sipas tij, për të mos ardhur deri te keqpërdorimi eventual duhet të gjendet një formë institucionale që e pamundëson një gjë të tillë.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Valentina Bunjaku thotë se Qeveria e Kosovës nuk është aspak transparente.
“Tani jemi shtet dhe Kurti është i obliguar t’i siguroj prej buxhetit të shtetit të Kosovës paratë për Fondin e Sigurisë dhe është i obliguar me qenë transparent ndaj fondeve, dhe të gjitha proceset me qenë transparente, sepse me këtë kauzë ka ardhur në pushtet”, thekson Bunjaku.
Kujtojmë se muaj më parë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se sipas autorizimit të Kryeministrit Albin Kurti, Thesari i Kosovës ka hapur një llogari zyrtare bankare për pranimin e fondeve të cilat dedikohen për siguri – Fondi i Sigurisë.
Përmes këtij Fondi mundësohet pranimi i donacioneve të mërgatës sonë si dhe çdo qytetari që është i interesuar të kontribuoj./Ejona Hyseni/arbresh.info/
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”/ Deputeti gjerman: Bisedime...
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë