Qeveria ka marrë vendim për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 të cilat hyjnë në fuqi nga data 31 maj.
Këto janë të gjitha masat që do të hynë në fuqi nga nesër:
A. [Zbatimi territorial]
1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve të huaj nga Republika e Kosovës]
2. Qytetari i huaj që hyn në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.
3. Përjashtime nga pika 2 bëjnë:
3.1. Nëse qytetari i huaj hyn në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 orëve përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orëve;
3.2. Qytetari i huaj që punon si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga Covid-19;
3.3. Qytetari i huaj që kalon nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orëve;
3.4. Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre.
3.5. Personi që ka dëshmi për marrjen e vaksinës kundër COVID-19.
3.6. Personi me një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik -IgG lëshuar më së shumti tridhjetë (30) ditë para mbërritjes.
4. Ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut.
4.1 Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut
duhet të karantinohen në shtëpitë (vendin e banimit) e tyre për katërmbëdhjetë (14)
ditë duke u testuar dy herë në javë.
4.2. Pika 4.1 nuk vlen për shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët qëndrojnë transit (më
pak se 48 orë) në shtetet e përcaktuara në pikën 4.1 të këtij vendimi.
4.3. Diplomatët e huaj përjashtohen nga fushëveprimi i pikës 4 të këtij vendimi.
C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]
5. Gratë shtatzëna lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë. Punëdhënësit publikë apo privatë udhëzohen t’u krijojnë mundësinë që të punojnë nga shtëpia.
Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]
6. Obligohen institucionet publike e private dhe në subjektet e tjera të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit dhe në ambientet e brendshme.
7. Obligohen institucionet publike e private dhe në subjektet e tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga Covid-19 (përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës).
8. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe në subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjet e hapësirave të mbyllura.
9. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç:
9.1 Gjatë ecjes vetëm në ambient të jashtëm;
9.2 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo në grup me jo më shumë se katër (4) persona;
9.3 Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;
9.4 Gjatë ngrënies apo pijes.
D. [Institucionet e arsimit]
10. Institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.
11. Konviktet lejohet të punojnë sipas rregullit një student në një dhomë.
12. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimorë, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.
Dh. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]
13. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit siç kërkohet me ligjet përkatëse.
E. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]
14. Lejohen grumbullimet në ambiente të brendshme deri në pesëdhjetë (50) persona (mbledhjet, seminaret, trajnimet) me kusht që të mbahet distanca fizike mbi 1.5 metër në mes të personave.
14.1 Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave.
15. Lejohen grumbullimet në ambiente të hapura deri në njëqind (100) persona me kusht që të mbahet distanca fizike mbi 1.5 metër në mes të personave.
15.1 Grumbullimet në ambiente të jashtme me interes të veçantë publik me mbi njëqind (100) persona kërkojnë miratimin nga Ministria e Shëndetësisë/Qendra Operative Emergjente, me rekomandim të IKShPK-së.
16. Organizimi i ahengjeve ndalohet deri me datë 15 qershor 2021, pas së cilës datë sipas situatës epidemiologjike do të ketë rivlerësim të kësaj pike.
17. Mbajtja e pritjes për ngushëllim/kryeshëndoshë lejohet duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë maskat dhe 1.5 metër distancë nga njëri-tjetri si dhe duke respektuar me përpikëri udhëzuesin përkatës.
Ë. [Kufizimet e kontaktit]
18. Nga ora 00:00 deri në orën 05:00, ndalohet grumbullimi i më shumë se dhjetë (10) personave.
F. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë]
19. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.
20. Obligohen të gjithë operatorët të cilët për veprimtari ekonomike kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.
G. [Puna me palë]
21. Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatorëve ekonomik, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse ata mbajnë distancë fizike prej të paktën 1.5 metra nga grupet e tjera të personave.
Gj. [Gastronomia]
22. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës. Lejohen deri në pesëdhjetë (50) klientë për 100m2 (5 persona për 10 m2). Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
23. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në ora 23:00.
24. Muzika lejohet deri në ora 22:45.
25. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që klientët të mbajnë një (1) metër distancë nga klientët në tavolina të ndryshme.
26. Pjesa e prapme e një karrige, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet të jetë një (1) metër distancë.
27. Në hapësirat e brendshme lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë me të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është që të shfrytëzohet hapësira duke pasur parasysh kapacitetin prej pesë (5) persona në 10 m2.
28. Në hapësirat e brendshme lejohet shërbimi i ushqimit dhe pijeve vetëm për mysafirët që janë të ulur ose duke qëndruar në këmbë në një tavolinë ose në banak;
29. Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë, banak apo në tavolina në këmbë.
30. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60-70% alkool.
31. Duhet të vendosen udhëzuesit në hapësirat e jashtme të lokaleve lidhur me informimin e klientëve për protokollin e masave kundër COVID-19, i cili publikohet në uebfaqen e Ministrisë së Shëndetësisë.
H. [Tregjet dhe therja e kafshëve]
32. Lejohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve, kafshëve dhe shpezëve deri në 40% të kapacitetit.
33. Therja e kafshëve lejohet vetëm në ambientet e autorizuara për këtë qëllim.
I. [Transporti publik]
34. Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri 50% të kapacitetit dhe sipas udhëzuesit përkatës.
35. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në tre (3) udhëtarë.
J. [Teatrot, bibliotekat, etj.]
36. Teatrot, bibliotekat, filarmonitë, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo Komunave, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime).
37. Përgjegjësit për organizimin e aktiviteteve kulturore duhet të sigurohen që mysafirët të mbajnë maskat dhe 1.5 metër distancë nga njëri-tjetri.
K. [Sporti dhe rekreacioni]
38. Lejohen aktivitetet stërvitore të cilat duhet të realizohen në përputhje me protokollet vendore dhe ndërkombëtare sportive.
39. Lejohet organizimi i garave sportive pa prezencë të publikut përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
40. Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë, dhe pjesëmarrës tjerë të nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke respektuar masën e distancës dhe masat tjera mbrojtëse.
41. Lejohen aktivitetet garuese pa prezencë të publikut, të cilat duhet të realizohen në përputhje me protokollet vendore dhe ndërkombëtare sportive.
42. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative sipas udhëzuesit përkatës.
43. Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme bëhet në proporcion 1 klient në 8m2.
44. Aty ku është e mundur në software të fitnesit/palestrës të përcaktohet numri maksimal i klientëve që mund të kenë qasje në hapësirat e fitnesit.
45. Obligohet që personi përgjegjës i fitnesit/palestrës të ketë kujdes të veçantë në pikun e vizitës së klientëve, e që llogaritet koha nga ora 17:00 – 20:00, që të respektohet distanca e përcaktuar në udhëzues.
46. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijesimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.
L. [Udhëzuesit dhe sqarimet]
47. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:
47.1 Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e Covid-19;
47.2 Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;
47.3 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;
47.4 Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;
47.5 Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore;
47.6 Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;
47.7 Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik;
47.8 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;
47.9 Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;
47.10 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj.
48. Udhëzuesit nga pika 47 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.
49. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij vendimi.
Ll. [Zbatimi]
50. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente tw komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).
51. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike dhe parashikimet për dy javët në vijim.
52. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHPK-së.
53. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.
54. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.
55. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
M. [Shfuqizimi i vendimeve 01/07 dhe 02/11]
56. Shfuqizohen Vendimet e Qeverisë: Vendimi Nr. 01/07 i datës 18.04.2021 dhe Vendimi Nr. 02/11 i datës 07.05.2021.
N. [Hyrja në fuqi]
57. Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyn në fuqi me datë 31.05.2021.
Masat e ndërmarra sipas këtij vendimi janë mbështetur në arsyetimin se:
Sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, situata epidemiologjike me COVID–19, në Kosovë paraqitet e qëndrueshme me vazhdimin e uljes së numrit të rasteve pozitive. Ulja e rasteve pozitive për dy javët e fundit krahasuar me dy javët paraprake shënon rënie për 67.08%.
Në një situatë të tillë, duke ju referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHPK-së, Qeveria cakton masa më të lehtësuara që mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik por njëkohësisht synojnë kontrollin e përhapjes së infeksionit.
Ministria e Shëndetësisë ka bashkërenduar vendimmarrjen me palët e interesit, të cilat kanë qenë të ndikuara drejtpërdrejt apo tërthorazi nga pandemia. Qeveria vëren se këto palë kanë ushtruar të drejtën e tyre për ndikim demokratik në vendimmarrje, në përputhje me nenin 45.3 të Kushtetutës.
Lehtësimi i masave është bërë duke u kushtuar rëndësi tri objektivave:
– Parandalimi i përhapjes së infeksionit me COVID-19;
– Mos cenimi i aktiviteteve ekonomike, por duke pasur prioritet ruajtjen e jetës dhe shëndetit të popullatës;
– Ruajtja e shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve.
Masat e përcaktuara në këtë vendim si dhe afatet kohore shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll edhe përkundër të dhënave optimiste epidemiologjike në raport me infeksionin me COVID–19.
Heqja e pjesërishme e kufizimeve po bëhet me përgjegjësi dhe me përgatitjet e nevojshme për përballjen me një situate eventuale të rritjes se numrit të infeksioneve, andaj, ndryshimi i situatës epidemiologjike rrjedhimisht kërkon vendime dhe masa të reja konform situatës së re.
Prandaj, në bazë të rekomandimeve të dhëna nga IKShPK-së, ministritë e linjës, palët e interesit dhe ekspertët përkatës, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi./ arbresh.info/
Shpërthimi në Ibër Lepenc/ Policia rrit masat e sigurisë, pë...
Moti sot me shi e borë
Shpërthimi në Ibër Lepenc, çfarë dihet deri më tani
Kurti: Punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve po bëjnë një ...
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...