Google ADS

Këtë vit 5,500 kosovarë pritet të pajisen me viza pune nga Gjermania

19:01 | 17 Mars 2021
Arditë Shkodra

25 mijë viza janë parashikuar të jepen këtë vit sipas rregullores së Ballkanit Perëndimor.

5 mijë e 500 viza pune në vit ka vënë në dispozicion Gjermania për kosovarët që duan të punojnë në Gjermani.

Kjo përbën një të pestën e vizave të parashikuara në kuadër të kontingjentit të rregullores së Ballkanit Perëndimor.

Kjo bëhet e ditur në një përgjigje të qeverisë gjermane ndaj një pyetjeje me shkrim të grupit parlamentar të liberalëve (FDP) në Bundestag.

Për Shqipërinë, Maqedonisë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën janë parashikuar nga 4 mijë e 750 viza pune në vit, pra nga 19 për qind për secilin vend.

Ndërsa kontingjenti i rezervuar për Serbinë është pak më i ulët, rreth 4 mijë e 250 (17 për qind), e për Malin e Zi, janë parashikuar 1 mijë viza pune, rreth 4 për qind e kontingjentit.

Qeveria gjermane e ka përcaktuar kontingjentin total të vizave deri në 25 mijë viza pune në vit. Këtu përfshihen vetëm vizat, sipas Rregullores se Ballkanit Perëndimor, e cila është rinovuar më 1.01.2021 dhe vlen deri në vitin 2023.

Ndarja është bërë në bazë të disa kritereve, të cilat sipas përgjigjes së qeverisë gjermane, janë: numri i popullsisë, numri i vizave të dhëna në vitin 2018 dhe 2019 dhe numri i kërkesave për vizë, raporton DW, transmeton Gazeta Sinjali.

Shumë pak viza gjatë pandemisë

Numri i vizave në vitin 2020 nuk është marrë parasysh, sepse ka qenë tepër i ulët. Kështu, ndërsa në vitet 2018 dhe 2019 Rregullorja e Ballkanit Perëndimor solli në Gjermani përkatësisht nga rreth 21 mijë dhe 27 mijë fuqi punëtore, në vitin 2020 numri i punëtorëve të ardhur ra në 5 mijë e 188, pjesa dërrmuese e të cilëve, 4 mijë e 693, kishte ardhur në tremujorin e parë të 2020, pra, para se të shpallej pandemia dhe të mbylleshin rrugët.

Më pas lejohej të vinte vetëm fuqi punëtore që nevojitej në sektorët kyçë të ekonomisë së vendit. Sipas qeverisë gjermane, nga 494 vizat e punës të lëshuara me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor në periudhën mars-dhjetor 2020, pothuajse të gjitha kanë qenë për punonjës në sektorin e shëndetësisë ose shoferë kamionësh. Në këtë periudhë janë dhënë në Prishtinë vetëm 16 viza pune mbi bazën e kësaj rregulloreje e në Shkup 59.

Numri më i madh i vizave të punës, sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, në këtë periudhë është dhënë në ambasadën e Tiranës: 202.

Pritet që kontingjenti i vizave të Ballkanit Perëndimor të mos shfrytëzohet i tëri as në vitin 2021, për sa kohë që do të jenë të vlefshme rregullat e lëvizjes së kufizuar për shkak të pandemisë.

Dy mocione në Bundestag

Nga fundi i shkurtit 2021, liberalët dorëzuan në parlamentin gjerman një mocion për përshpejtimin e procedurës së dhënies së vizave dhe zgjatjen e Rregullores së Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025.

Në të njëjtën kohë, në Bundestag u debatua mocioni i partisë djathtiste Alternativa për Gjermaninë, AfD, e cila kërkoi anulimin e Rregullores së Ballkanit Perëndimor me argumentin e krizës ekonomike dhe papunësisë së lartë të shkaktuar nga pandemia.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor u mundëson shtetasve të Ballkanit Perëndimor të punojnë në Gjermani edhe pa pasur një kualifikim të njohur zyrtarisht.

Kusht është një kontratë pune në Gjermani. Deri tani, prej vitit 2016 e deri në vitin 2020 në këtë mënyrë kanë ardhur në Gjermani afro 100 mijë emigrantë, ndër ta mbi 13 mijë e 200 nga Shqipëria, mbi 21 mijë e 400 nga Kosova, ndërsa nga Maqedonia e Veriut 20 mijë e 881.

Të ngjashme