Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, dhe 21 persona tjerë të akuzuar për krim të organizuar dhe vepra tjera penale në rastin e njohur si “Toka”, pas një pauze të gjatë, të mërkurën e kësaj jave pritet sërish të ulën në bankën e të akuzuarve për të nisur shqyrtimin gjyqësor.
Në orarin e seancave për javën e ardhshme, të publikuar në faqen zyrtare të EULEX-it, është paraparë që seancat e këtij rasti të zhvillohen më 24 dhe 25 janar 2018, nga ora 10:00.
Mbajtjen e seancave më 24 dhe 25 janar të këtij viti, e ka konfirmuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ilaz Syla, avokati Haxhi Millaku.
“E kemi marrë porosinë, po se di sa do të jetë e qëndrueshme, njëherë përnjëherë kështu e kemi lajmin, me 24 edhe 25 janar”, ka thënë Millaku për “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, pas shqyrtimit fillestar të 12,13 dhe 15 dhjetorit 2016, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm, ishte paraparë që shqyrtimi gjyqësor të filloi pas më shumë një viti, konkretisht më 9 janar 2018.
Të martën e 9 janarit 2018, edhe pse në gjykatë kishin ardhur të gjitha palët, shqyrtimi gjyqësor nuk kishte filluar, pasi kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arcadius Sedec, kishte deklaruar se trupi gjykues nuk është në përbërje të plotë.
Ai kishte thënë se për ta plotësuar trupin gjykues kanë bërë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që të lejojnë që anëtare e trupit gjykues në këtë rast të jetë gjykatësja Nora Bllaca, që tash është transferuar në Gjykatën e Apelit.
Sipas gjykatësit Sedec, arsyeshmëria e kësaj kërkese ishte për të mos përsëritur dëshmitë e dy dëshmitarëve të mbrojtur, që ishin marrë në procedurën e mundësisë së veçantë hetuese, në vitin 2016, para se të ngrihej aktakuza, në të cilën procedurë në kolegjin gjykues kishte marrë pjesë edhe gjykatësja Bllaca.
Kodi i Procedurës Penale parasheh që në rastet kur është zhvilluar procedura e mundësisë hetuese të veçantë, në mënyrë që provat e marra në atë procedurë të vlejnë në shqyrtimin gjyqësor, duhet që njeri nga anëtarët e kolegjit të mundësisë hetuese të veçantë, të jetë edhe anëtar i trupit gjykues në shqyrtimin gjyqësor.
EULEX-i, pa e pritur përgjigjen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e ka tërhequr kërkesën për kthimin e Bllacës në trupin gjykues të këtij rasti dhe ka caktuar gjykatësin e EULEX-it, Vladimir Mikula, si anëtar të trupit gjykues, që bashkë me Bllacën ishte pjesë e kolegjit të mundësisë hetuese të veçantë.
Ndryshe, më 30 prill 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte nxjerrë aktvendimin për fillimin e hetimeve fillimisht ndaj 12 të akuzuarve, Azem Syla, Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu dhe Hajrullah Berisha.
Kurse, në prill dhe qershor të vitit 2015 si dhe në mars e prill të vitit 2016, ishte zgjeruar hetimi, duke u përfshirë edhe Avni Maxhuni dhe Ljubosha Vujoviq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.
Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.
Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.
Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd
Ndryshe, më 12,13 dhe 15 dhjetor 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në këtë rast, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.
Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedek, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë.
Mbrojtja kishte vazhduar të kërkoi rrëzimin e aktakuzës së prokurorisë, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit, pas vendimit të gjykatësit Sedek për konfirmimin e aktakuzës, të cilin e ka konsideruar atë si vendim të padrejtë.
Gjykata e Apelit, më 26 tetor 2017, ka nxjerrë aktvendim me të cilin kishte konfirmuar vendimin e shkallës së parë dhe në këtë mënyrë ka lënë në fuqi aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 24 tetor të vitit 2016.
”A je ka do me m’rreh, a çka?”, Driloni pyet Anisën – kjo i ...
Victoria Beckham zbulon arsyen pse ka ngrënë vetëm peshk dhe...
Reshje bore rekord në Seul/ Fluturime të anuluara dhe mijëra...
Sulmohet stacioni policor në Zveçan, hidhen dy granata dore
Përgjatë 24 orëve shqiptohen mbi 2 mijë gjoba trafiku
Kryeministri britanik: Armëpushimi në Liban do të jetë lehtë...